2011-01-10 15:49:06

Reflektimi i zëdhënësit të Vatikanit mbi fjalimin e Papës para Trupit Diplomatik


(10.01.2011 RV)Mbi fjalimin e Papës para Trupit Diplomatik të akredituar në Vatikan, të dëgjojmë reflektimin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Me fjalimin para Trupit Diplomatik, Papa i shtoi një kapitull të ri, me rëndësi të madhe, impenjimit të vendosur në favor të lirisë fetare në botë. Impenjim që, pavarësisht se gjithnjë i gjallë, gjatë muajve të fundit është bërë edhe më këmbëngulës në deklaratat publike të autoriteteve më të larta të Kishës Katolike. Mjafton të kujtojmë ndërhyrjet e Papës me rastin e Sinodit për Lindjen e Mesme, fjalimin e tij të jashtëzakonshëm në Uestminster Holl të Londrës, thirrjet e fundit pas atentateve tragjike kundër kishave të krishtera në Irak dhe në Egjipt, ose ndërhyrjen e kardinalit – Sekretar të Shtetit në mbledhjen e OSBE-së në Astana.
Nëse Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes pati dhënë një panoramë të gjerë mbi bazat e së drejtës për lirinë fetare dhe mbi nevojën për ta mbrojtur nga rreziqet e sulmet – qofshin këto dhunë konkrete e dramatike, qofshin qëndrime negative me origjinë ideologjiko-kulturore e me pasoja juridike – fjalimi para Trupit Diplomatik ofroi sot një seri impresionuese vendesh e gjendjesh, në të cilat kjo e drejtë dhunohet hapur, apo vihet në diskutim pak a shumë në mënyrë radikale. Natyrisht, nuk mund të themi se Papa nuk ka folur qartë. Secili mund ta kuptojë pa vështirësi atë që tha.
Gjithsesi, më lejoni të vë në dukje se duke folur për këtë temë, Papa e vendos veten në zemër të misionit të tij. Nuk e kemi harruar kurrë se në fjalimin e parë të papnisë së tij, në Kapelën Sikstine, Benedikti XVI shihte te Zoti dhe tek marrëdhëniet e njeriut me Hyjin, të parën ndër përparësitë. Prej këndej fillon çdo impenjim i tij dhe i Kishës në shërbim të njeriut dhe të bashkësisë njerëzore. Edhe prania e Kishës në botën e marrëdhënieve ndërkombëtare synon para së gjithash të promovojë kauzën e Zotit si garante për kauzën e njeriut.
Mënyra e hapur dhe e guximshme me të cilën Papa Benedikti XVI kryen shërbimin e tij në propozimin e së drejtës së lirisë fetare për të gjithë, duke inkurajuar dialogun ndërfetar dhe impenjimin e të gjitha autoriteteve fetare e civile, me bindjen se kështu i shërben si duhet dinjitetit të njeriut dhe paqes e, duke mbrojtur lirinë e pranisë dobiprurëse të dëshmisë së krishterë në botën e në kulturën e sotme, po bëhet sigurisht një nga karakteristikat e kësaj papnie dhe të misionit të saj historik”.







All the contents on this site are copyrighted ©.