2011-01-04 14:31:45

Të kujtojmë e lexojmë mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Paqes: “Liria fetare, rrugë për paqen”!


LIRIA FETARE, UDHË PËR PAQEN

1. Në fillim të një Viti të Ri urimi im dëshiron t’ju mbërrijë të gjithëve ju dhe secilit në veçanti; është një urim kthjelltësie dhe begatie, por është kryesisht një urim paqeje. Edhe viti që po mbyll dyert është shënuar, për fat të keq, nga përndjekja, nga diskriminimi, nga akte të tmerrshme dhune dhe mungese tolerance fetare.
Mendimi im i drejtohet në veçanti tokës së dashur të Irakut, që në ecjen e saj drejt stabilitetit dhe pajtimit të shumëdëshiruar vazhdon të jetë skenar dhune dhe atentatesh. Më vijnë në mendje vuajtjet e fundit të bashkësisë së krishterë, dhe, në mënyrë të veçantë, sulmi i ulët kundër Katedrales siro-katolike “Nostra Signora del Perpetuo Soccorso” (“Zonja jonë e Ndihmës së Përjetshme”) në Bagdad, ku, më 31 tetor, janë vrarë dy meshtarë dhe më shumë se 50 besimtarë, ndërsa ishin të mbledhur dhe po kremtonin Meshën e Shenjtë. Pas tyre kanë vazhduar, në ditët në vijim, sulme të tjera, edhe ndaj shtëpive private, duke ngjallur frikë në bashkësinë e krishterë dhe, në shumë pjesëtarë të saj, dëshirë për t’u larguar prej aty në kërkim të kushteve më të mira të jetesës. Atyre u shpreh afërsinë time dhe atë të mbarë Kishës, ndjenjë kjo që ka parë një shprehje konkrete në Asamblenë e fundit të Veçantë për Lindjen e Mesme të Sinodit të Ipeshkvijve. Kjo Mbledhje i ka dhënë një inkurajim bashkësive katolike në Irak dhe mbarë Lindjes së Mesme për ta jetuar bashkësinë dhe për të vazhduar të ofrojnë një dëshmi të guximshme feje në ato toka. Falënderoj ngrohtësisht Qeveritë që po punojnë për t’i lehtësuar vuajtjet e këtyre vëllezërve në njerëzim dhe i ftoj Katolikët që të luten për vëllezërit e tyre në fe, të cilët po pësojnë dhunë dhe mungesë tolerance, dhe të jenë solidarë me ta. Në këtë kontekst, kam pasur shumë dëshirë të ndaj me ju disa reflektime mbi lirinë fetare, udhë për paqen. Në fakt, është e dhimbshme kur konstatojmë se në disa krahina të botës nuk është e mundur të dëshmohet dhe të shprehet lirisht feja vetjake, nëse nuk vihet në rrezik jeta dhe liria personale. Në krahina të tjera ekzistojnë forma të tjera më të heshtura dhe më të sofistikuara paragjykimesh dhe kundërshtimesh ndaj besimtarëve dhe simboleve fetare. Të krishterët janë aktualisht grupi fetar që vuan numrin më të madh të përndjekjeve për shkak të besimit të vet fetar. Shumë prej tyre pësojnë çdo ditë fyerje dhe shpesh jetojnë me frikë për shkak të kërkimit të së vërtetës, të fesë së tyre në Jezu Krishtin dhe të apelit të tyre të sinqertë që të njihet liria fetare. E gjithë kjo nuk mund të pranohet, sepse përbën një fyerje ndaj Hyjit dhe ndaj dinjitetit njerëzor; po ashtu, është një kërcënim ndaj sigurisë dhe paqes dhe pengon realizimin e një zhvillimi njerëzor të përnjëmendtë dhe të tërësishëm.
Në fakt, në lirinë fetare gjendjet specificiteti i personit njerëzor, që nëpërmjet saj mund ta drejtojë jetën e vet personale dhe shoqërore kah Hyji, në dritën e të cilit kuptohet plotësisht identiteti, kuptimi dhe qëllimi i njeriut. Ta mohosh apo ta kufizosh në mënyrë arbitrare këtë liri do të thotë të kultivosh një botëkuptim zvogëlues (reduksionist) të personit njerëzor; të errësosh rolin publik të besimit fetar do të thotë të krijosh një shoqëri të padrejtë, pasi nuk është në proporcion me natyrën e vërtetë të personit njerëzor; një gjë e tillë sjell pamundësinë e vendosjes së një paqeje të përnjëmendtë dhe të qëndrueshme në mbarë familjen njerëzore.
Pra, i nxis burrat dhe gratë vullnetmirë që ta ripërtërijnë angazhimin e tyre për ndërtimin e një bote ku të gjithë të jenë të lirë për ta dëshmuar besimin e tyre fetar apo fenë e tyre, dhe ta jetojnë dashurinë e tyre për Hyjin me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me krejt mendjen e tyre (krh. Mt 22,37). Kjo është ndjenja që frymëzon dhe udhëheq Mesazhin për Ditën XLIV Botërore të Paqes, që i kushtohet temës: Liria fetare, udhë për paqen.

