Videopergjimi: Meta mohon kategorikisht, Prifti konfirmon video është origjinale
RANE-Zv kryeministri e cilësoi videpërgjimin e publikuar dje në media të “montuar,
të pështirë,të neveritshëm.. dhe shantazh për tu ulur në pazare politike me Edi Ramën”.
Në një konferencë për shtyp, sot paradite, nga ministria e Energjetikës, Meta mohoi
në mënyrë kategorike çdo aludim në adresë të tij dhe nuk pranoi të interpretonte bisedën
në video duke shtuar se është "një montazh". Ai deklaroi se i ka dërguar një letër
kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli ku zyrtarisht e informon “lënien menjëhershme
e përgjithmonë të imunitetit si shprehje e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin
dhe forcimin e shtetit ligjor”. Reagimi vjen pas videopërgjimit ku transmetohet
një bisedë e përgjuar mes zëvendëskryeministrit Meta dhe ish-ministrit të ekonomisë
Dritan Prifti, ku flitet për afera të dyshimta, për shifra dhe tendera në shuma të
mëdha. Videoja u prezantua mbrëmë në emisionin investigativ "Fiks Fare". META
LE IMUNITETIN Deputeti i LSI-së tha se deklarimi zyrtar për lënien e imunitetit
i ishte nisur sot zonjës Topalli dhe nënkuptonte, sipas tij se nëse prokuroria do
të niste hetimet për këto akuza ishte e lirë dhe se Kryetarja e Kuvendit nuk kishte
pse të thirrte Parlamentin. "Unë e kam të hequr imunitetin sot e përgjithmonë, edhe
për 20- 30 vitet e ardhshme si parlamentar "- nënvizoi Meta duke kujtuar se LSI ka
kërkuar gjithmonë ndryshimet në Kushtetutë sa i përket cështjes së imunitetit, ndërsa
opozita nuk e ka pasur këtë vullnet. TE PRIFTI NDERHYRA SI KRYETAR I LSI Meta shpjegoi dhe bisedën e mbajtur më 1 mars 2010 në zyrën e ish- ministrit të
Energjetikës, për ndërhyrjen e tij për interes të kompanisë lidhur me një tender
për dhënien me koncension të Hidrocentralit "Egnatia Shushica" në lumin e Shushicës.
Ai tha se tenderi ishte hapur në këtë ministri që në 30 prill 2008, se procedura kishte
qenë e bllokuar për dy vjet nga ministria e Energjetikës pasi kishte skualifikuar
një nga këto shoqëri për arsye të konfliktit të interesit. “Përfaqësuesi i kësaj
kompanie i cili përmendet në këtë përgjim, dhe ledhatohet me emrin Gimi në mënyrë
zyrtare pasi ka konsumuar pretendimet në emër të kompanisë në këtë ministri. Pasi
ka vërejtur zvarritje dhe mosprotokollim të vendimit të formës së prerë të Apelit,
e cila kërkonte që kompani të merrte pjesë në garë, duke hasur vështirësi në këtë
ministri është drejtuar ke unë si zv/ kryeministër por edhe si kreu i LSI, për shkak
se ministri i asaj kohe ishte përfaqësues i LSI-se, me vendimin e formës së prerë
të gjykatës së Apelit që kërkonte që kjo kompani të vlerësohej duke ngritur pretendimin
se këto zvarritje ishin të padrejta dhe në dëm të kësaj kompanie. Unë thjesht këtë
shqetësim dhe problem ia kam kaluar ish- ministrit, duke kërkuar të respektojë vendimin
e Gjykatës së Apelit“ – sqaroi Meta. Për të hedhur poshtë në mënyrë kategorike
cdo aludim, Meta bëri të ditur më tej se kompania në fjalë nuk kishte fituar as kur
ai vetë ishte ulur në krye të Ministrisë së Energjetikës në shtator 2010. Ai u tregoi
gazetarëve një vendim të datës 25 tetor 2010 ku komisioni i vlerësimit të ofertave
ka vendosur skualifikimin e shoqërisë për shkak të kritereve ekonomike. Gjithashtu
kjo kompani kishte vazhduar procesin gjyqësor kundër METE-se. S'KAM DIJENI
PER 700, QE FLITET NE VIDEO I pyetur për shifrën prej 700 e cila në videopërgjim
nënkupton pagesën për koncesionin e hidrocentralit, Meta tha: "Unë nuk di se cfarë
është ajo 700, sepse unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për interpretimin që i bëhet
buzëve të mia, dhe as për përkthimin nga shqipja në shqip. Për gjithcka që pretendohet
nga organizatorët, retusherët e kësaj kasete të pështirë, kam kërkuar dhe do kërkoj
gjithmonë që të hetohet nga prokuroria." Ndërsa duke lexuar një mesazh, që sipas
Metës i kishte ardhur sot në mëngjes në celularin e tij, nga personi të cilit i përmendet
emri në video, Agim Cupi, shifra 700 “ishte dëmi që i është shkaktuar kompanisë nga
zvarritja e moszbatimit të vendimit të gjykatës është 700 mijë euro” Meta tha se ishte
i hapur për të qenë transparent me prokurorinë dhe me cdo organ të zbatimit të ligjit,
por nuk do bënte asnjë sqarim sa i “i përket intepremtimit të buzëve të mia apo buzëve
të çimkës.” PUNESIMI I MILITANTIT LSI Meta e quajti të drejtë dhe asgjë
të paligjshme ndërhyrjen e tij për të punësuar njerëz apo elementë të caktuar të LSI-së.
