2011-01-03 16:33:31

Papa në Engjëllin e Tënzot dënon masakrën në Egjipt e mbron familjen.


(03.01.2011 RV)Benedikti XVI shprehu hidhërimin e tij të thellë për masakrën që, natën e vitit të ri, shkaktoi vdekje, plagë e ndeshje para kishës në Aleksandri të Egjiptit. E quajti “gjest të ulët vdekjeprurës”. Reflektoi, pastaj, edhe për vlerën e familjes, duke përshëndetur pjesëmarrësit në manifestimin e organizuar dje në Madrid.
 
Thellësisht i hidhëruar për masakrën në Aleksandri të Egjiptit, Papa e dënoi ashpër sulmin e ri kundër të krishterëve, që e mbushi natën vitit të ri me gjak e kujë, në prag të një Kishe, ku besimtarët ishin mbledhur të luteshin pikërisht për një vit paqësor e të begatë:
“Ky gjest i ulët vdekjeprurës, ashtu si ai i vënies së bombave në pragjet e shtëpive të të krishterëve në Irak, për t’i detyruar të ikin, fyen Zotin e mbarë njerëzimin, i cili pikërisht dje lutej për paqen dhe niste, plot shpresë, një vit të ri”.
Papa e shikon këtë masakër kundër besimtarëve në Krishtin, si pjesë përbërëse të strategjisë së dhunës, e ripohon mësimin e Ungjillit, që nuk ndryshon kurrë në rrjedhë motesh:
Përballë kësaj strategjie dhune, që vë në shënjestër të krishterët, me pasoja mbi të gjithë popullsinë, lutem për viktimat e për familjarët e tyre dhe inkurajoj bashkësinë kishtare të mbështetet fort tek feja e tek dëshmia, duke iu kundërvënë dhunës, me dashurinë ungjillore. Mendoj edhe për veprimtarët e shumtë baritorë, të vrarë gjatë 2010-tës në të katër anët e botës, të cilët i kujtoj me dashuri të thellë para Zotit. Të bashkohemi fort në Krishtin, që është shpresa jonë e paqja jonë”.
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u drejtoi përshëndetjen më të përzemërt, mijëra familjeve, të mbledhura në Madrid për manifestimin me temë “Familja e krishterë, shpresë e Evropës”:
…las familias cristianas, auténticos santuario de fidelidad, respecto y comprensiơn …”
Familjet e krishtera janë shenjtërore të vërteta besnikërie, respekti, mirëkuptimi. Papa i fton ta jetojnë martesën e krishterë me entuziazëm, si shërbëtorë të dashurisë, që e pranon dhe e mbron jetën. Në familje – theksoi Benedikti XVI – transmetohet feja, forcohet shpresa e mishërohet dashuria e krishterë.
Duhet kujtuar se dje liturgjia kishte në qendër të vëmendjes Hyrjen e Ungjillit të Shën Gjonit, që shpreh, në formë himni, Misterin e mishërimit të predikuar nga Apostujt, të cilët e panë me sytë e tyre zbritjen e Zotit ndër ne. E Papa, me fjalët e Shën Gjonit, na rikujton se: “ .. .Fjala u bë njeri, e banoi ndër ne. ..e... Prej plotësisë së Tij të gjithë morëm hire e mbi hire”.
Gjatë përshndetjeve në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI u uroi përsëri të gjithëve vitin e ri, duke i inkurajuar:
në frëngjisht “ ta lenë Krishtin, dritë e botës, t’u prijë në të gjitha udhët e vitit, që sapo filloi”;
në anglisht, “ta kenë pranë Jezusin, që sjell hir e vërtetësi”; në spanjisht, “t’ia hapin zemrat misterit të dashurisë së pafundme të Hyjit”;
në polonisht: “ta lavdërojnë në amshim dijen e Hyjit e ta falënderojnë për bekimin që na dha me Fjalën e mishëruar”.
Në italisht, së fundi, një përshëndetje e posaçme drejtuar grupeve famullitare, ardhur nga rrethinat e Komos.
Të gjithëve, nga Benedikti XVI, urimet më të mira, për të dielën e javën e parë të vitit të ri 2011!







All the contents on this site are copyrighted ©.