2011-01-05 17:52:21

Benedikti XVI viziton fëmijët e shtruar në Poliklinikën romake “Gemelli”.


(05.01.2011 RV)Sot pasdite Papa Benedikti XVI vizitoi spitalin romak ‘Gemelli’, ku shkoi kryesisht per të takuar fëmijët e sëmurë e për t’u shpërndarë personalisht dhuratat e Krishtlindjes e të Epifanisë.
E pritën, në hyrje të Poliklinikës, Mëkëmbësi i përgjithshëm i Dioqezës së Romës, kardinali Agostino Valini; Rektori i Madh i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, profesor Lorenco Ornaghi dhe autoritete të tjera të larta shkencore, administrative e kishtare të Poliklinikës.
Më pas Ati i Shenjtë u ngjit me ashensor, në katin e pestë, ku e priste drejtori i Repartit të pediatrisë, profesor Costantino Romagnoli.
Papa Benedikti XVI vizitoi Repartin e Pediatrisë dhe bekoi lokalet e reja të Qendrës për sëmundjet e shtyllës kurrizore. Pastaj vizitoi edhe Repartin e Terapisë Intensive.
Si kreu vizitën në katin e pestë, u ngjit në katin e shtatë, ku vizitoi Ambulancën e Institutit Shkencor Ndërkombëtar “Pali VI” për kërkime shkencore, diagnostikim e mjekim të shterpësisë bashkëshortore.
Në përfundim, zbriti në sallën e pritjes, në hyrje të Poliklinikës, ku u takua me fëmijët e shtruar në reparte të ndryshme, me prindërit e tyre e me personelin e spitalit, të cilëve u drejtoi një përshëndetje të shkurtër, që nisi me një pyetje: “Pse erdha këtu, mes jush, sot, ditë në të cilën nisim kremtimin e Solemnitetit të Dëftimit të Zotit?
Para së gjithash, për t’ju falënderuar – vijoi Papa - duke iu drejtuar fëmijëve, që e pritën gjithë entuziazëm, e duke i siguruar se i do fort, se dëshiron t’u japë forcë për të përballuar sëmundjen e për t’u kthyer përsëri, plot gëzim, në jetën e përditshme.
Më pas Benedikti XVI falënderoi edhe prindërit për vetmohimin, e mjekët, për kompetencën, durimin e dashurinë e krishterë që tregojnë gjithnjë ndaj vocrrakëve të sëmurë, të cilët kanë nevojë më shumë se të tjerët, për ngrohtësi shpirtërore:
“Të dashur fëmijë – kujtoi Papa – erdha për t’u ngjarë paksa edhe Mbretërve Dijetarë, që i kremtojmë në Festën e Dëftimit të Zotit: ata i sollën Jezusit dhurata – ar, kem e mirrë - për t’i treguar adhurim e dashuri. Edhe unë sot ju solla ca dhurata, që ta ndjeni, përmes një shenje të vogël, simpatinë, afërsinë e dashurinë e Papës, duke ju kujtuar, sidomos, se dhuratën më të madhe ia bëri Zoti secilit nga ne”.
Ati i Shenjtë u priu simbolikisht fëmijëve, për disa çaste, në Shpellën e Betlehemit, duke u drejtuar pyetje të reja:
“Shikojmë në Shpellën e Betlehemit, po kë shohim? Kë takojmë? Shikojmë aty Marinë e Jozefin, por sidomos, një Foshnjë të vogël, që ka nevojë për vëmendje, kujdes, dashuri; është Jezusi, vetë Zoti, që erdhi mbi tokë për të na treguar sa fort na do”.
E pasi përshkroi atmosferën mahnitëse të Shpellës së Betlehemit, duke vijuar me përshëndetjet drejtuar gjithë personelit të spitalit si dhe të gjitha institucioneve, që vihen në shërbim të jetës, Papa e mbylli fjalimin e tij të shkurtër, me fjalë falënderimi e dashurie:
Ju falënderoj edhe një herë të gjithë. Papa ju do fort!”
Rreth orës 19. 00 Benedikti XVI u largua nga Poliklinika, për t’u rikthyer në Vatikan, ku nesër do të kryesojë kremtimet e solemnitetit të Dëftimit të Zotit, për t’i mbyllur, më pas, të gjitha kremtimet e mëdha të dimrit, me solemnitetin tjetër të madh, Pagëzimin e Jezusit.







All the contents on this site are copyrighted ©.