Një e drejtë e shenjtë për jetën dhe për një jetë shpirtërore

2. E drejta për lirinë fetare është e rrënjosur në vetë dinjitetin e personit njerëzor, natyra transhendente e të cilit nuk duhet të shpërfillet apo të lihet pas dore. Hyji e ka krijuar burrin dhe gruan në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim të vet (krh. Zan 1,27). Për këtë arsye çdo person në vetvete e ka të drejtën e shenjtë për një jetë tërësore, edhe nga këndvështrimi shpirtëror. Pa njohjen e qenies vetjake shpirtërore, pa hapjen ndaj transhendentes, personi njerëzor mbyllet në veten e vet, nuk arrin t’u japë përgjigje pyetjeve të zemrës së vet rreth kuptimit të jetës dhe të përvetësojë vlera e parime etike të qëndrueshme, nuk arrin as të provojë një liri të përnjëmendtë dhe të zhvillojë një shoqëri të drejtë.
Shkrimi i Shenjtë, në përkim me vetë përvojën tonë, zbulon vlerën e thellë të dinjitetit njerëzor: “Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, hënën e yjet që ti i vendose, çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të? E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e shkëlqim, i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. Gjithçka vure nën këmbët e tija” (Ps 8,4-7).
Përpara realitetit të madhërishëm të natyrës njerëzore, mund të provojmë të njëjtën habi që ka shprehur edhe psalmisti. Ajo shprehet si hapje ndaj Misterit, si aftësi për ta pyetur veten mbi vetë veten tonë dhe mbi zanafillën e gjithësisë, si jehonë e brendshme e Dashurisë supreme të Hyjit, fillimi dhe fundi i të gjitha gjërave, i çdo personi dhe i popujve. Dinjiteti transhendent i personit është një vlerë thelbësore e urtisë judaiko-të krishterë, por, falë arsyes, mund të njihet nga të gjithë. Ky dinjitet, i kuptuar si aftësi për të tejkaluar materialitetin vetjak dhe për të kërkuar të vërtetën, njihet si një e mirë universale, e domosdoshme për ndërtimin e një shoqërie të orientuar kah realizimi dhe plotësia e njeriut. Respektimi i elementëve thelbësorë të dinjitetit të njeriut, si e drejta për jetë dhe e drejta për liri fetare, është një kusht i ligjshmërisë morale të çdo norme shoqërore dhe juridike.

Liria fetare dhe respektimi i ndërsjellë

3. Liria fetare qëndron në zanafillën e lirisë morale. Në fakt, hapja ndaj të vërtetës dhe të mirës, hapja ndaj Hyjit, e rrënjëzuar në natyrën njerëzore, i jep dinjitet të plotë çdo njeriu dhe është garant i respektimit të plotë të ndërsjellë mes personave. Për këtë arsye, liria e besimit fetar duhet të kuptohet jo vetëm si imunitet ndaj detyrimit, por edhe si aftësi për t’i renditur zgjedhjet sipas të vërtetës.
Ekziston një lidhje e pazgjidhshme mes lirisë dhe respektimit; në fakt: “në ushtrimin e të drejtave të tyre çdo qenie njerëzore dhe grup shoqëror, në bazë të ligjit moral, duhet të kenë parasysh si të drejtat e të tjerëve, ashtu edhe detyrat e veta ndaj të tjerëve dhe ndaj të mirës së përbashkët”.
Një liri armike apo indiferente ndaj Hyjit përfundon të mohojë vetveten dhe nuk garanton respektimin e plotë të tjetrit. Një vullnet që besohet se është rrënjësisht i paaftë për ta kërkuar të vërtetën dhe të mirën nuk ka as arsye objektive dhe as motive për të vepruar, përveç atyre të diktuara nga interesat e veta të çastit dhe të rastit, nuk ekziston një “identitet”, i cili duhet ruajtur dhe ndërtuar nëpërmjet zgjedhjeve me të vërtetë të lira dhe të vetëdijshme. Pra, nuk mund të kërkojë të respektohet nga ana e “vullneteve” të tjera, edhe ato të shkëputura nga qenia e tyre më e thellë, gjë që mund të çojë në mbizotërimin e “arsyeve” të tjera apo madje të asnjë “arsyeje”. Iluzioni për të gjetur te relativizmi moral çelësin për një bashkëjetesë paqësore, është në realitet zanafilla e ndarjes dhe e mohimit të dinjitetit të qenieve njerëzore. Pra, ekziston nevoja për të pranuar një përmasë të dyfishtë të njësisë së personit njerëzor: atë fetare dhe atë shoqërore. Në lidhje me këtë, është e pakonceptueshme që besimtarët “duhet të heqin një pjesë të vetes së tyre – fenë e tyre – për të qenë qytetarë aktivë; kurrë nuk do të duhej të ishte e nevojshme që personi të ishte i detyruar të mohonte Hyji që të mund të gëzonte të drejtat e veta”.

