2011-01-05 16:54:57

Vritet guvernatori i Penxhabit në Pakistan. Pati kërkuar faljen për Azia Bibin


(05.01.2011 RV)Qindra vetë e dhjetra përfaqësues të qeverisë morën pjesë sot, në Lahore, në funeralin e politikanit pakistanez Selman Taser, vrarë dje në Islamabad. Guvernatori i Penxhabit, të cilit iu rezervua varrim shtetëror, u vra, sepse ishte kundër ligjit për blasfeminë. Vetë vrasësi, i arrestuar tashmë, deklaroi se me këtë akt donte ta dënonte politikanin, që ishte shprehur edhe në favor të lirimit të Azia Bibit, gruas së krishterë, akuzuar për blasfemi. Për Radio Vatikanin, flet Ministri i Pakistanit për pakicat, Shahbaz Bati:
Mendoj se vrasja e guvernatorit të Penxhabit mund të frikësojë ata njerëz, që ngrihen në favor të së vërtetës, kundër ekstremizmave, kundër intolerancës, kundër dhunës e kundër ligjeve mbi blasfeminë. Por besoj se zbulimi i dhunës nuk mund ta na ndalojë në luftën tonë për drejtësi, për mbrojtjen e pakicave e të njerëzve të pafajshëm në Pakistan.
Duke pasur parasysh atmosferën politike të tanishme, a është i mundur shfuqizimi i ligjit mbi blasfeminë?
Mendoj se është e vështirë, por përdorimi i keq i ligjit mbi blasfeminë shpresoj t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se kjo vrasje është kryer nga fanatikë, për ta nxitur popullin drejt dhunës. Ky ligj duhet rishikuar e rishqyrtuar, të paktën për të mos lejuar përdorimin e tij pa kriter. Por, nga ana tjetër, ekstremistët fetarë po e thonë qartë se nuk do të tolerojnë asnjë ndryshim të ligjit.
Lajmi i vdekjes së guvernatorit të Punxhabit hidhëroi pa masë edhe të krishterët indianë. Rritet gjithashtu shqetësimi për gjendjen e krijuar, e cila nuk lejon disidentë. Të dëgjojmë kryeipeshkvin e Lahores, imzot Lourenc J. Saldanha:
Jemi shokuar nga këto lajme. Mendojmë se ky është një akt kundër të gjithë njerëzve, që kundërshtojnë ligjin mbi blasfeminë. Guvernatori e kritikonte haptas dhe pati kërkuar shfuqizimin e tij. Ishte edhe në favor të lirimit të Azia Bibit, për të cilën ndërhyri personalisht, në përpjekjen për të siguruar faljen. Fatkeqësisht e vranë e ne të gjithëve na vjen jashtëzakonisht keq.
Si është gjendja në vend?
Njerëzit kanë frikë. Përshtypja e përgjithshme është se ka më shumë frikë e se, sidomos pas vdekjes së guvernatorit, njerëzit do ta kenë edhe më të vështirë ta kritikojnë ligjin mbi blasfeminë.
Mendoni se po fuqizohet ekstremizmi në Pakistan?
Kjo është e vërtetë. E thashë edhe në kishë, ditën e Vitit të Ri, se liria fetare – temë e Ditës Botërore për Paqen – është thelbësore për paqen. Por, fatkeqësisht, në shumë vende, e edhe në tonin, toleranca merr goditje të rënda. Në këtë çast, atmosfera është tepër intolerante e ne ndihemi të mënjanuar. Ja përse, ky vit nuk filloi me shpresë e lumturi.







All the contents on this site are copyrighted ©.