Më 12 janar kalendari kishtar përkujton Shën Arkadin, martir
(12.01.2011 RV) Sipas përshkrimit të martirizimit të tij, Arkadi mbylli sytë në Akajë,
por të gjitha dëshmitë tjera, që përkojnë plotësisht me njëra-tjetrën, vërtetojnë
se duhet të jetë martirizuar në Çezaré të Mauritanisë, në Afrikë. Në se mund të arrihet
në një përfundim të saktë për vendin ku u martirizua, nuk është aq e lehtë të përcaktojmë
edhe kohën kur e dëshmoi me gjak fenë në Krishtin. Mendohet të ketë vdekur rreth vitit
304, gjatë persekutimit të fundit pagan. Tërbimi i persekutuesve ishte ndezur
aq, sa mjaftonte vetëm një dyshim për të përligjur vrasjet masive të të dyshuarve.
Procesionet dhe flijimet e përditshme idhujtare, shoqëroheshin me martirizimin e të
krishterëve, prandaj Arkadi, njeri tepër i njohur, i neveritur nga krimet barbare
që kryheshin para syve të tij, iku në Çezare. Por mungesa e tij ra shpejt në sy. Atëherë
ushtarët arrestuan një nga pjesëtarët e familjes, duke e përdorur si peng, për ta
detyruar të kthehej. Arkadi u kthye menjëherë. U paraqit para gjykatësit, i cili
e ftoi të flijonte për nder të idhujve. Po ai nuk pranoi. Atëherë u dënua me vdekje
të ngadalshme, të shkaktuar nga torturat më të tmerrshme që njiheshin në atë kohë.
Sipas martiriologëve latinë, festa e Shën Arkadit kremtohet më 12 janar, ndërsa në
martiriologët lindorë emri i tij nuk përmendet. Dokumenti më i çmuar i kultit
të Shën Arkadit është predikimi që i kushton Shën Xenoni, ipeshkëv i Veronës, i cili
ka mundësi të ketë qenë me origjinë afrikane. Duket qartë se Shën Xenoni pati një
devocion të madh për Arkadin e besohet se ishte ai vetë që i solli Aktet e martirizimit
të Shenjtit në Veronë, gjë që kujtohet që në fillim të panegjirikut të ipeshkvit kushtuar
Shenjtit.