2011-01-06 16:51:10

Manifestimi "Rroftë Befana" në Vatikan


(06.11.2011 RV)Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Vatikan, morën pjesë edhe anëtarët e kortezhit të përvitshëm “Rroftë Befana”, që tradicionalisht sjell në rrugën e Pajtimit dhe në sheshin e Shën Pjetrit ngjyrat e traditat folklorike të Italisë për festën e Dëftimit të Zotit. Këtë vit, edicionin e 26-të të manifestimit e promovoi Shoqata “Europa Familia”, e cila impenjohet në mbrojtjen e vlerave familjare në rang evropian. Protagonist në edicionin e sivjetëm qe Città di Castello, apo Qyteti i Kështjellës, me historinë, kulturën, prodhimet dhe pasuritë natyrore të Luginës së Lartë të lumit Tiber. Pasi udhëhoqën kortezhin dhe morën pjesë në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Mbretërit Dijetarë u ngjitën në Pallatin Apostolik, për t’i ofruar Atit të Shenjtë disa dhurata, ndër të cilat riprodhime të skenave nga jeta e Krishtit, një mbulesë liri punuar me dorë dhe vëllimin “Arti në Città di Castello”.







All the contents on this site are copyrighted ©.