2011-01-13 18:04:52

Liban: Rrëzohet qeveria e Haririt. Ban Ki Mun bën thirrje të ruhet gjakftohtësia.


(13.01.2011 RV)“Ruani gjakftohtësinë dhe dialogu të vazhdojë në të gjithë Libanin.” Kjo është thirrja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun drejtuar politikanëve libanezë pas dorëheqjes së dhjetë ministrave hezbollah dhe një ministri tjetër të pavarur nga qeveria e vendit. Ndonëse qeveria u rrëzua kryeministri Saad Hariri pas këshillimeve me presidentin e republikës Mishel Sulejman, vazhdon të mbajë postin sa për të përfunduar çështjet e mbetura pezull. Lëvizja Hezbollah kishte kohë që i kërkonte qeverisë të ndërpriste çdo bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës që po heton mbi vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Hariri, babai i kryeministrit të tashëm. Rrëzimi i qeverisë ndodhi pikërisht tani kur nuk duhen veçse pak javë që Gjykata e Hagës të shprehet publikisht mbi vrasjen e Rafik Haririt. Po pse hetimet e Gjykatës Ndërkombëtare ngjallin kaq pakënaqësi tek hezbollahët?
Në mikrofonin tonë flet ipeshkvi maronit i Bibliosit imzot Beshara Rai:

"Nuk bëhet fjalë këtu për një vendim gjykate por vetëm për një akt akuze që pastaj të nisin hetimet e vetë Gjykatës. Kështu që nuk ka asnjë justifikim për këtë krizë qeveritare dhe nuk ka asnjë qëllim që veprimtaria e Gjykatës së Hagës të lidhet me çështjet e brendëshme libaneze. Hezbollahët thonë: “Ne nuk e njohim legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për dy arsye, e para pse është një gjykatë e politizuar dhe e dyta ka dëshmitarë të rremë.” Por ama askush nuk tregon se cilët janë këta dëshmitarë të rremë. Qëllimi kryesor këtu është eliminimi i Gjykatës Ndërkombëtare, por këtë nuk mund ta bëjë askush".







All the contents on this site are copyrighted ©.