2011-01-05 16:55:07

Kongresi i SHBA-ve: republikanët i shpallin luftë reformës së shëndetësisë


(05.01.2011 RV)Shfuqizimi i reformave të deritanishme nga administrata e Barak Obamës, duke filluar nga ajo e shëndetësisë: ky është objektivi i republikanëve, të cilët kanë fituar kohët e fundit shumicën në zgjedhjet e gjysmës së legjislaturës për Kongresin amerikan. Pikërisht sot, filloi punimet asambleja e re. Si mund të interpretohet qëndrimi i republikanëve? Pyetëm pedagogun e historisë amerikane në Universitetin italian të Barit, Niko Perrone:
Sipas meje, nuk është mesazh simbolik, pasi republikanët e duan këtë luftë. Që kjo pastaj, të jetë rrezik i vërtetë për ligjin mbi shëndetësinë, unë do të thosha se jo: duhet pasur parasysh se republikanët nuk e kanë shumicën në të dyja degët e Parlamentit amerikan. Reforma shëndetësore nuk u pëlqen republikanëve, nuk i pëlqen një pjese të konsiderueshme të Amerikës, nuk i pëlqen madje edhe një pjese të demokratëve, por tashmë, reforma ekziston e shfuqizimi i saj do të ishte një traumë tepër e madhe për Amerikën. Natyrisht, reforma duhet rishikuar. Republikanët do të ngulin këmbë në koston e përgjithshme, që ka për vendin, regjimi i ri shëndetësor.
Cilat do të jenë pasojat mbi mandatin e Obamës, i cili gjithsesi, është në gjysmën e legjislaturës?
Do të jetë e nevojshme që Obama të bëjë më tepër politikë se deri tani. Pushteti i presidentit amerikan është konsideruar gjithnjë në botë – e ka qenë kështu edhe me fakte – si një lloj pushteti absolut, në marrëdhënie shumë të pakta me dhomat e parlamentit, pasi zakonisht kishte shumicën në të dyja. Mund të ndodhte ndonjë incident i vogël, por në përgjithësi, kishte shumicën e votave. Ndërkaq, Obamës i mungon pikërisht shumica, të cilën ai duhet ta fitojë me politikën e vet. Sipas meje, kjo është pozitive, pasi do ta detyrojë Obamën të mos e ushtrojë pushtetin, pa dhënë llogari. Por, presidenti aktual amerikan di ta luajë politikën, prandaj mendoj se do ta kapërcejë këtë provë të vështirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.