2011-01-12 17:26:54

Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar Shën Katerinës së Gjenovës: Purgatori nuk është vend, por zjarr i shpirtit.


(12.01.2011 RV)Shën Katerina e Gjenovës, laike, që jetoi ndërmjet gjysmës së shekullit të 15-të e dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të 16-të, ishte sot paradite në qendër të audiencës së përgjithshme të Papës Benedikti XVI, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Papa u ndal posaçërisht tek përshkrimi që i bën Shenjtorja Purgatorit, shikuar si gjendje e brendshme e shpirtit, që ngjitet gradualisht (drejt) kah pastërtia hyjnore e zanafillës.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI ripohoi se epoka aktuale u kujton me forcë të krishterëve urgjencën për ta kumtuar Ungjillin “me jetën e tyre”.

 
Nuk është vend mundimesh, diku në thellësi të tokës, por zjarr i brendshëm, që e pastron shpirtin. Kështu e përshkruante, pesëqind vjet më parë, Purgatorin, një grua gjenoveze, që asokohe drejtonte spitalin më të madh të qytetit. Në përshkrimin e saj nuk ndeshim kurrnjë nga skenat apokaliptike, të zakonshme për mendësinë e epokës, por vetëm figurën e thjeshtë e moderne të një flake që, duke e djegur mëkatin, e ripërtërin shpirtin e njeriut, i dhuron pastërtinë e shkëlqimin e dikurshëm, të humbur. Nëntëmijë besimtarëve, mbledhur në Sallën e Palit VI në Vatikan, Benedikti XVI u ripropozoi vegimin, për të cilin Shenjtorja kaloi në histori, duke e inkuadruar në jetën e saj, si bashkëshorte, si grua e shquar në shoqëri e si mëkatare, e tunduar për dhjetë vjet me radhë nga joshja e botës, që sjell veç ‘zbraztësi” e ‘hidhërim’, për të arritur, më në fund, tek takimi vendimtar me Jezusin, më 20 mars të vitit 1473, gjatë një rrëfimi, të ndërprerë papritur e pa kujtuar:
“Në sa gjunjëzohej para meshtarit, ‘iu hap’ – siç e përshkruan ajo vetë – një plagë në zemrën, përplot me dashuri për Zotin, shoqëruar nga një vegim tejet i qartë i mjerimeve e mangësive të veta e, njëkohësisht, edhe i mirësisë së Zotit, sa gati-gati i ra të fikët. U prek në zemër nga kjo njohje e vetvetes, e jetës së saj të zbrazët dhe e mirësisë së Zotit. Duke u nisur nga kjo përvojë, mori vendimin, që ia orientoi gjithë jetën, të cilin e shprehu me fjalët: “Kurrë më joshje bote. Kurrë më mëkate”.
Prej këndej, për Katerinën nisi jeta e pastrimit, shoqëruar me vuajtje të përhershme, shkaktuar nga barra e mëkatit, nga takimi i thellë me Jezusin në lutje e nga perceptimi deri në dhimbje, i mirësisë së Zotit. Në këtë përvojë bashkimi mistik – siç tregohet më pas në një libër të rrëfyesit të saj, Shenjtorja e ardhshme percepton Purgatorin. Vegim i mirëfilltë - shpjegoi Papa - që megjithatë nuk mund të konsiderohet si zbulesë e mirëfilltë:
Teksti i parë origjinal flet për vendin e pastrimit të shpirtrave. Në kohën e saj përshkruhej kryesisht me figura, që lidheshin me hapësirën: mendohej se ekziston një farë hapësire, ku duhet të ndodhej Purgatori. Ndërsa Katerina nuk e paraqet Purgatorin si element i kalimit nga jeta, në thellësitë e tokës: për të, zjarri nuk është i jashtëm, por i brendshëm. Ky është Purgatori: përvëlim i shpirtit”.
