Me 4 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Elizabeta Ana Bayley Seton
Sot me 4 janar kalendari Kishtar përkujton të Lumen Angjela nga Folinjo, rregulltare
françeskane, Shën Kristianën, mistike, Akuilinin, Gjelminin, Euganin, Marcianin, Kuintin,
Teodotin e Trifonin, martirizuar në vitin 484 në Afrikë dhe Shën Elizabeta Ana
Bayley, themeluese e rregulltarëve të bamirësisë të Shën Jozefit. Po ne do
të ndalemi te figura e Shën Elisabetës Ana Bayley Seton. Ajo lindi më 28 gusht
1744 në Nju Jork, në familjen e një mjeku të krishterë të bashkësisë kishtare episkopaliane.
Pati fëmijëri e rini të zakonshme, pa ngjarje të mëdha e të veçanta. U martua e re
dhe Zoti i fali pesë fëmijë. Shumë shpejt Elizabeta mbeti e vejë. Pas vdekjes
së të shoqit, u kthye në bashkësinë katolike dhe themeloi “Motrat e bamirësisë të
Shën Jozefit”, Sister of charity, Kongregatë rregulltare shumë e përhapur dhe e njohur
në SHBA-së. Është Kongregata e parë femërore amerikane, që u themelua më 1 qershor
1809 dhe shenjta e ardhshme, Elizabeta, qe eprorja e parë e përgjithshme. Nisi
kështu t’u shërbente me të gjitha forcat të varfërve e të vuajturve. Njëkohësisht
iu kushtua me të njëjtin zell, shkollave famullitare. Kongregata rritej me shpejtësi
të madhe e në vitin 1812 u autorizua të ndiqte si rregull atë të motrave të Shën Vinçenc
de Paolit. Elizabeta Ana Bayley, e veja Seton, vdiq më 4 janar të vitit 1821. Sapo
kishte mbushur 46 vjet. U shpall e lume më 1963 nga papa Gjoni XXIII; shenjte më datën
14 shtator 1975 nga papa Pali VI.