2011-01-10 15:02:16

Papa takon Trupin Diplomatik: Feja është faktor paqeje dhe pajtimi, siç dëshmon Nënë Tereza


(10.01.2011 RV)Liria fetare dhe respektimi i saj ishte në qendër të fjalimit të Papës Benedikti XVI në takimin e sotëm me Trupin Diplomatik në Vatikan, në shkëmbimin tradicional të urimeve për Krishtlindjen e Vitin e Ri. Duke folur me ambasadorët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Papa i ra përreth globit, duke e vënë gishtin mbi plagët e hapura nga dhuna kundër të krishterëve, sidomos në Irak dhe në Egjipt. Pastaj kërkoi shfuqizimin e ligjit mbi blasfeminë në Pakistan dhe tërhoqi vëmendjen ndaj përpjekjeve për ta mënjanuar fenë në Perëndim:
“Feja nuk përbën problem për shoqërinë, nuk është faktor turbullimi, apo konflikti. Dua të ritheksoj se Kisha nuk kërkon privilegje, nuk dëshiron të ndërhyjë në fusha jashtë misionit të saj, por thjesht ta ushtrojë këtë mision në liri”.
E Papa dha një shembull, që mund t’i bëjë krenarë të gjithë shqiptarët, përmendi të Lumen Nënë Terezë:
Simbol për këtë është figura e së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës: njëqind vjetori i lindjes së saj u kremtua në Tiranë, në Shkup e në Prishtinë, ashtu si në Indi; homazhe prekëse i bënë asaj jo vetëm Kisha, por edhe autoritetet civile e krerët e tjerë fetarë, pa llogaritur besimtarët e të gjitha konfesioneve. Shembuj si i saji i tregojnë botës sa dobiprurës është për gjithë shoqërinë, impenjimi që lind nga feja”.
Për këtë arsye, vazhdoi Ati i Shenjtë, asnjë shoqëri nuk duhet të privohet nga kontributi themelor i njerëzve dhe i bashkësive fetare. Papa citoi Koncilin II të Vatikanit mbi lirinë e drejtë fetare, që i jep mundësinë të gjithë njerëzve të gëzojnë të mirat e drejtësisë e të paqes, të cilat vijnë nga besnikëria e njerëzve ndaj Zotit dhe vullnetit të Tij. Kur liria fetare mungon, nënvizoi Papa, krijohen çekulibrime dhe konflikte në të gjitha nivelet, si në planin personal, ashtu edhe në atë ndërpersonal.
Paqja, vazhdoi Benedikti XVI, mund të arrihet vetëm nëse njeriu është i lirë ta kërkojë e t’i shërbejë Zotit në zemrën e vet, në jetën dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Pastaj përmendi atentatet kundër të krishterëve në Irak:
“U rinovoj autoriteteve të atij vendi dhe krerëve fetarë myslimanë thirrjen time të shqetësuar për të vepruar që bashkëqytetarët e tyre të krishterë të mund të jetojnë në siguri dhe të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në shoqërinë, ku janë anëtarë me të gjitha të drejtat”.
Edhe në Egjipt, tha Papa, në Aleksandri, terrorizmi goditi brutalisht besimtarët në lutje në kishë. Këto sulme të njëpasnjëshme janë shenjë e urgjencës, që duhet t’i shtyjë qeveritë të marrin masa për mbrojtjen e pakicave fetare. Edhe një herë, Benedikti XVI vuri në dukje se të krishterët janë banorë autoktonë të Lindjes së Mesme, që dëshirojnë të qëndrojnë në vendet e tyre. Ati i Shenjtë falenderoi ato vende evropiane, që kanë punuar për një përgjigje të përbashkët të Evropës në mbrojtje të të krishterëve e nuk mungoi të kërkojë struktura për Kishën Katolike në Gadishullin Arabik, ku kanë shkuar për të punuar shumë emigrantë të krishterë:
“Ndër normat që cënojnë të drejtën e njerëzve për lirinë fetare, duhet përmendur veçanërisht ligji kundër blasfemisë në Pakistan: inkurajoj sërish autoritetet e atij vendi të bëjnë përpjekjet e nevojshme për ta shfuqizuar, aq më tepër, kur është e qartë se ai shërben si pretekst për të shkaktuar padrejtësi e dhunë kundër pakicave fetare”.
