2011-01-11 17:19:31

Shtegtimi i ipeshkvijve evropianë e amerikanoveriorë në Lindje të Mesme në Tokën e Shenjtë te rrënjët e fesë.


Vazhdon udhëtimi i Grupit të Bashkërendimit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës dhe të Amerikës së Veriut në Tokën e Shenjtë. Gjatë vizitës së tyre në vendet e Jezusit, si në Betlem dhe në lumin Jordan e Jeruzalem, ipeshkvijtë po takohen me bashkësitë e krishtera. Le të dëgjojmë në mikrofonin tonë Rojtarin e Tokës së Shenjtë, Atë Pierbatista Picabala:

Përgjigje: Është një vizitë e rëndësishme që nevojitet t’i forcojë edhe një herë lidhjet e Kishave të botës me Kishën nënë. Nuk është kjo një vizitë që do t’i ndryshojë çështjet politike të vendit – bashkësia jonë do të vazhdojë si edhe më përpara – por është një shenj solidariteti shumë i fortë.

Pyetje: Gjatë vizitës ipeshkvijtë po takohen me bashkësitë vendore duke e lidhur solidaritetin e tyre me dëshmitë e gjalla. Dëshmia dhe solidariteti janë dy aspekte të shpresës së krishterë në Tokën e Shenjtë...

Përgjigje: Po, mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme dhe më interesante, jo vetëm konferencat por edhe takimet me njerëzit, përvoja e tyre. Kjo vetë është një përforcim i jashtëzakonshëm në fe, para së gjithash, për bashkësinë e krishterë të vendit, por mendoj se edhe për ipeshkvijtë që do të kthehen nëpër shtëpitë e tyre të pasuruar me përvoja të reja që mund t’i përcillen dioqezave përkatëse.

Pyetje: Cila është situata që gjetën ipeshkvijtë në Tokën e Shenjtë dhe mbi të gjitha, cilat janë sot kushtet e jetesës së bashkësisë së krishterë?

Përgjigje: Kushtet e jetesës së bashkësisë së krishterë janë tepër të paqëndrueshme siç dihet prej kohësh tashmë. Të krishterët përbëjnë një pakicë e cila e ka të vështirë të shfaqë shenja të dukshme të jashtme, publike, me perspektiva zhvillimi ekonomik dhe politik gjithnjë e më të vështira. Janë situata, të cilat, për fat të keq, tanimë, ne i njohim dhe që kanë nevojë për zgjidhje të qëndrueshme, por që varen shumë ama edhe nga aftësia e politikës për t’u përgjigjur, gjë që tashpërtash nuk vihet re.







All the contents on this site are copyrighted ©.