Familja, shkollë lirie dhe paqeje

4. Nëse liria fetare është udhë për paqen, edukimi fetar është rruga e privilegjuar për t’i aftësuar breznitë e reja që të njohin te tjetri vëllain e vet dhe motrën e vet, me të cilët duhet të ecin së bashku dhe të bashkëpunojnë që të gjithë të ndihen pjesëtarë të së njëjtës familje, prej së cilës askush nuk duhet të përjashtohet.
Familja e themeluar mbi martesën, shprehje e bashkimit intim dhe e përplotësimit mes një burri dhe një gruaje, përfshihet në këtë kontekst si shkolla e parë e formimit dhe e rritjes shoqërore, kulturore, morale dhe shpirtërore të fëmijëve, që gjithmonë do të duhej të gjenin te babai dhe te nëna dëshmitarët e parë të një jete të orientuar për kërkimin e të vërtetës dhe të dashurisë së Hyjit. Vetë prindërit do të duhej të ishin gjithmonë të lirë për t’ua përçuar pa detyrim dhe me përgjegjësi bijve të tyre trashëgiminë e fesë, të vlerave dhe të kulturës së tyre. Familja, qeliza e parë e shoqërisë njerëzore, mbetet rrethi parësor i formimit për marrëdhënie të harmonishme në të gjitha nivelet e bashkëjetesës njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo është rruga që duhet të përshkohet me urti për ndërtimin e një indi shoqëror të qëndrueshëm dhe solidar, për t’i përgatitur të rinjtë që t’i marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në jetë, në një shoqëri të lirë, në një shpirt mirëkuptimi dhe paqeje.

Një trashëgimi e përbashkët

5. Mund të thuhet që, mes të drejtave dhe lirive themelore të rrënjosura në dinjitetin e personit, liria fetare gëzon një statut të veçantë. Kur liria fetare njihet, dinjiteti i personit njerëzor respektohet në rrënjën e vet, përforcohet ethos-i dhe institucionet e popujve. Edhe e kundërta, kur liria fetare mohohet, kur bëhen përpjekje për ta penguar dëshminë e besimit vetjak fetar apo të fesë vetjake dhe për të jetuar sipas tyre, fyhet dinjiteti njerëzor dhe, po ashtu, kërcënohen drejtësia dhe paqja, të cilat bazohen mbi atë rend të drejtë shoqëror të ndërtuar në dritën e të Vërtetës më të Madhe dhe të së Mirës më të Madhe.
Liria fetare është, në këtë kuptim, edhe një arritje kulture politike dhe juridike. Ajo është një e mirë thelbësore: çdo person duhet të ketë mundësi ta ushtrojë lirisht të drejtën për të dëshmuar dhe për të shprehur, në mënyrë individuale apo bashkësiore, besimin e vet fetar apo fenë e vet, si publikisht ashtu edhe privatisht, në mësimdhënie, në praktika fetare, në botime, në kult dhe në ndjekjen e riteve fetare.
Nuk do të duhej të takonte pengesa, në rast se do të donte t’i bashkëngjitej një besimi tjetër fetar apo nëse do të donte të mos dëshmonte asnjërin prej tyre. Në këtë fushë, sistemi juridik ndërkombëtar është shembullor dhe është një referim thelbësor për të gjitha Shtetet, meqë nuk lejon asnjë shkelje të lirisë fetare, me përjashtim të nevojës së detyrimit të ligjshëm të rendit publik që i përmbahet drejtësisë. Kështu sistemi juridik ndërkombëtar u njeh të drejtave me natyrë fetare të njëjtin status që kanë edhe të drejtat për jetë dhe liri personale, për të përforcuar lidhjen e tyre të përkatësisë me bërthamën thelbësore të të drejtave të njeriut, me ato të drejta universale dhe natyrore që ligji njerëzor kurrë nuk mund t’i mohojë.
Liria fetare nuk është trashëgimi vetëm e besimtarëve, por e krejt familjes së popujve të tokës. Është element i domosdoshëm i një Shteti të së drejtës; nuk mund të mohohet pa cenuar në të njëjtën kohë të gjithë të drejtat dhe liritë themelore, duke qenë përmbledhje dhe kulm i tyre. Ajo është “letër turnësoli për të verifikuar respektimin e të gjitha të drejtave të tjera njerëzore”. Ndërsa nxit ushtrimin e aftësive më specifikisht njerëzore, krijon parakushtet e nevojshme për realizimin e një zhvillimi tërësor, që ka të bëjë në mënyrë të njësishme me totalitetin e personit në çdo përmasë të tij.

