2011-01-12 18:10:18

Haiti. Mesazhi i Papës, një vit pas tërmetit: të rindërtohen strukturat materiale dhe bashkëjetesa civile.


(12.01.2011 RV)E sotmja për Haitin ishte ditë kujtimi. Një vit pas tërmetit të tmerrshëm të 12 janarit 2010, që rrënoi një pjesë të mirë të vendit, duke shkaktuar edhe vdekjen e 250 mijë vetëve, kardinali Robert Sarah kremtoi një liturgji solemne në Sheshin para Katedrales së shkatërruar nga lëkundjet e dheut në Port-o-Prëns.
Ditë kujtimi për Haitin, ku gjendja mbetet dramatike: më se një milion njerëz vijojnë të jetojnë në çadra, ndërsa epidemia e kolerës ka shkaktuar tashmë 3. 800 të vdekur, që nga tetori i kaluar. Rindërtimi duket ende i largët. Dhuna, tejet pranë. Në këtë atmosferë kremtoi sot kardinali Sarah, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum dhe i dërguar i Papës, i cili u përcolli besimtarëve dhe gjithë popullit të shumëvuajtur haitian, inkurajimin dhe dashurinë e Benediktit XVI.
Me rastin e kryevjetorit të tërmetit të tmerrshëm, që dëmtoi rëndë vendin tuaj, shkruan Ati i Shenjtë në Mesazhin, që u lexua gjatë kremtimit, jam sot pranë jush, të dashur haitianë, për t’ju siguruar se lutem për ju e, posaçërisht, për ata që humbën jetën.
Dëshiroj gjithashtu t’ju flas një fjalë shprese, në rrethanat e jetës suaj të sotme, tejet të vështira. Ka ardhur tashmë koha për të rindërtuar jo vetëm sktrukturat materiale – thekson Benedikti XVI - por edhe e sidomos, bashkëjetesën civile, shoqërore e fetare. Uroj që populli haitian të jetë protagonisti i parë i historisë së vet aktuale e i ardhmërisë së vet, duke u mbështetur edhe në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila tashmë ka dhënë shenja bujarie të jashtëzakonshme, përmes ndihmës ekonomike dhe vullnetarëve, ardhur nga të katër anët e botës.
Jam i pranishëm mes jush, përmes Hirësisë së Tij, kardinalit Robert Sarah, Kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum – vijon Mesazhi papnor. Ai ju sjell, me praninë e me zërin e tij, inkurajimin e dashurinë time.
Në përfundim të Mesazhit, Ati i Shenjtë i lutet Zojës së Ndihmës së Përhershme, Pajtore e Haitit, të ndërmjetësojë pranë Zotit, i sigurt se Ai , nga lartësitë qiellore, nuk do të qëndrojë indiferent përballë lutjeve të haitianëve.
E pikërisht sot Papa emëroi ipeshkvin e ri të Port-o-Prëns. Është imzot Guire Poulard. deri tani ipeshkëv i Les Cayes, si dhe ndihmësin e tij, imzot Erick Toussaint, deri tani famullitar i Katedrales dhe drejtor i Karitasit të kryeqytetit, që të dy të impenjuar gjatë gjithë kësaj kohe kritike, në ndihmë të të varfërve më të varfër.
Dje kardinali Sarah e kremtoi Meshën në kampin e të shërngulurve të Park Akra-s. Misioni i tij, gjatë të cilit çoi edhe një ndihmë konkrete të Papës për rindërtimin e shkollave e të Kishave, përfundon nesër, kur do të takohet me rregulltaret e Marisë “Paridaens”, të cilat gjatë tërmetit humbën 15 simotra.
Por, mbi situatën në vend, të dëgjojmë imzot Louis Kébreau, kryeipeshkëv i Cap-Haitien e kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Haitit, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Një vit pas tërmetit – e them me trishtim të thellë – njerëzit vijojnë të banojnë në çadra. Pas një mori takimesh në Paris, në Monreal, në Santo Domingo – ku u premtuan miliarda dollarë, ne këtu deri më sot nuk kemi parë asnjë kacidhe: e njerëzit kanë arritur, kështu, në kufijtë më të skajshëm të durimit. S’kanë pikë faji; sikur të mos mjaftonte tërmeti, u sulmuan edhe nga cikloni Tomas: e tani arrin edhe kriza elektorale e, me të, edhe një zemërim i papërmbajtur. Prej këndej, britmat në rrugë: “Mjaft më! Jemi të lodhur”. Në udhët tona endet veç dhuna e, ndonëse në këtë çast jemi pakëz më të qetë, njerëzit janë gjithnjë me veshë ngrehur. Plot me frikë për ndonjë të keqe të re.

Pyetje: - E megjithatë, solidariteti nuk ka munguar e as nuk mungon...

Përgjigje: - Besoj se duhet t’u biem fort këmbanave, në mënyrë që gjithë bota të sensibilizohet për situatën e Haitit e të mos e zërë gjumi. Kemi nevojë për solidaritet ndërkombëtar, që të dalim nga kjo situatë amullie. Haiti ka nevojë për punë e solidaritet, që të zbulojë se nuk është ai vend i varfër e mjeran, që përshkruhet. Haiti ka pasuri, ka pasurinë e popullit të vet, ka vlera të mëdha, ka stilin e vet të jetës: mikpritjen, mirëkuptimin, bashkëpunimin. Na duhen strukturat, na duhet shoqërim. E pikërisht për këtë po punon Kisha, pikërisht për ta shoqëruar popullin e Zotit në këtë rrugë të vështirë, por jo të pamundur.

Pyetje: - E cili mund të jetë roli i Kishës?

Përgjigje: - Ky i shoqërimit të popullit të vet, për t’i ringritur famullitë, katedralen, Seminarin e madh.. . E gjithë kjo bën pjesë në planin për ta ndihmuar vërtet këtë popull të ngrihet përsëri në këmbë. Për të përballuar edhe kolerën, që e kërcënon. Mos të harrojmë: Kisha është e pranishme me dispanseritë, spitalet, ku çdo njeri pa dallim ndihmohet për ta kapërcyer këtë krizë të rëndë e për ta ndrequr jetën në Haiti.







All the contents on this site are copyrighted ©.