Atë Federiko Lombardi: Papa, të varfërit e fëmijët
Pikërisht këtij takimi me fëmijët dhe atij të mëparshmit, me të varfërit e asistuar
nga motrat e Nënë Terezës në Romë, ia kushton editorialin e sotëm zëdhënësi i Selisë
së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm. Ta dëgjojmë: Në
periudhën e Krishtlindjes, Papa nuk mungon të përjetojë një çast takimi e feste me
të varfërit e me fëmijët. Kështu bëri edhe këtë vit, duke ngrënë drekë, më 26 dhjetor,
me personat e ndihmuar nga bashkësia e Misionareve të Dashurisë e duke vizituar më
5 janar fëmijët e shtruar në spitalin “Gemelli”. Është shenjë e vogël, por do të thotë
shumë. Nuk është thjesht formalitet i ngutshëm. Është diçka që i përket thelbit të
jetës së Kishës e prandaj, edhe shërbimit të Papës. Koha e Krishtlindjes
e kërkon spontanisht solidaritetin; Zoti i bërë fëmijë na ndihmon ta shohim në çdo
fëmijë imazhin e Tij, ta pranojmë me dashuri e dhembshuri jetën që lind, e cila në
brishtësinë e saj ka nevojë për kujdes e mbrojtje. Por mesazhi vlen për çdo ditë të
vitit. Kisha lutet, dëgjon Fjalën e Zotit e kremton në Eukaristi, takimin me Hyjin,
por jeton prej dashurisë në veprim, e në këtë dashuri privilegjohen të vegjlit dhe
ata, që nga pikpamja njerëzore e shoqërore, rrezikojnë të harrohen. Edhe udha e Papës
kalon natyrshëm përmes kësaj etape, në çdo kohë e në çdo shtegtim të tij.