2011-01-08 11:33:40

Papa gjatë vizitës në spitalin romak 'Gemelli': “Zoti u bë fëmijë si ju për t’ju thënë se ju qëndron pranë”.


Çaste mallëngjimi dhe dashurie të sinqertë karakterizuan të mërkurën pasdite, vizitën e Papës Benedikti XVI në spitalin “Agostino Gemelli” të Romës. Para festës së Dëftimit të Zotit, e cila është e dashur sidomos për të vegjlit, Ati i Shenjtë u takua me fëmijët e shtruar në poliklinikën e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit. Papa bekoi Qendrën për kurimin e sëmundjeve të rënda të shtyllës kurrizore dhe u shpërndau ëmbëlsira e dhurata fëmijëve:
“Të dashur fëmijë, desha t’ju takoj personalisht për të bërë pak si Mbretërit Dijetarë. Siç keni bërë edhe ju, Mbretërit i çuan Jezusit dhurata – ar, kem e mirrë – për t’i shfaqur adhurimin dhe dashurinë e tyre. Sot, edhe unë ju kam sjellë disa dhurata, që të ndjeni, përmes kësaj shenje të vogël, simpatinë, afërsinë dhe dashurinë e Papës. Por do të doja që të gjithë, të rritur e fëmijë, në këtë periudhë Krishtlindjeje, të kujtojmë se dhuratën më të madhe e ka bërë Zoti për secilin prej nesh”.
Për ta parë këtë dhuratë – vazhdoi Benedikti XVI – duhet të shohim në shpellën e Betlehemit, ku qëndrojnë Maria e Jozefi, por sidomos “një fëmijë i vogël, që ka nevojë për kujdes, mbrojtje e dashuri”:
“Ai fëmijë është Jezusi, ai fëmijë është vetë Zoti, që deshi të vijë mbi tokë për të na treguar sa shumë na do, është Zoti, që u bë fëmijë si ju, për t’ju thënë se ju qëndron gjithnjë afër e për t’i thënë secilit prej jush se çdo fëmijë ka fytyrën e Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.