2011-01-14 17:24:18

Benedikti XVI miraton Dekretin: Gjon Pali II do të lumnohet më 1 maj 2011.


(14.01.2011 RV)Gjon Pali II do të shpallet i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi do të mbahet në Vatikan e do të kryesohet nga Benedikti XVI. Data u zyrtarizua sot paradite, kur Papa nënshkroi Dekretin e Lumnimit, në të cilin figurojnë edhe emrat e kandidatëve të tjerë, që do të lartohen në nderimet e elterit. Ndërmjet tyre, profesor Gjuzepe Toniolo, themelues i “Javës shoqërore të katolikëve italianë” si dhe pesë rregulltare boshnjake, të mbytura nga urrejtja për fenë katolike.
Sigurisht ky lajm, i cili tashmë ka marrë dhenë, e vë edhe një herë në qendër të vëmendjes Papën Vojtila, që ndërroi jetë më 2 prill 2005 e arriti në cakun e lumnimit pas njohjes së një mrekullie, bërë me ndërmjetësimin e tij, pak ditë pas vdekjes. Është fjala për shërimin e një murgeshe franceze nga sëmundja e parkinsonit. Kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve flet, në mikrofonin tonë, pikërisht për mrekullinë si dhe për mënyrën e zhvillimit të çështjes së lumnimit:

Përgjigje: - E them menjëherë se çështja pati dy lehtësi. E para ka të bëjë me miratimin papnor për të mos pritur pesë vjet; e dyta, me përjashtimin e rastit nga lista e pritjes. Por, pavarësisht nga këto, të gjitha procedurat u kryen me seriozitet e kujdes të jashtëzakonshëm, pa asnjë lëshim. Çështja u trajtua njëlloj si të tjerat, duke ecur hap pas hapi, sipas ligjshmërisë së Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Madje, duhet të shtoj se pikërisht për ta nderuar më shumë kujtimin e këtij Pape të madh, Çështja u shqyrtua edhe më imtësisht, për të shmangur çdo dyshim e për të kapërcyer çdo vështirësi, që mund të delte më pas.
 
Pyetje: - Ç’mund të na thoni për mrekullinë?

 
Përgjigje: - Bëhet fjalë për shërimin e rregulltares franceze, Mari Simon Pierre, nga sëmundja e parkinsonit. Sëmundja e saj u diagnostikua në vitin 2001 nga mjeku kurues e edhe nga specialistë të tjerë. Motra nisi mjekimet, të cilat jo vetëm nuk e shëruan, por ia shtuan dhimbjet. Kur mori lajmin e vdekjes së Papës Vojtila, që vuante nga e njëjta sëmundje, Motër Maria e simotrat nisën t’i kërkonin Papës së vdekur ndërmjetësim për shërimin e saj. Më 2 qershor 2005, e lodhur dhe e këputur nga dhimbjet, rregulltarja i kërkoi Eprores së përgjithshme të largohej nga puna. Po eprorja e ftoi të mos e humbiste besimin në ndërmjetësimin e Gjon Palit II. Pas kësaj bisede, motra kaloi një natë çuditërisht të qetë. Kur u zgjua, ndjeu se ishte shëruar. Dhimbjet ishin zhdukur, e bashkë me to, edhe dridhjet e mpirja e artikulacioneve. Ishte data 3 qershor 2001, festa e Zemrës së Krishtit. Murgesha i ndërpreu menjëherë ilaçet e u nis tek mjeku, që e kuronte. Ai, i mrekulluar, pa se e sëmura ishte shëruar plotësisht.

Në listën e të lumëve të ardhshëm, për të cilët Benedikti XVI nënshkroi sot Dekretet, spikat figura, sipas kardinalit Amato, me vlerë të madhe kulturore, e Gjuzepe Toniolos, laik e babë familjeje, profesor i Ekonomisë politike në Universitetin e Pizës, i cili jetoi ndërmjet viteve 1845 e 1918, duke lënë pas kujtimin e njeriut, që luajti rol të dorës së parë në veprimtarinë e katolicizmit shoqëror të Italisë.
Thellësisht prekëse, pastaj, vijoi prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, vrasja brutale e pesë motrave të Institutit të Bijave të Dashurisë Hyjnore, që pësuan martirizimin thjesht për urrejtje kundër fesë së krishterë, falë së cilës ia kishin kushtuar gjithë jetën fëmijëve e të varfërve.
Në nderimet e elterit do të lartohet edhe Nënë Antonia Maria Verna, themeluese e Institutit të Zojës së Papërlyer të Ivresë, që jetoi ndërmjet viteve tetëqind e nëntëqind.
Vijnë, pastaj, edhe gjashtë të Lumë të tjerë, nga vende të ndryshme të botës, me moshë e veprimtari të ndryshme, në Kishë e në shoqëri. Janë të gjitha figura mahnitëse – përfundoi kardinali Amato – me famë shenjtërie në vendet ku lindën, punuan e vdiqën e shembuj tejet aktualë për dëshminë ungjillore.







All the contents on this site are copyrighted ©.