Më 2 janar kalendari përkujton Shën Bazilin e Madh e Gregorin Nazianzeni
(02.01.2011 RV)Sot me 2 janar Kisha përkujton dy figura të mëdha të krishtërimit lindor:
Shën Bazilin e Madh dhe Shën Gegën (Gregorin) Nazanxienë, miq të mëdhenj, që të dy
ipeshkvij, mbrojtës të fesë dhe ripërtëritës të Kishës së asaj kohe. I pari njeri
i veprimit, i dyti i adhurimi dhe i meditimit, por dy miq sikur të ishin një shpirt
i vetëm në dy trupa. Kështu mund të përshkruhen karakteret dhe marrëdhëniet ndërmjet
këtyre dy shenjtërve të kishës së hershme. Shën Bazili i Madh, ipeshkëv
e doktor i Kishës, lindi në vitin 330 në Kapadokie të Çezaresë, sot qyteti turk Kaizeri.
Ishte bir i një familjeje tepër të përshpirtshme. Përveç prindërve, edhe tre nga nëntë
vëllezërit e tij, u shpallën shenjtorë. Para se të ishte ipeshkëv në vendlindje, jetoi
në Palestinë e në Egjipt. Vdiq ende i ri, 49 vjeç, por gjatë këtyre viteve zhvilloi
një veprimtari aq të dendur, aq të pasur me predikime e vepra, sa të meritonte titullin’
i Madh’. Meshtar u shugurua rreth vitit 364 në duart e Euzebit të Çezaresë, të cilin
e zëvendësoi në katedrën ipeshkvnore, në vitin 370. Gjatë shërbimit të tij ipeshkvnor
iu kundërvu me të gjitha forcat herezisë ariane. Vdiq më 1 janar të vitit 379 në Çezare,
ku edhe u varros. Benedikti XVI i ka kushtuar Shën Bazilit dy audienca të përgjithme:
atë të 4 korrikut e të 1 gushtit 2007. Shën Bazili – na kujton Benedikti
XVI - mund të konsiderohet një nga etërit e Doktrinës Shoqërore të Kishës; me jetën
e me shkrimet e tij na fton të reflektojmë për misterin e Hyjit, të pranojmë se veprat
e dashurisë së krishterë kanë rëndësi të dorës së parë për të shprehur fenë e t’i
nxisim, si Ai, të rinjtë, për të kërkuar me ngulm të vërtetën. Ky Atë i Kishës,
që jetoi në shekullin IV, është tepër aktual, pohon Benedikti XVI: “Së pari,
pse na nxit për një pjesëmarrje të vëmendshme, kritike e krijuese në kulturën e sotme;
pastaj për përgjegjësinë shoqërore, në kohën kur në botën e globalizuar edhe popujt
gjeografikisht të largët, janë vërtetë i afërmi ynë; për miqësinë me Krishtin, me
Hyjin që ka fytyrë njerëzore e, së fundi për njohjen e Hyjit krijues, Atë i të gjithëve.
E vetëm në se ia hapim zemrat këtij Hyji, që është Ati ynë i përbashkët, mund të krijojmë
një botë të drejtë, një botë vëllazërore” Papa kujtoi thirrjet e vazhdueshme
që Shën Bazili u drejtonte besimtarëve për t’i shfrytëzuar energjitë që burojnë nga
Pagëzimi në drejtim të Eukaristisë, për të mos përbuzur asnjë njeri e për të mos e
fyer Krishtin, duke u sjellur në mënyrë çnjerëzorë me të tjerët. Kur ia ngulim sytë
Krishtit – na kujton Shenjti, e kuptojmë plotësisht ç’do të thotë dinjiteti i njeriut.
Shën Bazilit i kushtoi vëmendje të posaçme studimit të klasikëve të letërsisë
greke e latine. Na mëson se: “Duhet marrë nga tekstet e autorëve klasikë ajo,
që është bindëse e që përkon me të vërtetën: e kjo duhet bërë duke i parë me sy kritik,
duke dalluar të mirën nga e keqja. Këta libra duhen përdorur duke ndjekur shembullin
e bletëve. Ato shkojnë të thithin nektar lule më lule, por nuk thithin gjithçka, marin
vetëm atë që u duhet për të bërë mjaltin e të tjerat i lënë. Edhe ne, në se jemi të
urtë, marrim nga këto shkrime atë që na duhet, që përkon me të vërtetën e lëmë mënjanë
atë që nuk na shërben”. Shën Gregori i Nazianzenit, ipeshkëv e doktor
i Kishës, lindi në Nazianzo, Nemisi i sotëm në Turqim, në vitin 330. Formimin kulturor
e zellin mistik i mori përkrah Bazilit, me të cilin e lidhi një miqësi e ngushtë.
