2011-01-14 17:24:51

Këshilli i Evropës kërkon respekt për të gjithë besimtarët. Masimo Introvinje, përfaqësues i OSBE-së për diskriminimet kundër të krishterëve


(14.01.2011 RV)Sekretari i Këshillit të Evropës, norvegjezi Thorbjorn Jagland u përgjigjet sulmeve kundër të krishterëve, duke kërkuar respektimin e lirisë fetare për të gjithë besimtarët, pavarësisht nga feja së cilës i takojnë, por njëkohësisht, tregohet i patundur në bindjen se institucionet evropiane nuk duhet të jenë shprehimisht të krishtera.
Duke folur për agjensinë italiane të lajmeve ANSA, Jagland shpreh shqetësimin e Këshillit të Evropës për masakrën e koptëve në Aleksandri të Egjiptit dhe për prirjen e përgjithshme të rritjes së ekstremizmit, të intolerancës dhe të urrejtjes për të tjerët, prirje, që shihet edhe në Evropë. “Nuk duhet të harrojmë – nënvizon ai – se përveç sulmeve kundër vendeve të kultit të të krishterëve në vendet jo evropiane, ka pasur edhe sulme kundër xhamive dhe sinagogave në Evropë”. Jagland u bën thirrje politikanëve të flasin në favor të tolerancës, të bashkëjetesës e të së drejtës, që ka çdo njeri për të praktikuar fenë e vet. Por nuk pranon kritikat, që u drejtohen institucioneve evropiane, të cilat mohojnë rrënjët e krishtera të kontinentit të vjetër. “Besoj se është thelbësore që feja, vendet e kultit e simbolet e saj të mbrohen – thekson sekretari i Këshillit të Evropës – por është e rëndësishme të sqarojmë se Këshilli i Evropës nuk është organizëm i krishterë e nuk është as Bashkimi Evropian. Në Evropë, krishterimi ka një vend të veçantë, e kjo duhet marrë parasysh, por pohimi se institucionet evropiane duhet të jenë të krishtera është kundër gjithçkaje, që kemi ndërtuar në Evropë, gjatë shekullit të fundit”.
Italiani Masimo Introvinje, sociolog i feve, drejtor i Qendrës së studimit për fetë e reja në Torino, është emëruar “përfaqësues i OSBE-së për luftën kundër racizmit, ksenofobisë dhe diskriminimit, me vëmendje të veçantë kundër diskriminimit të të krishterëve dhe anëtarëve të feve të tjera”. OSBE-ja e ka selinë në Vjenë e në të marrin pjesë 56 vende. Është organizata e dytë botërore për nga numri i anëtarëve, pas Kombeve të Bashkuara. Prof. Introvinjes i kërkuam të na sqarojë se si paraqitet gjendja e të krishterëve në vendet anëtare të OSBE-së:
OSBE-ja shtrihet – siç thuhet – nga Vankuveri në Vladivostok, prandaj përfshin vende në lindje e në perëndim të Vienës. Në lindje të Vienës ka shumë vende, që po shkojnë drejt demokracisë: në veçanti, bëjnë pjesë në OSBE të gjitha vendet, që dolën nga ndarja e Bashkimit Sovjetik e, që kanë filluar një bashkëpunim pozitiv me institucionet tona, për t’i përshtatur ligjet me sistemin pluralist dhe me lirinë fetare. Por nuk mund të mos vërejmë se në këtë zonë mbetet shumë për të bërë. Ndërsa, në perëndim të Vjenës, ekziston një formë e ndryshme diskriminimi, që natyrisht, askush nuk mendon ta vendosë në të njëjtin plan me terrorizmin e me vrasjet, që ndodhin në disa vende të Afrikës e të Azisë. Por, është ajo që vetë Papa Benedikti XVI e quan “formë e hollë diskriminimi”, që e mënjanon fenë nga jeta shoqërore dhe e “toleron”, për sa kohë ajo qëndron urtë e nuk shqetëson kënd.
Puna juaj do të bashkohet me atë të dy përfaqësuesve për luftën kundër antisemitizmit dhe islamofobisë. Kemi të bëjmë me një kauzë të vetme për lirinë fetare. Pse atëherë, një person për çdo fe?
Ka ekzistuar një paradoks, e në një farë mënyrë ekziston akoma në organizatat ndërkombëtare: ne e dimë nga statistikat – të cilat, ndër të tjera, përpilohen nga ekspertë jo katolikë – se në botën e diskriminimit e të persekutimit fetar tri episode çdo katër janë kundër të krishterëve. Këto diskriminime pra, janë më të shumta në numër, por për to flitet më pak. Prandaj, është e drejtë që të krishterët të kenë një përfaqësues të veçantë, pasi problemet janë të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.