Papa: e Lumja Nënë Terezë shembull për respektimin e lirisë fetare të çdo njeriu.
Liria fetare për të gjithë. Këtë kërkoi Papa në fjalimin e tij drejtuar trupit diplomatik
të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, njëri ndër më të mëdhenjtë në botë, duke denoncuar
dhunën kundër të krishterëve e duke kërkuar masa efikase për mbrojtjen e pakicave
fetare dhe etnike kudo në botë. E drejta e lirisë fetare është e para ndër të gjitha
të drejtat njerëzore: çdo shkelje e saj përfaqëson një plagë të rëndë që bëhet kundër
dinjitetit dhe lirisë së homo religiosus e prandaj një kërcënim real ndaj paqes. E
pikërisht në mbrojtje të paqes në botë, Papa para diplomatëve të akredituar pranë
Vatikanit, shpjegoi rolin e Kishës Katolike në kontekstit ndërkombëtar. Një prani
aktive e plot respekt e saj ndaj kompetencave që kanë autoritetet civile, e nxitur
nga një bindje: se vetëm Zoti i përgjigjes zemrës së qenies njerëzore e prandaj përmasa
fetare është diçka që nuk mund të mohohet apo të kufizohet. Kjo është rrënja e thellë
e asaj që mund ta quajmë politika e Vatikanit, që nuk kërkon privilegje por vetëm
liri për misionin e Kishës, tipar ky burimor e themelor për çdo bashkësi fetare e
aq më tepër për atë të krishterë. E duke paraqitur fotografinë e situatës së lirisë
fetare në botë, Papa Benedikti XVI citoi shembullin e jashtëzakonshëm të së Lumes
Nënë Terezë e respektin që ajo gëzon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Indi e kudo gjetiu,
nga të gjithë, pa dallim e pa përjashtim. Papa kujtoi kremtimin e Jubileut të 100
vjetorit të lindjes së Nënë Terezës nga të gjithë autoritete civile e qytetarë të
të gjitha feve. E në mënyrë indirekte këtu u vlerësua edhe bashkëjetesa paqësore ndërfetare
ndër shqiptarë.E Papa këtë shembull, që mund t’i bëjë krenarë të gjithë shqiptarët.
Ai tha: “Simbol për këtë është figura e së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës: njëqind
vjetori i lindjes së saj u kremtua në Tiranë, në Shkup e në Prishtinë, ashtu si në
Indi; homazhe prekëse i bënë asaj jo vetëm Kisha, por edhe autoritetet civile e krerët
e tjerë fetarë, pa llogaritur besimtarët e të gjitha konfesioneve. Shembuj si i saji
i tregojnë botës sa dobiprurës është për gjithë shoqërinë, impenjimi që lind nga feja”. Për
këtë arsye, vazhdoi Ati i Shenjtë, asnjë shoqëri nuk duhet të privohet nga kontributi
themelor i njerëzve dhe i bashkësive fetare.