2011-01-12 12:36:41

Sagrada Familia, stema e dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin e Ri


Tempulli i Sagrada Families në Barcelonë, projektuar nga arkitekti i famshëm Antonio Gaudi e vizituar nga Benedikti XVI më 7 nëntorin e kaluar, do të bëhet stema e dikasterit të ri të Vatikanit për Ungjillëzimin e Ri. Lajmi jepet në gazetën “L’Osservatore Romano” nga presidenti i Këshillit Papnor, të themeluar në tetorin e vitit 2010 nga Papa, imzot Rino Fizikela. Në të përditshmen e Vatikanit, imzot Fizikela sqaron edhe arsyet e këtij vendimi.
Sagrada Familja, shpjegon ai, “ngrihet në zemrën e qytetit të shekullarizuar e përfaqëson një mesazh shumë konkret: është ftesë për të përdorur një gjuhë të re, për të mbushur hapësirën e jashtëzakonshme që do të linte Kisha në mes të qytetit, sikur të mos ekzistonte”. Ky tempull i Barcelonës është një katedrale moderne, por ka edhe karakteristikat thelbësore, të cilat gjejnë vend në artin kishtar që prej 2000 vjetësh.
Etapa e parë e punës së dikasterit është njohja me ç’po bëhet në botë për ungjillëzimin e ri, sidomos në dioqezat e Amerikës Veriore. Detyra jonë, sqaron ish-rektori i Universitetit Lateranens, është impenjimi kapilar, që shkon nga famullitë tek realitetet e ndryshme brenda Kishës, për të dëshmuar fenë e krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.