Përmasa publike e besimit fetar

6. Liria fetare, si çdo liri, edhe pse zë fill në sferën personale, realizohet në marrëdhënien me të tjerët. Një liri pa marrëdhënie nuk është një liri e arritur. Edhe liria fetare nuk kufizohet vetëm në përmasën individuale, por vihet në jetë në bashkësinë dhe në shoqërinë ku personi jeton, në mënyrë koherente me qenien marrëdhënore të personit dhe me natyrën publike të besimit fetar.
Karakteri marrëdhënor është një përbërës vendimtar i lirisë fetare, që i shtyn bashkësitë e besimtarëve të praktikojnë solidaritetin për të mirën e përbashkët. Në këtë përmasë bashkësiore çdo person mbetet i vetëm dhe i papërsëritshëm dhe, në të njëjtën kohë, plotësohet dhe realizohet plotësisht.
Është i pamohueshëm kontributi që bashkësitë fetare i sjellin shoqërisë. Janë të shumta institucionet bamirëse dhe kulturore, që vërtetojnë rolin konstruktiv të besimtarëve për jetën shoqërore. Edhe më i rëndësishme është kontributi etik i besimit fetar në fushën politike. Ai nuk duhet të lihet mënjanë apo të shmanget, por duhet të kuptohet si ndihmë e vlefshme në nxitjen e të mirës së përbashkët. Në këtë perspektivë duhet të përmendet përmasa fetare e kulturës, që është endur përgjatë shekujve falë kontributit shoqëror dhe sidomos etik të besimit fetar. Kjo përmasë nuk përbën në asnjë mënyrë një diskriminim të atyre që nuk e bashkëndajnë këtë besim, por, përkundrazi, përforcon kohezionin shoqëror, integrimin dhe solidaritetin.

Liria fetare, forcë lirie dhe qytetërimi: rreziqet e strumentalizimit të saj

7. Strumentalizimi i lirisë fetare për të maskuar interesa të fshehta, si p.sh. përmbysja e rendit kushtetues, përvetësimi i padrejtë i burimeve apo mbajtja e pushtetit nga një grup, mund t’i sjellë dëme shumë të rënda shoqërive. Fanatizmi, fondamentalizmi dhe praktikat kundër dinjitetit njerëzor, nuk mund të përligjen kurrë dhe aq më pak nëse kryhen në emër të besimit fetar. Dëshmia e një besimi fetar as nuk mund të strumentalizohet dhe as nuk mund të diktohet me forcë. Për këtë arsye Shtetet dhe bashkësitë e ndryshme njerëzore nuk duhet të harrojnë kurrë se liria fetare është kusht për kërkimin e të vërtetës dhe e vërteta nuk diktohet me dhunë, por me “forcën e vetë së vërtetës ”. Në këtë kuptim, besimi fetar është një forcë pozitive dhe shtytëse për ndërtimin e shoqërisë civile dhe politike.

