2011-01-06 16:51:30

Dita Misionare e Fëmijëve


(06.01.2011 RV)Po sot, Kisha Katolike kremton Ditën Misionare të Fëmijëve e të Rinjve, e cila i fton ata të intensifikojnë shpalljen e Lajmit të Mirë dhe solidaritetin me vëllezërit e afërt e të largët. Motoja e vitit 2011 është “Hyr! Ka vend për të gjithë” dhe vë në dukje dy aspekte të misionit: atë të thirrjes personale që Zoti i bën çdo të pagëzuari dhe ndarjen me vëllezërit të dhuratës së marrë, të Bukës së Jetës thyer për të gjithë njerëzit.
Themeluar nga Papa Piu XII në vitin 1950, Dita Misionare e Fëmijëve përbën një çast të rëndësishëm formimi për misionin që të rinjtë kanë në përhapjen e Ungjillit. Është gjithashtu rasti për t’u thelluar në kuptimin e festës së Dëftimit të Zotit, në të cilën Krishti Fëmijë njihet nga Mbretërit Dijetarë si Shëlbues i njerëzimit. Të gjitha ofertat e besimtarëve në meshën e sotme do të shkojnë për programe në misionet katolike nëpër botë.
Për Oqeaninë, ato do të mbështesin programe formimi të krishterë në dioqezën Taraua-Nauru në Ishujt Kiribati. Në Evropë, projekti që kanë zgjedhur të rinjtë është për Ukrainën. Do të mbështeten me formim shkollor e shpirtëror vajzat e vogla me probleme familjare dhe do të ndihmohen me ushqime e me asistencë shëndetësore. Amerika përfaqësohet nga Peruja, ku të rinjtë misionarë do të bashkëpunojnë në ndihmën për fëmijët me të meta fizike në Vikariatin Apostolik të San Hozesë në Amazonë. Në Azi, ofertat do të mbërrijnë në dioqezën indiane të Shimogës për rehabilitimin e fëmijëve punëtorë. Së fundi, falë fëmijëve misionarë, dioqeza afrikane e Katiolës në Bregun e Fildishtë do të pajiset me një qendër ekonomie shtëpiake për të rejat pa shkollë, me kurse alfabetizimi e rrobaqepësie.







All the contents on this site are copyrighted ©.