2011-01-10 16:10:02

Delegacioni Evropian kërkon nga Kosova më shumë përpjekje për përforcimin e demokracinë


Pavarësisht përpjekjeve qëllimmira të shumë aktivistëve dhe individëve gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe 9 janarit, defekte serioze kanë shënuar vullnetin politik të pamjaftueshëm, përfshirë atë në nivel bazë, për zhvillimin e zgjedhjeve të mirëfillta në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira zgjedhore, thuhet në deklaratën e delegacionit monitorues të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
Deklarata u lëshua para përfundimit të numërimit të votave dhe zgjidhjes së ankesave të paraqitura për zgjedhjet e përsëritura më 9 janar 2011. Delegacioni Evropian inkurajon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përfundimin e numërimit të votave në mënyrë të saktë dhe për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë transparente dhe të hollësishme.
Delegacioni thekson rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për tranzicionin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës, për çka Parlamenti Evropian është plotësisht i përkushtuar. Në njoftim shprehet keqardhje për shkelje të rënda zgjedhore në disa komuna si dhe për procesin e stërzgjatur të numërimit të votave të 12 dhjetorit.
Për të përforcuar besimin publik në procesin demokratik, sipas delegacionit evropian, duhet të ndërmerret menjëherë një përpjekje vendimtare dhe e shpejtë, për të ndjekur penalisht të gjithë kryerësit e identifikuar të mashtrimeve, përfshirë këtu rastet e zgjedhjeve lokale të vitit 2009.
Kosova duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të përmirësuar procesin e ardhshëm zgjedhor për të garantuar të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës, si dhe për të forcuar perspektivën evropiane të Kosovës. Delegacioni Evropian mirëpret faktin që partitë politike të Kosovës e kanë kuptuar domosdoshmërinë për të çuar përpara reformën zgjedhore në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira zgjedhore, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Komisionit Evropian në Prishtinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.