Si mund të mohohet kontributi që besimet e mëdha fetare të botës kanë dhënë për zhvillimin e qytetërimit? Kërkimi i sinqertë i Hyjit ka çuar në një respektim më të madh të dinjitetit të njeriut. Bashkësitë e krishtera, me trashëgiminë e tyre të vlerave dhe të parimeve, kanë kontribuar shumë në vetëdijesimin e personave dhe të popujve rreth identitetit dhe dinjitetit të tyre, po ashtu edhe në arritjen e formimit të institucioneve demokratike dhe në pohimin e të drejtave të njeriut dhe të detyrave të veta përkatëse.
Edhe sot të krishterët, në një shoqëri gjithnjë e më të globalizuar, janë të thirrur, jo vetëm për një angazhim të përgjegjshëm civil, ekonomik dhe politik, por edhe për një dëshmi të dashurisë-bamirësi dhe të fesë së tyre, për të ofruar një kontribut të çmueshëm ndaj angazhimit të lodhshëm dhe nxitës për drejtësinë, për zhvillimin tërësor njerëzor dhe për renditjen e drejtë të realiteteve njerëzore. Përjashtimi i besimit fetar nga jeta publike i heq kësaj jete një hapësirë jetësore, që e hap njeriun ndaj transhendentes. Pa këtë përvojë parësore paraqitet i rrezikshëm orientimi i shoqërisë drejt parimeve etike universale dhe bëhet i vështirë krijimi i institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare ku të drejtat dhe liritë themelore mund të njihen dhe të realizohen plotësisht, siç propozohen objektivat – që, për fat të keq, ende nuk zbatohen apo kundërshtohen – të Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut të vitit 1948.

Një çështje drejtësie dhe qytetërimi: fondamentalizmi dhe armiqësia kundër besimtarëve paragjykojnë laicitetin pozitiv të Shteteve

8. E njëjta vendosmëri me të cilën janë dënuar të gjitha format e fanatizmit dhe të fondamentalizmit fetar, duhet të gjallërojë edhe kundërshtimin e të gjitha formave të armiqësisë kundër besimit fetar, që kufizojnë rolin publik të besimtarëve në jetën civile dhe politike.
Nuk mund të harrohet që fondamentalizmi fetar dhe laicizmi, njëra si pasqyrë e tjetrës, janë forma të mospranimit të pluralizmit të ligjshëm dhe të parimit të laicitetit. Në fakt, të dyja absolutizojnë një botëkuptim zvogëlues dhe të pjesshëm të personit njerëzor, duke favorizuar, në rastin e parë, forma integralizmi fetar dhe, në të dytin, racionalizmin. Shoqëria që dëshiron të diktojë apo, në të kundërtën, ta zhdukë besimin fetar me dhunë, tregohet e padrejtë ndaj personit dhe Hyjit, por edhe ndaj vetes së vet. Hyji e thërret te vetja e vet njerëzimin me një plan dashurie që, ndërsa përfshin krejt personin në përmasën e tij natyrore dhe shpirtërore, kërkon që ai t’i përgjigjet me liri dhe përgjegjësi, me gjithë zemër dhe me krejt qenien e vet, individuale dhe bashkësiore. Pra, edhe shoqëria si shprehje e personit dhe e tërësisë së përmasave të tij përbërëse, duhet të jetojë dhe të organizohet në mënyrë që të favorizohet hapja ndaj transhendentes. Pikërisht për këtë arsye, ligjet dhe institucionet e një shoqërie nuk mund të përvijohen duke mos përfillur përmasën fetare të qytetarëve apo duke bërë që të mos merret fare parasysh. Ato duhet të maten – nëpërmjet veprës demokratike të qytetarëve të vetëdijshëm për thirrjen e tyre të lartë – me qenien e personit, që të mund të përmbushet përmasa e tij fetare. Duke qenë se kjo përmasë nuk është krijuar nga Shteti, ajo nuk mund të manipolohet, por duhet të njihet dhe të respektohet prej tij.
Sistemi juridik në të gjitha nivelet, kombëtare dhe ndërkombëtare, kur lejon apo toleron fanatizmin fetar apo antifetar, nuk e kryen misionin e vet, që ka të bëjë me mbrojtjen dhe me nxitjen e drejtësisë dhe të së drejtës së secilit. Këto realitete nuk mund të lihen në dorë të arbitrit të ligjvënësit apo të shumicës, sepse, siç mësonte Ciceroni, drejtësia është diçka më tepër se sa thjesht një akt, që lind si rrjedhojë e ligjit dhe e zbatimit të tij. Ajo kërkon që çdo personit t’i njihet dinjiteti i tij, i cili, pa lirinë fetare, të garantuar dhe të jetuar në thelbin e saj, rezulton i cunguar dhe i fyer, i rrezikuar që të bjerë nën pushtetin e idhujve, të të mirave relative të shndërruara në absolute. E gjithë kjo e ekspozon shoqërinë ndaj rrezikut të totalitarizmit politik dhe ideologjik, që emfatizon pushtetin publik, ndërsa shtyp apo kufizon, gati si të ishin konkurrentë, liritë e ndërgjegjes, të mendimit dhe të besimit fetar.

