2011-01-12 14:00:56

Romë: Mbrëmësore lutjeje për të kujtuar të krishterët e persekutuar kudo në botë.


(12.01.2011 RV)Nesër, më 13 janar, në orën 19.00, në bazilikën romake të Zemrës së Krishtit, në rrugën Marsala, do të kremtohet një mbrëmësore lutjesh, për të kujtuar viktimat e atentateve të kohëve të fundit kundër bashkësive të krishtera në Irak, Egjipt, Nigeri e në të gjitha vendet e botës, ku të krishterët jetojnë nën kërcënimin e përditshëm të persekutimit, të dhunës e të vdekjes.
Mbrëmësorja organizohet nga Veprimi Katolik, një mori shoqatash katolike të ndryshme dhe nga Zyra Migrantes e dioqezës së Romës.
Realitete të ndryshme të botës katolike i përgjigjen, kështu, ftesës së Atit të Shenjtë, Benediktit XVI, për të kujtuar të gjithë burrat, gratë e fëmijët, viktima të atentateve kundër të krishterëve në mbarë botën e për të kërkuar t’i jepet fund sulmeve, gjakderdhjes, përndjekjeve, dhunës.
Është takim ndihme e solidariteti, me dyer të hapura për të gjithë njerëzit vullnetmirë, që dëshirojnë t’i mbështesin bashkësitë e krishtera të persektuara kudo në botë e të kërkojnë me forcë që çdo njeriu t’i njihet e drejta e lirisë fetare, me vetëdijen se “Liria fetare, është rrugë për paqen”(Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën e 44-t të Paqes, 1 janar 2011).
Mbrëmësoren e lutjes do ta kryesojë imzot Guerino Di Tora, ipeshkëv ndihmës i dioqezës së Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.