Më 14 janar, kalendari Kishtar përkujton Shën Feliksin
(14.01.2011 RV)Jetën e Shën Feliksit, rrëfyestar e martir(në gjuhën shqipe, Gëzim)
na e tregon Shën Paolini i Nolës, falë të cilit u realizua edhe kompleksi më i famshëm
i bazilikave paleokristiane në Çimitile, gjashtë kilometra larg nga Nola, në Italinë
jugore. Në këtë vend deri në shekullin II pas Krishtit, ishte një varrezë pagane,
pranë së cilës të krishterët e parë të zonës varrosnin të vdekurit e tyre në një ‘cæmeterium’,
term nga i cili rrjedh toponimi Çimitile. Këtu u vendosën edhe reliket e Feliksit,
që ka shumë mundësi të ketë vdekur aty nga viti 313. Varri i Shenjtit u bë cak shtegtimesh
e mrekullish e edhe i gjashtë bazilikave, kushtuar Shën Feliksit, Shën Shtjefnit,
Shën Gjonit, Shën Paolinit, Shenjtorëve martirë e Shën Gaulonit. Këtyre bazilikave,
më 1789, iu shtua edhe ajo famullitare, e vendosur mbi zonën arkeologjike, kushtuar
edhe ajo Shën Feliksit. Zanafilla e këtyre viseve të shenjta kulti e lutjesh lidhet
me manastirin, që u ndërtua nga ipeshkvi i Nolës, Shën Paolini, me origjinë nga Bordoja
e Francës, i cili në vitin 394 u vendos në Çimitile e ndikoi fuqimisht në zhvillimin
e vendit. Pranë ‘monasterium’ u mblodhën shumë miq të ipeshkvit shenjt, që më pas
do të bëhej pajtor i Nolës e do t’i kushtohej festa e famshme e Zëmbakëve të Nolës,
që kremtohet më 22 qershor. Pasi u bë ipeshkëv i Nolës në vitin 409, Shën Paolini
u largua nga manastiri, zgjëroi varrezën e ndërtoi Bazilikën e Re (400-403) e cila
më pas u përfshi në bazilikën e Shën Gjonit, që komunikonte, përmes një tuneli me
tri harqe, me bazilikën e Shën Feliksit in Pinçis. Kjo e fundit është më e rëndësishmja
nga të gjashtë bazilikat, sepse u ndërtua mbi mbetjet e nekropolit të lashtë të Nolës
e sidomos, sepse këtu ruhen reliket e Shën Feliksit, mbyllur në një arkë, në të cilën
më pas u vendosën edhe reliket e dy ipeshkvijve të tjerë. Ky vend u bë një ‘martyrium’,
me një hyrje, që shërben për kalimin e besimtarëve, të cilët duan të zbresin në varr.
Që nga ajo kohë besimtarë të panumërt vijojnë të vizitojnë arkën e relikeve e të vendosin
aty pomata, që konsiderohen të mrekullueshme e shërbejnë për shërimin e sëmundjeve
të ndryshme, pasi kanë prekur vendin ku ruhet trupi i Shenjtit. Kaq dimë për Shën
Feliksin e për ipeshkvin Shenjt Paolinin i cili, tepër i devoçëm i shenjtit, i kushtoi
14 këngë, që njihen si ‘Këngët e lindjes’, sepse të shkruara më 14 janar, ditë kur
Feliksi lindi për qiell. Tregimi poetik i Shën Paolinit është dokumenti i parë
historik për jetën e Shën Feliksit, dmth e para përmbledhje e traditës gojore, mbledhur
nga ipeshkvi në zonë. Sipas kësaj përmbledhje, Feliksi lindi në Nolë, në shekullin
III, në një familje të ardhur nga lindja. U persekutua, u burgos e u torturua. Më
pas u lirua mrekullisht nga një engjëll, që e çoi në një vend të shkretë (prandaj,
edhe pse nuk u martirizua, nderohet si martir). Falë paqes kostandiniane, Feliksi
u rikthye në dioqezë. Këtu, ndonëse u zgjodh pasardhës i ipeshkvit Maksim, nuk e pranoi
selinë ipeshkvnore e jetoi në varfëri të plotë, duke e fituar bukën e gojës me punën
e përditshme, deri në vdekje. Për nder të tij kremtohen dy festa me procesione madhështore:
e para më 5 janar e e dyta, më 14 janar, kur kremtohet edhe festa e tij liturgjike. Sot
pra është dita emrit e të gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë, që quhen Gëzim, sepse
këtë kuptim ka emri Feliks në gjuhën shqipe.