Dialogu mes institucioneve civile dhe fetare

9. Trashëgimia e parimeve dhe e vlerave të shprehura nga një besim autentik fetar është një pasuri për popujt dhe ethos-in e tyre. Ai u flet drejtpërdrejtë ndërgjegjeve dhe arsyes së burrave dhe të grave, kujton imperativin e kthimit moral, motivon për të kultivuar praktikimin e virtyteve dhe për t’iu afruar njëri-tjetrit me dashuri, në shenjën e vëllazërisë, si pjesëtarë të familjes së madhe njerëzore.
Në respektimin e laicitetit pozitiv të institucioneve shtetërore, përmasa publike e besimit fetar duhet të njihet gjithmonë. Për këtë arsye është thelbësor një dialog i shëndetshëm mes institucioneve civile dhe atyre fetare për zhvillimin tërësor të personit njerëzor dhe të harmonisë së shoqërisë.

Të jetosh në dashuri dhe në të vërtetë

10. Në botën e globalizuar, të karakterizuar nga shoqëri gjithnjë e më shumë-etnike dhe shumë-konfesionale, besimet e mëdha fetare mund të përbëjnë një faktor të rëndësishëm njësie dhe paqeje për familjen njerëzore. Mbi bazën e bindjeve vetjake fetare dhe të kërkimit racional të së mirës së përbashkët, ndjekësit e tyre janë të thirrur për ta jetuar me përgjegjësi angazhimin e tyre në një kontekst lirie fetare. Në kulturat e ndryshme fetare, ndërsa duhet të hidhet poshtë gjithçka që është kundër dinjitetit të burrit dhe të gruas, duhet të çmohet shumë ajo që është pozitive për bashkëjetesën civile.
Hapësira publike, që bashkësia ndërkombëtare u lë besimeve fetare dhe propozimit të tyre të “jetës së mirë”, ndihmon nxjerrjen në pah të një mase të bashkëndashme të së vërtetës dhe të së mirës, si edhe një përputhje mendimesh nga ana morale, që janë themelore për një bashkëjetesë të drejtë dhe paqësore. Lidërat e besimeve të mëdha fetare, për rolin, ndikimin dhe autoritetin e tyre në bashkësinë e veta, janë të parët që janë të thirrur për një respektim të ndërsjellë dhe për dialog.
Të krishterët, përsa u përket atyre, janë të nxitur nga feja e tyre në Hyjin, Atë të Zotit Jezu Krisht, për të jetuar si vëllezër, që takohen në Kishë dhe bashkëpunojnë për ndërtimin e një bote ku personat dhe popujt “s’do të bëhen dëm as s’do të vriten në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi deti që mbushet me ujë” (Is 11,9).

Dialogu si kërkim i përbashkët

11. Për Kishën dialogu mes ndjekësve të besimeve të ndryshme fetare përbën një mjet të rëndësishëm për të bashkëpunuar me të gjitha bashkësitë fetare për të mirën e përbashkët. Vetë Kisha nuk hedh poshtë asgjë që është e vërtetë dhe e shenjtë në besimet e tjera fetare. “Ajo i vlerëson me një respekt të sinqertë ato mënyra të të vepruarit dhe të të jetuarit, ato norma dhe ato doktrina që, edhe pse në shumë pika ndryshojnë nga ato që ajo vetë beson dhe propozon, megjithatë jo rrallëherë pasqyrojnë një rreze të asaj të vërtetë që i ndriçon të gjithë njerëzit”.
Rruga e treguar nuk është ajo e relativizmit, apo e sinkretizmit religjioz. Kisha, në fakt, “kumton, dhe duhet të kumtojë, Krishtin që është ‘udha, e vërteta dhe jeta’ (Gjn 14,6), ku njerëzit duhet të gjejnë plotësinë e jetës së tyre fetare dhe në të cilin Hyji ka pajtuar me veten e vet të gjitha gjërat”. Kjo nuk përjashton gjithsesi dialogun dhe kërkimin e përbashkët të së vërtetës në fusha të ndryshme jetësore, duke qenë se, siç thotë një shprehje e përdorur shpesh nga Shën Toma i Akuinit, “çdo e vërtetë, prej kujdo që mund të thuhet, vjen nga Shpirti Shenjt”.
Në vitin 2011 festohet 25 vjetori i Ditës Botërore të Lutjes për Paqen, mbledhur në Asizi në vitin 1986 nga i Nderuari Gjon Pali II. Me këtë rast lidërat e besimeve të mëdha fetare të botës kanë dëshmuar se si besimi fetar është një faktor bashkimi e paqeje, dhe jo ndarjeje e konflikti. Kujtimi i asaj përvoje është një motiv shprese për një të ardhme ku të gjithë besimtarët të ndihen dhe të bëhen punëtorë të përnjëmendtë të drejtësisë dhe të paqes.

