Më 10 janar kalendari kishtar përkujton Shën Agatonin, Papë.
Shën Agatoni, u ul në fronin e papnisë më 26 qershor të vitit 678, pikërisht kur kishte
mbushur 103 vjet, duke qenë krejtësisht i kthjelltë. Më 12 gusht mori nga perandori
Kostantin Pagonati një letër, përmes së cilës deklaronte se ishte gati të rifillonte
përpjekjet për të realizuar planin e ribashkimit kishtar të Romës me Bizantin. Mendonte,
prandaj, të mblidhte një konferencë Ipeshkvnore, në të cilën të diskutoheshin problemet
më urgjente, që do të çonin në zhdukjen e kundërvënieve, duke i hapur përfundimisht
rrugën bashkimit. Për këtë qëllim perandori i kërkonte papës të dërgonte disa
përfaqësues të tij në Kostandinopojë. Për të përgatitur delegacionin, Agatoni mblodhi
më 27 mars të vitit 680 në Lateran një koncil italian, i cili zgjodhi përfaqësuesit
ipeshkvnor që do të niseshin për në Bizant së bashku me të dërguarit e papës dhe miratoi
tekstin sinodal, që do të paraqitej në konferencë. Në këtë tekst pasqyrohej doktrina
e dy vullneteve dhe e dy mënyrave të veprimit të Krishtit, duke kujtuar atë që ishte
vendosur në Koncilin Lateranens nga Martini I. Delegacioni perëndimor arriti në
Bizant më 10 shtator të vitit 680 dhe u prit nga patriku Gjergj, që mori masat për
të mbledhur metropolitët dhe ipeshkvijtë Bizantinë. Ajo që u thirr thjeshtë si konferencë,
mori pamjen e një Koncili të vërtetë, i gjashti në Lindje. Mbledhja u hap më 17 nëntor
të vitit 680 në sallën e madhe të pallatit perandorak. Kryetar i saj ishte vetë perandori,
që kishte përkrah dy priftërinj e një diakon romak, si përfaqësues të papës. Ndërsa
në Itali shpërtheu epidemia e murtajës, që shkaktoi vdekjen e një numri të madh njerëzish,
në Kostandinopojë koncili vijonte. Pas 18 seancash u arrit në hartimin e një dekreti
që u shpall më 16 shtator të vitit 681. Në të ripohohej besojma e fesë, e vendour
nga pesë koncilet e mëparshme dhe miratohej njëzëri doktrina e dy vullneteve dhe dy
energjive të Krishtit, që nuk ishin në kundështim me to, duke konfirmuar edhe tekstin
sinodal të Lateranit. U dënua edhe herezia monoteistike. Koncili u mbyll me kërkesën
drejtuar papës për të miratuar vendimet e marra. Por Agatoni kishte vdekur më 10 janar
të vitit 681 dhe ishte varrosur në Bazilikën e Shën Pjetrit. Gojëdhëna tregon se kur
i mbylli sytë, ishte 107 vjeç. Agatoni nënshtroi edhe kryeipeshkvin e Ravenës, Teodorin,
i cili i dha fund autoqefalisë së dënuar nga Roma. U interesua shumë edhe për fatet
e Kishës anglosaksone. Magjisteri i tij shquhet për thellësinë e doktrinës dhe bamirësinë
në ndihmë të të varfërve. Është pajtori i Palermos.