Përmes kësaj figure e mendimeve, me të cilat e shoqëron Katerina – vijoi Benedikti XVI – vihen ballë për ballë dhimbja e thellë, që pësohet për shkak të mëkateve vetjake dhe dashuria e pafundme e Hyjit, që të fal. Edhe kjo ndikon fuqimisht mbi përfytyrimin që ka Shenjtorja gjenoveze për Purgatorin:
“Nuk niset nga jeta e përtejme, për të treguar mundimet e Purgatorit, siç ishte zakon në atë kohë e, ndoshta, edhe sot – që të tregojë, pastaj, rrugën, në të cilën duhet ecur për t’u pastruar ose për t’u kthyer tek Zoti, por Shenjtorja jonë niset nga përvoja shpirtërore e jetës së saj, për udhë drejt amshimit (...) Shpirti është i vetëdijshëm për dashurinë e pafundme dhe për drejtësinë e përkryer të Zotit e, si pasojë, vuan, sepse nuk arrin t’i përgjigjet në mënyrë të drejtë e të përkryer kësaj dashurie; e pikërisht vetë dashuria e Zotit bëhet flakë, vetë dashuria është ajo, që e pastron njeriun nga zgjyra e mëkatit”.
Përshpirtëria e Katerinës nga Gjenova - vërejti Papa - ushqehet nga burimet teologjike, ashtu si ndodh shpesh me shenjtorët, që krijojnë lidhje të thella me jetën e mbinatyrshme, pikërisht përmes leximeve të librave të shenjtë. E kjo e nxiti Benediktin XVI të pohojë se:
“Shenjtorët, në përvojën e tyre të bashkimit me Zotin, arrijnë tek një njohje e thellë e mistereve hyjnore, në të cilën dashuria e njohja depërtojnë tek njera-tjetra aq, sa t’i ndihmojnë edhe vetë teologët në studimet tyre, me kuptimin e fesë, kuptimin e mistereve të fesë, me hyrjen në thellësinë e mistereve, siç është rasti i Shenjtores, që na shpjegon ç’është Purgatori”.
Rreth kësaj gruaje, që është gjithnjë e gatshme për të kryer detyra plot përgjegjësi në spital, me kalimin e viteve, mblidhen ndjekës plot entuziazëm. Zoti e spitali - pohoi Papa – bëhen dy polet, që e mbushin përplot jetën e saj. Një jetë e vërtetë, ajo e Katerinës, e cila nuk shikon ëndrra me sy hapur:
“Të dashur miq, nuk duhet harruar kurrë se sa më shumë ta duam e ta lusim Zotin, aq më shumë do ta duam edhe gjithçka na rrethon, gjithçka kemi pranë, sepse do të jemi në gjendje të shikojmë në çdo njeri, fytyrën e Zotit, që i do të gjithë, pa kufi e pa dallime. Mistika nuk të largon nga tjetri, nuk krijon jetë abstrakte, por të afron me tjetrin, sepse kështu njeriu nis të shikojë me sytë e Zotit e të veprojë me zemrën e Tij”.
E Papa e përfundoi audiencën, pikërisht duke u nisur nga kujdesi vetmohues i Shenjtes gjenoveze për të sëmurët:
“Shërbimi i përvuajtur, besnik e bujar i Shenjtores në spitalin Pammatone gjatë gjithë jetës së saj, është shembull i ndritshëm i dashurisë për të gjithë e inkurajim për gratë, që japin një ndihmesë vendimtare në jetën e Kishës e të shoqërisë, përmes veprimtarisë së tyre krejt të posaçme, që pasurohet më tej me vëmendjen ndaj njerëzve më të ligësht, më të varfër, më nevojtarë”.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI, sipas traditës, pas përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, kujtoi posaçërisht të sëmurët, të rinjtë e të posamartuarit, duke theksuar se ngjarjet e epokës sonë u kujtojnë me forcë të krishterëve urgjencën për kumtimin e Ungjillit “me jetën e tyre”. Prej këndej, ftesa e Atit të Shenjtë drejtuar të krishterëve, për të qenë...:
“... përhapës të shpresës e të gëzimit (...) për të mirën e Kishës e të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.