2011-01-13 16:40:46

Çelësi i fjalëve të Kishës: "rrethprerja"


(13.01.2011 RV)Të dashur dëgjues, nesër, më 14 janar, Kisha Katolike kujton rrethprerjen e Jezu Krishtit. Sot, do të shpjegojmë se cili është kuptimi i “rrethprerjes” për të krishterët, pavarësisht nga buzëqeshjet e nga pëshpëritjet, që mund të shkaktojë ky argument, në dukje i vështirë.

Gjesti i prerjes kirurgjikale të prepucit nga organi seksual mashkullor është një akt, që praktikohej nga shumë popullsi të lashta dhe ka ardhur deri më sot. Për shembull, në Shqipëri e kryejnë edhe sot e kësaj dite myslimanët. Në shumicën e rasteve, ky akt ka vlerë simbolike, kulturore e fetare. Tradita biblike, pavarësisht se njeh forma të tjera të rrethprerjes (për shembull, Ismailit ia bënë rrethprerjen 13 vjeç, mbi bazën e zakonit protoarab, ndërsa birit të Moisiut, mbi bazën e një riti të mistershëm, të kryesuar nga e ëma, përshkruar në Librin e Daljes 4,24-26), pra, tradita biblike i cakton këtij akti ditën e tetë pas lindjes, siç i pati thënë Zoti Abrahamit (Zan 17,12). Vërtet, kështu bën patriarku me të birin e vet, Isakun (Zan 21,4) e kështu bëhet edhe me Jezusin (Lk 2,21).
Ky lloj “operacioni” merr një domethënie të rëndësishme teologjike, që e bën gati “sakrament” për fenë hebraike: “Do ta rrethprisni lëkurën e gjymtyrës suaj, që të jetë shenjë besëlidhjeje ndërmjet meje dhe juve” (Zan 17,11). Në këtë dritë, është e qartë se rrethprerja është shenjë emblematike e përkatësisë në popullin hebraik që në fillim të jetës së tij dhe përbën element diskriminues për popujt e tjerë, që quhen me përbuzje “të parrethprerët”. Prandaj, është i ashpër dënimi për ata hebrenj, që në kohën helenistike, për të ndjekur modën pagane e për t’u bërë njëlloj me kombet e tjera, bënin madje një operacion plastik për t’i çuar gjërat ashtu siç ishin para rrethprerjes (1 Mak 1,15).
Por profetët, që u ndoqën edhe nga tradita e mëvonshme biblike, nuk hezituan të sqarojnë se riti në vetvete nuk ishte aq i rëndësishëm sa pranimi i ligjit, i besëlidhjes, i fesë. Për këtë arsye, Jeremia fton të “rrethpritet zemra” (4,4). Edhe në Librin e Ligjit të Përtërirë thuhet: “Rrethpritni zemrën tuaj” (10,16), ndërsa te Levitiku dënohet “zemra e parrethprerë” (26,41). Në këtë rrugë, do të ecë edhe krishterimi, i cili i jep pak rëndësi aktit të rrethprerjes në vetvete dhe vlerës së tij të jashtme. Por, në këtë pikë arrihet përmes një debati aq të ashpër, sa u desh “koncili” i Jeruzalemit, përshkruar në kapitullin 15 të Veprave të Apostujve.
Vërtet, të krishterët me origjinë hebraike ishin plotësisht të vendosur t’u impononin besimtarëve, që vinin nga paganizmi, rrethprerjen para pagëzimit: “Po nuk u rrethpretë sipas dokes së Moisiut, nuk mund të shëlboheni” (15,1). Ndërsa shën Pali, edhe më vonë, luftoi për ta konsideruar këtë akt të panevojshëm për pranimin në Kishë e për shëlbimin e shpirtit. Madje, me një lloj brutaliteti, arrin ta quajë rrethprerjen – në greqisht, “peritomè” – si një lloj “gjymtimi” – në greqisht, “katakomè”(Fil 3,2). Pikërisht ai vetë do të deklarojë, në Letrën e parë drejtuar Korintianëve: “Nuk është asgjë rrethprerja dhe nuk është asgjë parrethprerja – vlen vetëm zbatimi i urdhërimeve të Hyjit” (1 Kor 7,19).
Më këtë qëndrim, shën Pali ndiqte traditën e profetëve dhe vinte në dukje frymën e vërtetë të ritit, i cili deri atëherë, ishte thjesht shenja e jashtme e diçkaje më të madhe: e përkatësisë jetësore në besëlidhjen me Zotin dhe në impenjimet morale, që rrjedhin prej kësaj. “Judeu i vërtetë nuk është ai që shitet përjashta si i tillë, si edhe rrethprerja e vërtetë nuk është ajo, shenja e pashme në mish, por judeu i vërtetë është në brendinë, edhe rrethprerja e vërtetë është në zemër, simbas shpirtit e jo simbas germës së Ligjit”, shkruhet në Letrën drejtuar Romakëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.