2011-01-11 15:46:03

Liria fetare, rrugë për paqen. Komente mbi fjalimin e Papës para Trupit Diplomatik


(11.01.2011 RV)Ka zgjuar debat të madh, fjalimi i djeshëm i Papës para Trupit Diplomatik të akredituar në Vatikan. Benedikti XVI theksoi me forcë se paqja e vërtetë arrihet vetëm kur respektohet e drejta e lirisë fetare në tërësi, e para ndër përparësitë. Të dëgjojmë komentin e historianit Andrea Rikardi, themelues i Bashkësisë së Shën Egjidit:
Mua më duket se Papa ngul këmbë me të drejtë në temën e lirisë fetare, të cilën e lidhi edhe me paqen, pasi e kupton fare mirë, edhe përmes vështirësive të të krishterëve, se liria fetare është në rrezik. Pse goditen të krishterët? Kjo është çështja! Goditen, sepse shpesh përfaqësojnë një bashkësi minoritare, e cila nuk përulet para logjikës së urrejtjes e para kundërshtive. Atëherë si ta mbrojmë atë? Papa nuk mbron vetëm të krishterët, por kërkon liri, siguri, paqe për të gjithë, pasi pa lirinë fetare, shoqëritë ndryshojnë për keq. Për shembull, ne jemi të bindur se Lindja e Mesme pa të krishterët – e shohim se si po largohet pakica e krishterë nga Iraku – do të jetë më totalitare e ky do të jetë problem edhe për vetë myslimanët.
Papa tha se e vlerëson punën e disa vendeve evropiane, të cilat kërkojnë një përgjigje të përbashkët të Evropës para dhunës kundër të krishterëve në Lindjen e Mesme. Sipas jush, kjo është rruga më e drejtë për t’i bërë ballë gjendjes, që është krijuar kohët e fundit?
Është një rrugë e rëndësishme, pasi jo vetëm qeveritë evropiane, por edhe opinioni publik evropian jo gjithnjë ka treguar ndjeshmëri për realitetin e pakicës së krishterë, ose për të krishterët e Lindjes. Edhe vetë të krishterët e Perëndimit mendojnë vetëm për problemet e tyre dhe nuk ua kanë paraqitur qeverive këtë përparësi, mbrojtjen e të krishterëve dhe të pakicave të krishtera. Prandaj, ndërhyrja e Bashkimit Evropian do të ishte e vlefshme edhe për rizgjimin e vetë evropianëve. “Ju nuk keni rezistuar deri në derdhjen e gjakut”, lexohet në Letrën drejtuar Hebrenjve: shpesh, të krishterët perëndimorë humbasin në arsyetime, në polemika të brendshme të botës së tyre, duke harruar sfidën e madhe të krishterimit në botën bashkohore. Kjo sfidë është dëshmia e fuqishme, që nuk përdor armë, ose pushtet, por përmes fesë e bamirësisë, bëhet bindëse, tërheqëse, komunikuese.
Në fjalimin e tij para ambasadorëve të 178 vendeve të botës, Benedikti XVI vuri në dukje disa situata, ku e drejta e lirisë fetare nuk respektohet, ose mohohet krejtësisht. Gjithashtu, duke iu referuar botës perëndimore, foli për mënjanimin në rritje të fesë, edhe aty ku ngrihen në qiell pluralizmi e toleranca. Papa denoncoi diskriminimin, që u bëhet të krishterëve. Të dëgjojmë për këtë pedagogun e së Drejtës kishtare në Universitetin “Roma Tre”, prof. Karlo Kardìa:
Jemi para një manifesti të vërtetë për lirinë fetare, sepse kemi një këndvështrim teorik e global mbi mënyrat e shumta, me të cilat liria fetare pëson kufizime, nganjëherë të rënda, si persekutimet e, nganjëherë me të holla e më të fshehta, por të përditshme. Dua të jap dy shembuj, njëri prej të cilëve është shumë i njohur: mënjanimi e dëshira për të hequr simbolet fetare, që nuk ndodh në asnjë pjesë tjetër të botës. Nëse ndokush shkon në Azi dhe kërkon të hiqet Buda i mëshirshëm, që është i pranishëm gjithkund, do t’i linte pa gojë popullsitë e zonës. Ndërsa ne, shpallim në mënyrë abstrakte parimin e lirisë fetare dhe e mbrojmë atë konkretisht me ligje, por përpiqemi ta cënojmë e ta gërvishtim pak nga pak. Pra, shembulli i parë është eliminimi i simboleve fetare, por po kujtoj një tjetër, që është më pak i njohur: nëpër shkolla ka projekte për edukimin e detyrueshëm seksual, në të cilin pasqyrohen koncepte relativiste, pa asnjë projekt antropologjik, ku zvogëlohet e më pas anullohet liria e destinatarëve të këtyre leksioneve. E nxënësit nuk kanë të drejtë të mos marrin pjesë! Kësaj, le t’i shtojmë faktin, për të cilin foli edhe Papa, se ekziston prirja për t’ia ulur vlerën të drejtës së kundërshtimit për hir të ndërgjegjes në disa çështje, si aborti, ose birësimi i fëmijëve nga çifte me të njëjtin seks. Këto janë dy shembuj të thjeshtë, në të cilët, feja, në mënyrë të hollë, por shumë konkrete, paraqitet si diçka e vjetër, apo private. Po deshi, njeriu mund ta kultivojë personalisht, por shoqëria mund të mos e marrë fare parasysh!
Këto qëndrime paraqiten me veshjen e tolerancës, të pluralizmit, pra me anë të një imazhi pozitiv…
Po, por është një konceptim intolerant i tolerancës: kur e imponoj një lloj leksioni, toleranca bëhet intolerancë.
Papa vuri në dukje se shpesh krijohet një lloj shkalle me nivelet e intolerancës ndaj feve. Siç duket, diskriminimet kundër të krishterëve konsiderohen më pak të rënda në krahasim me të tjerat…
Unë e shpjegoj si diçka, që vjen nga vitet e mëparshme. Po jap shembuj konkretë: tashmë prej vitesh – të paktën prej dy dhjetëvjeçarësh – kemi fenomenin e fyerjes së simboleve më të rëndësishme të krishterimit, nganjëherë me pretekstin e artit, nganjëherë edhe pa asnjë pretekst. Askush nuk e ka ngritur zërin, askush nuk ka protestuar, duke u justifikuar se kjo është pjesë e lirisë së shprehjes. Kur të njëjtat gjëra, madje edhe më pak, janë bërë, duke gabuar, me Islamin është bërë nami. Por, këto reagime depozitohen psikologjikisht në shpirtin e secilit prej nesh, prandaj, tani, edhe kur të krishterët masakrohen, shprehim disa fjalë dhimbjeje e puna mbaron me kaq. Pra, siç e tha edhe Papa, ka fe që mund të fyhen e të tjera jo.







All the contents on this site are copyrighted ©.