2011-01-13 17:19:12

Mesha e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kard. Bertone për viktimat e Haitit


Prosperitet e paqe për popullin e Haitit, që është sprovuar rëndë nga tërmeti, por edhe ngushëllim e solidaritet konkret e qëndrueshmëri. Për këtë u lut dhe kërkoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone dje pasdite në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe gjatë kremtimit të Meshës në shpirt të mase 200 mijë viktimave të tërmetit të para një viti. Kujtojmë se ndër viktima qenë shumë fëmijë si dhe rregulltarë e motra rregulltare të cilët kardinali Bertone i kujtoi e ndër ta përmendi posaçërisht kryeipeshkvin Jozef Serge Miot. Mes tjerash, Sekretari i Shtetit të Vatikanit përkujtoi edhe thirrjen e re të Papës drejtuar bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë në mënyrë më solidare e vëllazërore për një rimëkëmbje të “popullsisë së dashur haitiane”.
Fjala e Zotit jehon si ngushëllim i madh e burim feje e guximi, në sa në zemra të çdonjërit prej nesh i kemi të pranishme kujtimet e dhimbshme të tragjedisë që ndodhi para një viti. Para bashkësisë së shumënumërt haitiane në Romë, përfaqësive diplomatike e fetare e besimtarëve të shumtë që dje e mbushën përplot Bazilikën romake, kardinali Bertone deshi të kujtonte se Jezu Krishti është ngushëllimi i madh i gjinisë njerëzore, sepse është vënë në sprovë e ka vuajtur personalisht. “Biri i Zotit – tha kardinali – ka marrë për vete natyrën njerëzore të mundshme, pikërisht për të mundur të vdes në të e kështu ta asgjësoi armikun që i mbante bijtë e Zotit nën pushtetin e tiranisë së vet”:
“Vdekja, tani, edhe pse e ruan aspektin e vet të dhimbshëm, më nuk ka pushtet mbi ne pasi që Krishti me vdekjen dhe ngjalljen e tij e ka fituar ndaj mëkatit dhe vdekjes ia ka hequr ‘thimthin’ e vet dhe ‘viktimën’ apo ‘prenë’ e vet”.
Kjo përvojë personale e dhimbjes dhe e dobësisë, e ka “përsosur” Krishtin, vijoi kardinali, duke bërë Atë një gurrë të pashtershme të jetës e të përdëllimit, si dhe një interpretues besnik të Zotit në nevojat e popullit. E si ai edhe Virgjëra, Nëna e tij. Pastaj duke vështruar kohën e sotme. “Sot para portës së Kishës kemi një mori vëllezërish haitianë, që mblidhen në kërkim të Krishtit”, pohoi kardinali Bertone: kanë nevojë të ngushëllohen e të mbështetën për ecur drejt një përtëritje të plotë e Krishti i Kryqëzuar e i Ngjallur me siguri nuk i braktisë:
“Nuk është i shurdhër ndaj britmës së dëshpëruar të kaq shumë familjeve që kanë humbur gjithçka: shtëpi, kursime, punë e shpesh edhe jetën njerëzore. Përgjigjja konkrete dhe e dukshme kalon përmes solidaritetit të të gjithë bijve të Kishës; solidaritet që nuk mund të kufizohet vetëm me emergjencën fillestare, por duhet të bëhet një projekt konkret e i qëndrueshëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.