2011-01-03 19:17:51

Benedikti XVI dhe ‘shpirti i Asizit’: kush ecën drejt Zotit, mund të çojë mes njerëzve vetëm paqe.


(03. 01.2011 RV)“Të kujtojë takimin historik ndërfetar të 1986-ës në Asizi, thirrur nga Gjon Pali II, por edhe të përsërisë solemnisht zotimin e besimtarëve të të gjitha feve, që ta jetojnë besimin e tyre fetar si shërbim për kauzën e paqes”. Këto janë ndjetet, me të cilat do të shkojë Benedikti XVI në qytetin françeskan, ku do t’i shikojmë përsëri së bashku krerët e feve më të rëndësishme botërore. Shumë herë, gjatë fjalimeve të tij, Papa e ka theksuar me forcë rolin që luajnë fetë për sigurimin e paqes botërore. Prej këndej, nga fetë mund e duhet të burojë paqja e njeriut dhe e njerëzimit.

Kur lutesh para syve të Zotit, nuk kanë rëndësi fjalët, as gjestet, me të cilat e nderon të Gjithëpushtetshmin. Ajo që ka rëndësi, është guximi për të qenë në botë, në mënyra të ndryshme, e megjithatë së bashku, Shpirti i Zotit. E pikërisht me këtë ritëm rreh zemra e Kishës, rrahje që u ndje fort në mbarë botën 25 vjet më parë, kur Gjon Pali II arriti ta bëjë “të dukshme”, “të pamundurën”, duke i vënë krah për krah e zemër për zemër, fetë e mëdha të botës, që të gjitha shtetet ta shikonin me sy se trau kulmor i paqes mbështetet gjithnjë mbi shtyllat e fuqishme të fesë. Pse i lindi ideja të shkojë përsëri në qytetin e paqes françeskane, Benedikti XVI e shpjegoi përmbledhtas në lutjen e Engjëllit të Tënzot, ditën e parë të vitit të ri 2011, kur dha njoftimin e papritur. 25 vjet pas takimit të paharrueshëm ndërfetar, që pati mbledhur Gjon Pali II në Asizi, në vitin 1986, Benedikti XVI komunikoi se do ta kremtojë në të njëjtën mënyrë këtë ngjarje, sepse – vërejti - kush vihet për udhë drejt Zotit, nuk mund të mos ua përcjellë edhe të tjerëve frymën e paqes, e kush punon për paqen, nuk mund të mos i afrohet Zotit. I sigurt për këtë, Papa do të marrë, në tetorin e ardhshëm, udhën për Asizi, atje ku filloi gjithçka. Këtë Benedikti XVI e pati nënvizuar edhe tri vjet më parë, më 21 tetor 2007, kur ndodhej për vizitë në Napoli, me rastin e takimit “Njerëz e besime”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, një nga nismat ndërkombëtare më të ndjekura e më jetëgjata, që buruan nga ‘shpirti i Asizit” . Gjatë kësaj vizite, Ati i Shenjtë kujtoi vitin 1986, kur Gjon Pali II pati ftuar, mbi kodrën e Shën Françeskut, përfaqësuesit më të lartë të feve, që të luteshin së bashku për paqen, duke theksuar lidhjen e pandashme ndërmjet feve e kësaj pasurie themelore për njerëzimin. Benedikti XVI vijoi ta kujtonte takimin e 2002-shit, një vit pas ngjarjeve dramatike të 11 shtatorit, kur liderët fetarë u mblodhën përsëri në Asizi për t’iu lutur Zotit ta shpëtonte njerëzimin prej kërcënimeve të tmerrshme, sidomos nga ana e terrorizmit:
“Duke respektuar ndryshimet ndërmjet feve – pati theksuar Papa - të gjithë jemi të thirrur të punojmë për paqen me një impenjim energjik, për të promovuar pajtimin ndërmjet popujve. Ky është shpirti i vërtetë i Asizit, që i kundërvihet çdo forme të dhunës dhe çdo shpërdorimi të fesë, si pretekst për ushtrimin e dhunës”- pati pohuar me forcë Ati i Shenjtë e në vijim u kërkoi të gjithëve bashkëpunim për paqen, kundër përligjjes së dhunës e të urrejtjes:
“Përballë një bote të dërmuar nga konfliktet, atje ku nganjëherë përligjet dhuna në emër të Hyjit, është e rëndësishme të ripohohet se fetë nuk duhet të bëhen kurrë përçuese të urrejtjes; nuk mund të arrihet kurrë në përligjjen e së keqes e të dhunës, duke thirrur emrin e Zotit. Përkundrazi, fetë mund e duhet të ofrojnë burime të çmuara për ndërtimin e njerëzimit paqësor, sepse i flasin për paqe zemrës së njeriut”.
Kështu duhet të ishte, por skena aktuale botërore shpesh tregon të kundërtën. E gjithnjë më shpesh të parët, që vihen në shënjestër të kamikazeve a të autobombave, të përdorura për të vrarë nga ata që nuk besojnë në Zotin a që e kanë shndërruar emrin e tij në flamur për të luftuar luftërat e veta – janë pikërisht gratë e burrat që besojnë me gjithë zemër, secili sipas mënyrës së vet. Janë këta që, gjithnjë më shpesh, gjejnë vdekjen në pragun e një kishe a të një xhamie. Papa e pati theksuar këtë në fillim të korrikut të kaluar, duke i drejtuar fjalën ambasadorit të ri të Republikës së Irakut, Habeb Mohamed Radi Ali Al-Sadr, të cilin e priti në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale. “Vitet e fundit – pati vërejtur - në Irak kanë qenë plot me akte tragjike dhune, në kundërshtim të plotë me mësimet e islamit e të krishterimit. Janë kryer kundër popullsive të pafajshme myslimane e kristiane. Të dyja palët vuajtën së bashku, e pikërisht kjo vuajtje e përbashkët mund të shërbejë për të krijuar një lidhje të fuqishme, duke forcuar vendosmërinë e myslimanëve dhe të krishterëve për paqe e pajtim. Historia, vijoi, dëshmon se pikërisht këta burra e këto gra, që japin shembullin e tyre të shkëlqyer, duke ecur në rrugën paqësore e duke mbrojtur vlerat më të larta, humbasin jetën për shkakun e akteve burracake të dhunës.
Të ulët janë ata, që shkaktojnë vdekje në emër të Zotit, i cili është jetë; e heronj të panjohur, të gjithë ata, që e rrezikojnë jetën, për të mos e tradhtuar besimin në Zotin e tyre: është kjo ndeshja. Ndeshje ndërmjet këtyre njerëzve, e jo ndërmjet qytetërimeve, siç përpiqen ta paraqesin ata, që duan ta fshehin pikërisht këtë të vërtetë, sa heroike, aq edhe kriminale. Heroike, për besimtarët, që ecin me rrezik koke në rrugën e Zotit; kriminale, për ata që mbrojnë interesat e tyre, duke mbjellur në botë farën e urrejtjes kundër mbrojtësve të interesave të Zotit, në duart e të cilit janë fatet e botës.
Pikërisht këto ndjenja e mendime, këto ngjarje e dëshmi, Papa do t’i mbartë me vete në Asizin, i cili prej 25 vjetësh, siç u shpreh vetë Benedikti XVI – është epiqendra e paqes ndërkombëtare, e jo vetëm fetare. E kujton këtë zëdhënësi i Kuvendit të Shenjtë të qytetit françeskan, atë Enco Fortunato, intervistuar nga Radio Vatikani:

“Mendja më shkon tek viti 1986, në kulmin e Luftës së Ftohtë e tek ky takim, që u bë simbol i paqes, e cila menjëherë pas, nisi të shtrihej që këtu, në të katër anët. Mendoj për takimin kushtuar Bosnjë-Hercegovinës në vitin ’93: pas takimit me hebrenjtë, myslimanët e të krishterët në Asizi, erdhi paqja. E kështu edhe në vitin 2002; takimi i liderëve fetarë, pas atentateve të tmerrshme të Twin Tower e dëshmia: Zoti nuk duhet lutur më si Ai që e krijoi njeriun për të shkuar në luftë, sepse e ka krijuar për të ecur në rrugën e paqes”.
Në Asizi këmbanat ranë të gjitha përnjëherësh e për një kohë të gjatë, duke dhënë kumtin për vizitën e ardhshme të Benediktit XVI - tregon atë Enco. E natyrisht, jehona e tyre shkoi larg, shumë larg. Është jehona e shpirtit të Asizit dhe e dëshirave e ndjeteve të Papës:
“Uroj me gjithë zemër që ky shpirt të përhapet përherë e më shumë, atje ku tensionet janë më të forta, atje ku liria e respekti për tjetrin mohohen e burra e gra vuajnë për shkak të pasojave të intolerancës e të moskuptimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.