2011-01-14 18:28:42

Kardinali Sarah, pas kthimit nga Haiti: edhe Kisha kontribuon në rilindjen e vendit.


Një vit pas tërmetit, që shkaktoi vdekjen e më se 250 mijë vetëve, popullsia e Haitit vijon të jetë para emergjencave, ndërmjet të cilave, vështirësitë për rindërtimin, epidemia e kolerës dhe mungesa e stabilitetit politik. Popullsive të këtij vendi të shumëvuajtur karaibik, kardinali Robert Sarah u çoi, këto ditë jo vetëm ngushëllimin, por edhe ndihmën konkrete të Papës Benedikti XVI. Gjatë vizitës së tij në Haiti, me rastin e kryevjetorit të tërmetit, kardinali takoi, ndërmjet tjerësh, ipeshkvijtë dhe drejtorët e Karitaseve e të organizatave të vullnetariatit. Të gjithëve, kryetari i Këshillit Papnor Cor Unum u shprehu afërsinë e Papës Benedikti XVI. Në prag të kthimit nga vendi karaibik, kardinali Sarah shprehet kështu, me telefon, nga Port –o-Prëns:

Përgjigje: - Ati i Shenjtë është vërtet shumë pranë popullit haitian. Vizita ime i preku në zemër njerëzit, sepse në të ndjenë pikërisht afërsinë e Atit të Shenjtë, kuptuan konkretisht sa shumë interesohet për rindërtimin e njeriut. Rindërtim që më duket më i vështirë se ai i gërmadhave. Jam vërtet i kënaqur, sepse gjatë kësaj vizite pata mundësinë të takohem me disa nga agjensitë, që punojnë për t’i ndihmuar Kishën dhe njerëzit. Shikoj solidaritet të madh e bashkim të madh, e jo vetëm në Kishën katolike. Shumë njerëz vijnë këtu për ta ndihmuar popullin e Haitit. Është një popull, që meriton pakëz më shumë organizim, meriton një qeveri më të fortë, por ç’të bësh! Kështu janë punët. Duhet të vijojmë t’i ndihmojmë këta njerëz e të lutemi për Haitin.

Pyetje: - Liturgjia solemne për shpirtin e të vdekurve, kremtuar të mërkurën e kaluar, ishte kulmi i vizitës suaj, apo jo?

Përgjigje: - E kremtuam kryevjetorin në mënyrë vërtet prekëse. Ishte një çast përshpirtërie, e edhe shprese. Pashë se Konferenca ipeshkvnore është plotësisht e vendosur të ndihmojë për rindërtimin e vendit e të Kishës. Tejet e dhimbshme të shikosh kryeqytetin Port-o-Prëns krejtësisht të rrënuar, katedralen, kishat, shkollat. Të gjitha gërmadhë. Gjë që të bën të vuash pa masë.

Pyetje: - Në mesazhin drejtuar haitianëve një vit pas tërmetit, Papa thekson: “Ka ardhur tashmë koha për të rindërtuar jo vetëm sktrukturat materiale, por edhe e sidomos, bashkëjetesën civile, shoqërore e fetare. Uroj që populli haitian të jetë protagonisti i parë i historisë së vet aktuale e i ardhmërisë së vet, duke u mbështetur edhe në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila tashmë ka dhënë shenja bujarie të jashtëzakonshme, përmes ndihmës ekonomike dhe vullnetarëve, ardhur nga të katër anët e botës...

Përgjigje: - Mendoj se Kisha mund të bëjë shumë. Është më e lehtë të rindërtosh kishat e shtëpitë e shkatërruara, sesa të rindërtosh bashkësitë, popullin e Haitit. Kjo më duket puna më e vështirë. Por Kisha, me afërsinë e Papës e me lutje, mund ta ngrejë përsëri në këmbë këtë popull, që nuk është vetëm i shkatërruar, por edhe i përçarë. Popull, që po jeton një çast të vështirë, pasi nuk dihet si do të përfundojnë votimet e mund të ketë edhe dhunë. Mendoj se Kisha duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm pajtimi, bashkimi, të punojë për t’i ‘ribërë’ popullin e vendin.







All the contents on this site are copyrighted ©.