2011-01-07 19:13:47

Angli: 3 ish-ipeshkvij anglikanë do të shugurohen meshtarë katolikë më 15 janar.


(07.01.2011 RV)Tre ish-ipeshkvijtë anglikanë, që u pranuan në Kishën katolike të Anglisë e të Uellsit më 1 janarin e kaluar, do të shugurohen meshtarë katolikë në Katedralen e Uestminsterit, më 15 janar. Lajmin e jep gazeta e sotme vatikanase “L’Osservatore Romano”, duke e shoqëruar me një notë të Konferencës ipeshkvnore angleze.
Më 8 nëntorin e kaluar – lexohet në komunikatë – pesë ipeshkvij të Kishës së Anglisë: tre në shërbim aktiv e dy në pushim: Keith Newton (Kejth Njuton dhe Andrew Burnham (Endrju Bërnhëm), njoftuan se dëshironin të tërhiqeshin nga shërbimi ipeshkvnor me të jepnin dorëheqjen nga detyra baritore, deri më datën 31 dhjetor 2010.
Pas këtij vendimi – tre prej ipeshkvijve, ende në detyrë: John Broadhurst (Xhon Brodhërst), Edwin Barnes (Eduin Bënnes) dhe David Silk (Dejvid Silk) u pranuan plotësisht në Kishën Katolike, gjatë kremtimit eukaristik të 1 janarit 2011, në katedralen e Uestminsterit.
Në nëntorin e kaluar, e përditshmja angleze Daily Telegraph, duke cituar edhe deklaratën e kryeipeshkvit të Kantërburit, Rouan Uilljams, primat i Bashkimit Anglikan, që fliste për dorëheqjen e dy ipeshkvijve, pohonte se të pestët ishin të zhgënjyer nga reformat liberale që ka ndërmarrë Kisha Anglikane vitet e fundit e se dëshironin të hynin në Ordinariatin, që do të themelohet vitin e ardhshëm, duke ruajtur traditat anglikane, edhe pse në bashkim me Romën, për të mos cënuar kërkimin e përhershëm të bashkimit të plotë të të gjitha Kishave të krishtera.
Për këtë njoftim, më 8 nëntor 2010, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, deklaronte gojarisht sa më poshtë:
“Lidhur me deklaratën e pesë ipeshkvijve, të cilët deri tani i përkisnin Kishës Anglikane, që kanë vendosur të bashkohen me Kishën Katolike, e që, për këtë arsye duhet të japin dorëheqjen nga veprimtaria aktuale baritore në Kishën e Anglisë, mund të pohojmë se është në studim krijimi i Ordinariatit të parë, sipas normave të caktuara nga Kushetuta Apostolike “Anglicanorum coetibus” e se vendimet e mundshme lidhur me këtë çështje, do të komunikohen në kohën e duhur.









All the contents on this site are copyrighted ©.