2011-01-05 16:55:36

Rëndohet bilanci i viktimave të atentatit të Vitit të Ri në kishën kopte të Aleksandrisë së Egjiptit.


(05.01.2011 RV)Rëndohet bilanci i viktimave të atentatit të Vitit të Ri në kishën kopte të Aleksandrisë së Egjiptit. Të vdekurit kanë arritur në 23, por mund të shtohen, pasi disa nga të plagosurit janë vërtet në gjendje të rëndë. Që sot, janë forcuar masat e sigurisë në aeroportin e Kajros, në prag të Krishtlindjes ortodokse, që vendi e kremton nesër, 6 janar. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit amerikan, Krouli shprehu shqetësimin e Uashingtonit për “valën në rritje të dhunës, që po godet të krishterët në botë”. Dy europarlamentarë italianë i kanë shkruar një letër Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Kethrin Eshton, duke i kërkuar ndërhyrje urgjente, brenda 24 orëve, për të theksuar jo vetëm rëndësinë e lirisë fetare për të gjithë, por edhe impenjimin e institucioneve evropiane përkrah atyre qeverive të botës, të cilave u duhet të mbrojnë nga intoleranca pakicat fetare, të çdo lloji qofshin. Në mikrofonin tonë, ipeshkvi i kuries së Patriarkatit kopto-katolik të Aleksandrisë së Egjiptit, imzot Botros Fahim:
Ndjejmë pa dyshim, dhimbje. U ofrojmë ngushëllimet e vuajtjet tona familjarëve të viktimave dhe të plagosurve, por nuk duhet ta humbasim fenë, duke u nisur gjithnjë nga shembulli i Krishtit dhe i dhunës, që i është dashur të pësojë. Flasim gjithnjë me njerëzit, që mos ta humbasin qetësinë, paqen e Zotit. Sjellja jonë nuk duhet të jetë reagim me dhunë, pasi nuk duhet të biem në rrethin vicioz, ku duan të na mbyllin. Prandaj, mbështetemi kryesisht tek lutja, edhe tek ndihma e vëllezërve tanë myslimanë, që na kanë treguar solidaritet. Shumë kanë ardhur e na kanë thënë: “Duam të marrim pjesë në kremtimet e Kishës”, natyrisht në natën e Krishtlindjes ortodokse, më 6 janar. Ka njerëz të mirë! Ne jemi një popull i vetëm, prandaj përpiqemi me lutje e duke u mbajtur dorë për dore ta përballojmë sëbashku gjendjen e krijuar. Të gjithëve u uroj paqe e të mira.







All the contents on this site are copyrighted ©.