Në bisedën e videopërgjuar, Meta i kërkon Priftit të punësojë Tur Hajdarin si inspektor
në Lushje. “Është detyra ime të ndihmojë sa më shumë aktivistë të punësohen. Këtu
nuk ka asnjë gjë të paligjshme ... të pandershme. Jam përpjekur të ndihmoj cdo qytetar...
i cili mendon se ka të drejtë dhe e drejta e tij nuk shkel asnjë ligj” META:
PERGJIMI, SULM POLITIK I RAMES Meta e quajti përgjimin një “bllof të montuar,
e i shëmtuar politik e moral” dhe shantazh i Ramës pasi ka refuzuar bashkëpunimin
me të “Është shantazh për të më ulur mua në një pazar politik në një kompromis
politik me Edi Ramën, dhe me krimin e organizuar që drejton Edi Rama, të cilin unë
jam kam bërë të qartë dhe në fjalën time të fundit në Kuvend.”- tha Meta. Sipas
tij “Përgjimi është bërë në kushtet kur personi ka menduar për të bërë një shantazh,
jo për të luftuar korrupsionin por për të mbrojtur aferat korruptive". Ministri
i Energjetikës u shpreh i gatshëm të bashkëpunonte me prokurorinë "me fakte, dokumente
dhe vullnet të kristaltë". "Sulme politike, lojra politike kam pasur dhe do të
kem dhe për 20 40 vitet e arshme por unë jam këtu për të qëndruar me transparencë
dhe integritet këtyre politike sulmeve”- deklaroi Meta. DOREHEQJA IME? KUR TE
ME MBAROJE MANDATI Meta hodhi poshtë cdo aludim për dorëheqjen e tij, dhe
duke qeshur tha: “Unë do ta jap dorëheqjen e kam premtuar, por me 28 qershor të 2013.
Sepse nuk mund të qëndroj në këto funksione përtej mandatit legjitim të kësaj legjislature.
Kështu që të gjithë duhet të kenë durim deri atëherë. VIDEOJA Një aferë
korruptive ndërmjet zv kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan
Prifti, është bërë publik dje nëpërmjet një videoje. Biseda është zhvilluar më datën
1 mars të vitit 2010 në zyrën e ministrit të Ekonomisë së asaj kohe, Prifti, ndërsa
Meta në atë kohë mbante postin e zv/kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm. Videoja
është publikuar mbrëmë nga emisioni investigativ “Fiks Fare”. Takimi është zhvilluar
në ora 13:27 në zyrën e Priftit. Në këtë bisedë jo shumë miqësore dhe të tensionuar,
e cila ka zgjatur për shtatë minuta, Meta i kërkon llogari për faktin se pse nuk i
kishte kryer porositë e lëna. Ndërsa biseda zhvillohet për dhënien e një licence të
një hidrocentrali. Në këtë përmendet dhe emri i personit që ka kërkuar hidrocentralin,
Gimi. Këtu bëhet fjalë për pronarin e firmës “Egnatia”, Agim Çupi, personazhe te tjerë
që përmenden në bisedë janë dhe emri i Shpresa Becajt, kryetare e Gjykatës së Lartë
dhe emri i "Doktorit", përflitet kryeministri Berisha. Ish-ministri i Ekonomisë,
Dritan Prifti me anë të një deklarate për shtyp ka konfirmuar si dëshmitar videon
e transmetuar mbrëmë në emisionin “Fiks Fare”. Sipas Priftit, gjithcka e regjistruar
në atë video është origjinale, ndërsa prej saj janë hequr vetëm pjesët e panevojshme.
“Për publikun dua të konfirmoj si dëshmitar i ngjarjes se video e shfaqur në Fiks
Fare është e saktë dhe përmban thënie origjinale të Ilir Metës në bisedën me mua.
Video është shkurtuar nga versioni original, duke u hequr pjesë të panevojshme, por
të gjitha ato që janë transmetuar janë të vërteta”, shpreht Prifti. Ish-ministri
i Ekonomisë, deklaron se ka edhe versionin origjinal të saj, por sipas tij atë do
ta vëjë në dispozicion të prokurorisë, ndërsa theksoi se do ta shpërndajë pranë të
gjitha ambasadave të huaja. “Unë kam versionin origjinal të videos dhe do t’ja
vë në dispozicion Prokurorisë. Do t’ja vë atë së shpejti në disposicion të gjitha
ambasadave të huaja në vend, institucioneve ndërkombëtare që na monitorojnë dhe merren
me zbatimin e ligjit, OSBE, BE, KiE, KE, etj. Origjinalitetin dhe vërtetësinë e asaj
bisede do kenë mundësi ta vërtetojnë të gjithë. Sipas Priftit, e vetmja gjë e
kristaltë është videoja dhe jo Ilir Meta e deklaratat e tij. “Ilir Meta pretendon
se i janë lexuar buzët në këtë video. Urdhëri për anullimin e tenderit në Albpetrol,
në mënyrë që tenderin tjetër ta fitonte miku i tij Bekim Halilaj është i qartë si
kristali me figurë dhe me zë. E kristaltë është video dhe jo Ilir Meta”,- bëri me
dije Prifti. Prifti deklaron më tej se “kam akoma pak shpresë se Sali Berisha
do reagojë me përgjegjësi politike dhe atdhetare pas publikimit të këtij skandali.
Sa i kristaltë është Ilir Meta këtë ai e di shumë mirë, sic e di dhe unë shumë mirë.
Berisha duhet të zgjedhë mes vazhdimit të qeverisjes me Ilir Metën, të zhytur në llumin
e korrupsionit, apo të shkarkoj atë dhe të kërkojë në Parlament një mbështetje të
re”,- theksoi më tej Prifti. (BalkanWeb)