E vërteta morale në politikë dhe në diplomaci

12. Politika dhe diplomacia do të duhej ta përdornin trashëgiminë morale dhe shpirtërore, të ofruar nga besimet e mëdha fetare të botës, për të njohur dhe për të pohuar të vërteta, parime dhe vlera universale, që nuk mund të mohohen pa mohuar së bashku me to edhe dinjitetin e personit njerëzor. Por çfarë do të thotë, praktikisht, të nxitësh të vërtetën morale në botën e politikës dhe të diplomacisë? Do të thotë të veprosh në mënyrë të përgjegjshme mbi bazën e njohjes objektive dhe tërësore të fakteve; do të thotë të ndryshosh strukturën e ideologjive politike që zënë vendin e të vërtetës dhe të dinjitetit njerëzor dhe duan të nxisin pseudo-vlera me pretekstin e paqes, të zhvillimit dhe të të drejtave njerëzore; do të thotë të nxitësh një angazhim konstant për ta bazuar ligjin pozitiv mbi parimet e ligjit natyror. E gjithë kjo është e nevojshme dhe koherente me respektimin e dinjitetit dhe të vlerës së personit njerëzor, të sanksionuar nga Popujt e tokës në Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1945, që përmban vlera dhe parime morale universale, që shërbejnë si pika referimi për normat, institucionet, sistemet e bashkëjetesës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Përtej urrejtjes dhe paragjykimit

13. Me gjithë mësimet e historisë dhe angazhimin e Shteteve, të Organizatave ndërkombëtare në nivel botëror dhe vendor, të Organizatave jo qeveritare dhe të të gjithë burrave dhe grave vullnetmirë që çdo ditë angazhohen për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive themelore, në botë ende sot shënohen përndjekje, diskriminime, akte dhune dhe mungese tolerance për shkak të besimit fetar. Në veçanti, në Azi dhe në Afrikë viktimat kryesore janë pjesëtarë të pakicave fetare, të cilave u pengohet ta dëshmojnë lirisht besimin e tyre fetar apo ta ndryshojnë atë, nëpërmjet frikësimit dhe dhunimit të të drejtave, të lirive themelore dhe të të mirave thelbësore, duke arritur deri te heqja e lirisë personale apo e vetë jetës.
Ashtu siç kam pohuar edhe më përpara, ekzistojnë forma më të sofistikuara armiqësie kundër besimit fetar, që në Vendet perëndimore shprehen ndonjëherë me mohimin e historisë dhe të simboleve fetare në të cilat pasqyrohet identiteti dhe kultura e shumicës së qytetarëve. Ato shpesh nxisin urrejtje dhe paragjykim dhe nuk janë koherente me një botëkuptim të kthjellët dhe të ekuilibruar të pluralizmit dhe të laicitetit të institucioneve, pa llogaritur që breznitë e reja rrezikojnë që të mos hyjnë në kontakt me trashëgiminë e çmuar shpirtërore të Vendeve të tyre.
Mbrojtja e besimit fetar kalon nëpërmjet mbrojtjes së të drejtave dhe të lirive të bashkësive fetare. Lidërat e besimeve të mëdha fetare të botës dhe përgjegjësit e Kombeve ripërtërijnë angazhimin për nxitjen dhe mbrojtjen e lirisë fetare, në veçanti për mbrojtjen e pakicave fetare, të cilat nuk përbëjnë një kërcënim kundër identitetit të shumicës, por janë përkundrazi një mundësi për dialog dhe pasurim të ndërsjellë kulturor. Mbrojtja e tyre paraqet mënyrën ideale për të përforcuar shpirtin e dashamirësisë, të hapjes dhe të ndërsjellshmërisë me të cilat duhet të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore në të gjitha rajonet dhe krahinat e botës.

