2011-01-12 11:39:00

Egjipti thërret për konsultime ambasadoren pranë Selisë së Shenjtë. Notë e atë Federiko Lombardit


(12.01.2011 RV)Selia e Shenjtë shqetësohet njësoj si qeveria egjiptiane për shkallëzimin e ndeshjeve dhe të tensioneve për arsye të fesë. Kështu i tha dje ambasadores së Egjiptit, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì. Në ditën e djeshme, zonja Lamia Ali Hamada Mekhemar u thirr në Kajro për konsultime e sqarime mbi fjalimin e Papës para Trupit Diplomatik, në të cilin Ati i Shenjtë përmendi edhe një herë dhunën kundër të krishterëve, duke pasur parasysh atentatin e Aleksandrisë dhe duke u bërë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë. Ja nota e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“Shkëlqesia e saj zonja Lamia Ali Hamada Mekhemar, ambasadore e Republikës Arabe të Egjiptit pranë Selisë së Shenjtë, u prit në Vatikan nga Shkëlqesia e tij imzot Dominik Mambertì, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë takimit, ambasadorja, që shkon në Kajro për konsultime në Ministrinë e Jashtme egjiptiane, paraqiti shqetësimin e qeverisë së saj në çastin e vështirë aktual dhe mori informacionet e elementet e nevojshme për të referuar si duhet mbi ndërhyrjet e Atit të Shenjtë, në veçanti mbi lirinë fetare dhe mbrojtjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme.
Duke nënvizuar se Selia e Shenjtë merr pjesë në emocionin e krejt popullit egjiptian, të turbulluar nga atentati i Aleksandrisë, Shkëlqesia e tij imzot Mambertì siguroi se Vatikani bashkëndan plotësisht shqetësimin e qeverisë për “shmangjen e shkallëzimit të ndeshjeve e të tensionit për arsye fetare”, si edhe vlerëson përpjekjet që bëhen në këtë drejtim”.
E ndërsa ambasadorja jep sqarime në Kajro, të krishterët egjiptianë sulmohen sërish. Një kopt u vra dhe pesë të tjerë u plagosën nga një polic, që hapi zjarr në një tren afër Samalutit, 250 km larg nga kryeqyteti. Megjithëse arsyet akoma nuk janë të qarta, ipeshkvi kopt Morkos tregoi se atentatori Amer Ashur Abdel Zaher, fillimisht i kërkoi të krishterët nëpër tren e pasi pa disa persona pa shami në kokë, e kuptoi se nuk ishin myslimanë dhe hapi zjarr duke thirrur “Allahu Akbar” (Zoti është i madh).








All the contents on this site are copyrighted ©.