2011-01-14 17:24:33

Atë Lombardi: Papa Vojtila lidhet me Festën e Mëshirës Hyjnore. Varri do të transferohet në Bazilikën e Shën Pjetrit.


(14.01.2011 RV)Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në takimin me gazetarët, u ndalua posaçërisht tek data e lumnimit, duke shpjeguar pse u zgjodh pikërish 1 maji për ceremoninë e lumnimit të Gjon Palit II.
Gjon pali II do të shpallet i Lum më 1 majin e ardhshëm, të Dielën e Mëshirës Hyjnore. Atë Lombardi kujton rëndësinë e kësaj feste në Liturgji:
“Është dita që tashmë liturgjikisht përqendrohet tek temat e mëshirës, sepse lidhet me dukjen e Jezusit në Çenakull, me zemër të hapur, si dhe me themelimin e Sakramentit të Rrëfimit e të Pendesës. Është, pra, e diela në të cilën Liturgjia flet shumë për përdëllimin e Zotit, të manifestuar nga Krishti Jezus”.
E, duhet kujtuar, Papnia e Gjon Palit II është thellësisht e lidhur me temën e Mëshirës Hyjnore:
“Gjon Pali II është ai që e themeloi, që e shpalli këtë të dielë – të dielën pas Pashkëve – të Dielë të Mëshirës Hyjnore. Në këtë të dielë e kanonizoi edhe apostullen e madhe të Mëshirës Hyjnore, Motrën Faustina Kovalska”.
E pasi kujtoi shenjtërimin e Motër Faustinës, më 30 prill të vitit 2000, Atë Lombardi nënvizoi se tema Mëshirës Hyjnore është tejet e pranishme edhe në shumë fjalime e tekste të ndryshme të Papës Gjon Pali II. Në mënyrë të posaçme, në Enciklikën “Dives in Misericordia”:
“Kjo prani e temës së teologjisë së Mëshirës Hyjnore, e përshpirtërisë së Mëshirës Hyjnore, përshkon gjithë jetën e tij; prej këndej, edhe “Dives in Misericordia. E pastaj duhet kujtuar edhe shtegtimi i tij në Poloni, në vitin 2002, kushtimi e shugurimi i shenjtërores së Mëshirës Hyjnore, në Lagievniki, vend ku jetoi motër Faustina e ku shkoi edhe Papa. Me këtë rast Gjon Pali II ia besoi mbarë botën Mëshirës Hyjnore”.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit njoftoi edhe se trupi i Gjon Palit II do të mbartet nga Kripta e Vatikanit, në Bazilikën e Shën Pjetrit:
“Arkivoli i Atit të Shenjtë do të mbartet nga Kripta e Vatikanit, pa u hapur – në kapelën e Shën Sebastianit”.
Në përfundim atë Lombardi saktësoi se nuk është vendosur akoma data e kujtimit liturgjik, që do të bëhet e njohur pas lumnimit. Kjo ditë, në të cilën Kisha do të kremtojë kujtimin e të Lumit Gjon Palit II, do të vendoset nga Kongregata për Kultin Hyjnor.







All the contents on this site are copyrighted ©.