2011-01-03 19:17:35

Kisha kopte, pak histori


(03.01.2011 RV)Gjithë bota, që prej tri ditësh, e ka në gojë Kishën kopte. Po ç’është kjo Kishë e cilat janë tiparet themelore të saj? Është Kishë e krishterë miafizite, e jo monofizite, siç quhet gabimisht, emër të cilin Ortodoksët etiopë nuk e pranojnë. Radhitet ndërmjet Kishave lindore më të lashta.
Në Kishën kopte, titulli i papës i përket patrikut të Aleksandrisë. Aktualisht Shenuda III është i 117-ti papë i Kishës ortodokse kopte.
Gjatë shekullit XIX një pjesë e kësaj Kishe u bashkua me Papën e Romës e vijon të njihet edhe sot e kësaj dite me emrin Kisha katolike kopte.

Etimologjia
Termi ‘kopt’ rrjedh nga ai arab qubṭ (قبط), dhe është arabizim i termit Kubti, që mendohet të ketë ardhur nga fjala greke aigyptius, domethënë, egjiptian.

Kristologjia
Konceptimi i Krishtit nga Kisha kopte, dallohet prej atij të nestorianëve e të monofizitëve në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Edhe sot e kësaj dite koptët e quajnë veten ‘miafizitë’, sepse nuk besojnë, ashtu si kalçedonezët, se mund të ketë “dy natyra në një njeri”. Ata flasin për ‘një natyrë të vetme të Fjalës së Mishëruar” (duke u nisur nga fjalët e Shën Çirilit të Aleksandrisë). E kjo, sepse sipas rrëfimit biblik, çdo natyre i përket një njeri e që Trinia të mos bëhet Katërni, Krishti duhet konceptuar me një natyrë të vetme.
Koptët besojnë se Zoti është i përkryer si hyjni e si njeri, por si ana hyjnore, ashtu edhe ajo njerëzore, bashkohen në një natyrë të vetme, që quhet “natyra e Fjalës së mishëruar”, ripohuar me forcë nga Shën Çirili i Aleksandrisë.

Historia
Kisha kopte u themelua në Egjipt në shekullin I: emri i saj vjen nga fjala greke aigyptios. Predikimin e parë të Ungjillit e mori nga Shën Marku, dishepull i Krishtit, që e shkroi Ungjillin e tij në shekullin I , duke përhapur krishterimin në Egjipt, kur në Romë sundonte Neroni, një nga kundërshtarët më gjakatarë të fesë së re. Liturgjia, e njëllojtë me atë evropiane (Liturgjia Hyjnore), më pas u zhvillua në dy drejtime, edhe pse ajo evropiane u ndikua nga patriarkana e Kostandinopojës, ndërsa ajo kopte, nga patriakana e Aleksandrisë. Kisha kopte nuk i njeh vendimet e Koncilit të Kalçedonisë (451). Këtu nisi edhe veçimi i Ortodoksisë etiopike.
Murgjërit e parë u dukën në Egjipt aty nga shekulli IV. Shumë prej tyre vdiqën si martirë. Gjatë shekullit IV e V, Kisha kopte e Kisha latine dhe greke u shkëputën njëra nga tjetra. Ishin shekujt, që u karakterizuan nga të ashtuquajturat herezi kristologjike. Të krishterët u përçanë, për shkak të mendimeve të ndryshme mbi natyrën e Krishtit. Arianët theksonin natyrën njerëzore të Zotit; nestorianët e konsideronin Krishtin njeri e Zot njëherësh, por nuk pranonin njëkohësinë e të dyja natyrave.
Kisha kopte është një nga ato, që vuajtën më shumë nga pushtimet arabe në veri të Afrikës. Islami vërtet deklaroi se e pranonte “fenë e Librit”, por në praktikë nisi t’i përndiqte besimtarët e feve të tjera e të përpiqej për islamizmin e tyre.

Dialogu ekumenik
Pas Koncilit II të Vatikanit, Kisha katolike e Kisha kopte nisën udhën ekumenike të dialogut. Më 1973 kjo udhë çoi në takimin e parë, pas 15 shekujsh, ndërmjet Papës Pali VI dhe Patrikut të koptëve, Shenuda III. Të dy vendosën të nisin dialogun teologjik, fryt i të cilit ishte deklarata e përbashkët e 12 shkurtit 1988 (asokohe Kisha katolike kryesohej nga Gjon Pali II). Ishte marrëveshje zyrtare mbi kristologjinë, miratuar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse, duke i dhënë fund shekujve të mosbesimit reciprok. Kështu të dy papët u shprehën njëherësh: “Besojmë se Zoti ynë, Hyji e Shëlbuesi, Jezu Krishti, Fjala e Mishëruar, është i përkryer në natyrën e tij hyjnore e i përkryer edhe në natyrën e tij njerëzore, natyra që nuk mund të ndahen për asnjë çast”.

Pse u godit kisha e Shenjtorëve Pjetër e Pal në Aleksandri?
Al Kaeda i ftoi të gjithë ata, që e kanë për zemër çështjen e Allahut, t’i sulmojnë kishat kopte, ku e si të munden, pikërisht për Krishtlindje, në kremtime me turma besimtarësh, për të mbytur sa më shumë prej tyre. E gjithë kjo masakër, me pretekstin se koptët kanë mbyllur në manastire gra të kthyera në fenë islame, të cilat, gjithnjë sipas tyre, duhen lënë të lira. Fanatikëve nuk u kanë munguar kurrë pretekstet, në përpjekjen për të përligjur dhunën në emër të Hyjit e për të përçuar urrejtjen ndërmjet feve.







All the contents on this site are copyrighted ©.