Papa dënoi edhe një herë vrasjen e guvernatorit të Penxhabit e shprehu shqetësimin e tij për sulmet kundër të krishterëve në Nigeri e për aktet e dhunës në Azinë Jugore e Juglindore:
“Në disa vende, Kushtetuta njeh një farë lirie fetare, por, në fakt, jeta e bashkësive fetare është e vështirë e shpesh e pamundur, sepse rendi juridik e shoqëror frymëzohet nga sisteme filozofike dhe politike, që kërkojnë kontrollin, për të mos thënë monopolin e shtetit mbi shoqërinë. Këto gjëra duhet të mos ekzistojnë më, që besimtarët të mos detyrohen të zgjedhin mes besnikërisë për Zotin e asaj për atdheun”.
Papa e çoi mendimin në Kinë, ku Kisha Katolike po jeton çaste vështirësie e sprove; inkurajoi autoritetet kubane ta vazhdojnë dialogun me Kishën dhe e hodhi vështrimin në Perëndim, ku ushtrimi i lirisë fetare has kërcënime të llojeve të tjera. Vërtet, ekziston prirja për ta konsideruar fenë si faktor pa rëndësi e madje destabilizues në shoqëri, ku pengohet me çdo formë e mënyrë ndikimi i saj:
“Arrijmë kështu, në pretendimin që, në ushtrimin e profesionit, të krishterët të veprojnë pa iu referuar bindjeve të tyre fetare e morale e madje edhe në kundërshtim me to”.
Papa dha si shembull rastin e punonjësve të shëndetësisë, ose të avokatëve, pa harruar të përshëndesë miratimin e rezolutës për mbrotjen e së drejtës së kundërshtimit për hir të ndërgjegjes, nga ana e Këshillit të Evropës. Ati i Shenjtë denoncoi sërish përpjekjen për heqjen e festave dhe të simboleve fetare, përpjekje, që i presin kështu rrënjët, të cilat ushqejnë kulturën dhe identitetin e kontinentit të vjetër. Pastaj shtoi:
“Të njohësh lirinë fetare, do të thotë edhe të garantosh që bashkësitë fetare të veprojnë lirisht në shoqëri, me nisma në sektorin shoqëror, bamirës dhe edukativ…Është shqetësuese që ky shërbim… në veçanti ai për edukimin e brezave të rinj, të kompromentohet ose të pengohet nga projektligje, të cilat rrezikojnë të krijojnë një lloj monopoli shtetëror në mësimdhënie, siç ndodh në disa vende të Amerikës Latine”
E duke vazhduar reflektimin e tij për familjet evropiane, Papa vuri në dukje se në disa vende, fëmijët e të rinjtë janë të detyruar të marrin pjesë në kurse edukimi seksual ose civil, që pasqyrojnë një antropologji të kundërt me fenë. Edhe më keq është kur feja kundërshtohet në emër të të ashtuquajturave “të drejta të reja”, që promovohen nga sektorë të caktuar të shoqërisë:
“Ja përse – përfundoi Benedikti XVI – ndërsa uroj që ku Vit i Ri të jetë i pasur me mirëkuptim e përparim të vërtetë, u bëj thirrje të gjithëve, përgjegjësve politikë, krerëve fetarë dhe njerëzve të çdo kategorie, që të ndërmarrin me vendosmëri rrugën e paqes së vërtetë e të qëndrueshme, e cila kalon përmes respektimit të së drejtës së lirisë fetare në tërësi. Për këtë impenjim, zbatimi i të cilit kërkon përpjekjet e krejt familjes njerëzore, lutem të na bekojë Zoti i Gjithpushtetshëm, që na ka pajtuar me Të e ndërmjet nesh, përmes Birit të Tij, Jezu Krishtit, paqja jonë”.
Ati i Shenjtë u përshëndet nga ambasadori dekan i Trupit Diplomatik në Vatikan, Alehandro Valadares Lanca. Aktualisht, 178 shtete, ndër të cilat Shqipëria, kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.