Liria fetare në botë

14. Në fund, po u drejtohem bashkësive të krishtera, që pësojnë përndjekje, diskriminime, akte dhune dhe mungese tolerance, në veçanti në Azi, në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht në Tokën e Shenjtë, vend i përzgjedhur dhe i bekuar prej Hyjit. Ndërsa u ripërtërij atyre dashurinë time atërore dhe u siguroj lutjen time, u kërkoj të gjithë përgjegjësve që të veprojnë pa ngurruar për t’i dhënë fund çdo padrejtësie kundër të krishterëve, që banojnë në ato krahina. Urojmë që nxënësit e Krishtit, përpara këtyre kundërshtive, që të mos i lëshojë zemra, sepse dëshmimi i Ungjillit është dhe do të jetë gjithmonë shenjë kundërshtie.
Le t’i meditojmë në zemrën tonë fjalët e Zotit Jezus: “Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen! Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën! Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen! Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë! Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin. Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!” (Mt 5,4-12). Atëherë le ta ripërtërijmë “angazhimin që kemi marrë për ndjesë dhe falje, që i kërkojmë në lutjen Ati ynë prej Hyjit, për faktin se ne vetë i kemi vendosur si kusht dhe masë të zemërdhembshurisë së dëshiruar. Në fakt, lutemi kështu ‘Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë’ (Mt 6,12)”. Dhuna nuk tejkalohet me dhunë. Klithma jonë e dhimbjes gjithmonë u shoqëroftë nga feja, nga shpresa dhe nga dëshmimi i dashurisë së Hyjit. Ky është edhe urimi im me qëllim që në Perëndim, sidomos në Evropë, të reshtin armiqësia dhe paragjykimet kundër të krishterëve, thjesht për faktin se duan ta orientojnë jetën e tyre në mënyrë koherente me vlerat dhe parimet e shprehura në Ungjill. Do të ishte më mirë sikur Evropa të dijë të pajtohet me rrënjët e veta të krishtera, që janë themelore për të kuptuar rolin që ka pasur, që ka dhe që ka ndër mend të ketë në histori, do të dijë, kështu, të provojë drejtësinë, harmoninë dhe paqen, duke kultivuar një dialog të sinqertë me të gjithë popujt.

Liria fetare, udhë për paqen

15. Bota ka nevojë për Hyjin. Ka nevojë për vlera etike dhe shpirtërore, universale dhe të bashkëndara, dhe besimi fetar mund të ofrojë një kontribut të çmueshëm në kërkimin e tyre, për ndërtimin e një rendi shoqëror të drejtë dhe paqësor, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Paqja është një dhuratë e Hyjit dhe në të njëjtën kohë një projekt që duhet realizuar, por kurrë totalisht i përmbushur. Një shoqëri e pajtuar me Hyjin është më afër paqes, që nuk është thjesht mungesë lufte, nuk është thjesht as fryt i mbizotërimit ushtarak apo ekonomik, as edhe i dinakërisë gënjeshtare apo i aftësisë manipoluese. Në fakt, paqja është rezultat e një procesi pastrimi dhe ngritjeje kulturore, morale dhe shpirtërore të çdo personi dhe populli, ku dinjiteti njerëzor respektohet plotësisht. I ftoj të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen punëtorë të paqes, dhe sidomos të rinjtë, të vihen në dëgjim të zërit të tyre të brendshëm, për të gjetur në Hyjin referimin e qëndrueshëm për arritjen e një lirie të përnjëmendtë, që është forca e pashterueshme për ta orientuar botën me një shpirt të ri, të aftë për të mos ripërsëritur gabimet e kaluara. Siç mëson Shërbëtori i Hyjit Pali VI, urtësisë dhe largpamësisë të të cilit i detyrohet caktimi i Ditës Botërore të Paqes: “Para së gjithash Paqes duhet t’i jepen armë të tjera, jo ato që përdoren për të vrarë dhe për ta shfarosur njerëzimin. Para së gjithash janë të nevojshme armët morale, që i japin forcë dhe prestigj të drejtës ndërkombëtare; ato, të parat, të zbatimit të pakteve”. Liria fetare është një armë e përnjëmendtë e paqes, me një mision historik dhe profetik. Në fakt, ajo vlerëson dhe pjek cilësitë dhe potencialitetet më të thella të personit njerëzor, të afta për ta ndryshuar dhe për ta bërë botën më të mirë. Ajo mundëson që të vazhdojmë të shpresojmë për një të ardhme drejtësie dhe paqeje, edhe përpara padrejtësive të rënda e mjerimit material dhe moral. Të gjithë njerëzit dhe shoqëritë në çdo nivel dhe në çdo kënd të Tokës uroj që shpejt të mund ta provojnë lirinë fetare, udhë për paqen!
Vatikan, më 8 dhjetor 2010
PAPA BENEDIKTI XVI







All the contents on this site are copyrighted ©.