Shkruan Ati i Kishës: “Na printe e njëjta etje për të ditur… gara jonë nuk kishte
për qëllim që secili të dilte i pari, por që secili ta mundësonte tjetrin të ishte
i pari. Dukej sikur kishim një shpirt të vetëm në dy trupa”. U zgjodh Patrik i
Kostandinopojës në vitin 381. Njeri me temperament teologu e me aftësi të dukshme
drejtuesi, në veprat e tij oratorike e poetike përshkruan përvojën e Krishtit të gjallë
e veprues në misteret e shenjta. Mbrojtës i vendosur i fesë trinitare, Gregori
luftoi me të gjitha forcat kundër herezisë ariane, e cila në shekullin IV ishte vënë
në shërbim të perandorëve. I pëlqente vetmia. Për të gjëja më e madhe ishte t’i bësh
ndjenjat tua të heshtin, të dalësh nga korpi e nga bota, të mbyllesh në vetvete, të
mos merresh fare me punët e njerëzve, përveç atyre që janë vërtetë të domosdoshme;
të flasësh me vete e me Hyjin, të jetosh një jete të padukshme, jashtë sendeve të
dukshme; ta kesh shpirtin plot me figura hyjnore gjithnjë më të kulluara, krejt të
papërzjera me format tokësore e të gabuara. Një herë pati thënë: “Duke mos folur,
mësojmë të heshtim, por duke heshtur, në qetësi të plotë, mësojmë të flasim më mirë”. E
kur nuk ishte më në gjendje të ndërmjetësonte, për të pajtuar grupet kundërshtare
në gjirin e Kishës, shkroi: “Më lini të pushoj pas lodhjes së vazhdueshme,
kini respekt për flokët e mi të bardhë… U lodha duke dëgjuar qortime pas qortimesh
kundër dashamirësisë sime, u lodha së luftuari kundër thashemnajës e kundër zilisë,
kundër armiqve e kundër tanëve. Njëra palë ma ngul thikën në kraharor e më dëmton
më pak, sepse është e lehtë ta përballosh armikun ballpërballë. Ndërsa të tjerët më
spijunojnë pas shpine e më shkaktojnë kështu një vuajtje edhe më të madhe, sepse goditja
e të mive më hap plagë shumë më të thella. Nuk mund ta përballoj më këtë luftë e nuk
e di në se mund t’i pajton njerëz të tillë... për shkak të të cilëve populli është
ndarë në dy kampe. E jo vetëm populli, por edhe Lindja e Perëndimi u ndanë në dy kampe
kundërshtare!”. (Fjalime 42, 20-21). Pa Zotin, njeriu e humbet madhështinë
e tij, pa Zotin nuk ka humanizëm të vërtetë: këtë mësim na jep Gregori i Nazianzit– sipas Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme të 8 gushit 2007. Atë i Kishës,
qe gojtar i shkëlqyer e mbrojtës i fesë. Në homelitë e tij, vuri gjithnjë në plan
të parë Zotin. Njeri i rafinuar, i ndjeshëm e i kulturuar, ai zgjodhi rrugën e
jetës murgare, rrugën e meditimit filozofik e shpirtëror: kështu e përshkroi Benedikti
XVI Gregorin e Nazianzit, autor i ‘Fjalimeve teologjike”, i homelive e i teksteve
poetike, që vijojnë t’u flasin edhe njerëzve të kohëve tona: “Është njeri që
bën të ndjehet përparësia e Zotit, e prandaj na flet edhe ne, i flet edhe botës sonë.
Pa Zotin, njeriu e humbet madhështinë; pa Zotin nuk ka humanizëm të vërtetë. Ta dëgjojmë,
prandaj, këtë zë e të përpiqemi ta njohim edhe ne fytyrën e Zotit”. Gregori
i kushtonte vëmendje të dorës së parë teologjisë: “Për të nuk ishte vetëm reflektim
njerëzor ose fryt i mendimeve të thella e të ndërlikuara, por rrjedhojë e jetës së
kaluar në lutje e shenjtëri, e dialogut të vazhdueshëm me Hyjin. E pikërisht kështu
arsyes sonë i shfaqet realiteti i Hyjit, misteri trinitar”. Papa përshkruan
edhe ngurrimin me të cilin Gregori i Nazianzit e priti shugurimin meshtarak: kishte
merak se do t’i rrëmbente kohën e lutjes, të takimit me Hyjin, ndonëse pastaj bëri
dëgjesën, duke e pranuar shërbimin baritor e duke shkuar, ashtu si ndodh shpesh herë
në jetë, atje ku nuk deshi të shkonte. Ashtu si për shugurimin meshtarak, Gregori
ngurroi edhe para se të shugurohej ipeshkëv. Por iu desh ta pranonte edhe këtë shërbim.
E si ipeshkëv i Sazimës e pastaj edhe i Kostandinopojës, u detyrua të përballojë shumë
vështirësi, kundërshtime e armiqësi – tha Papa dhe në vijim citoi fjalët Gregorit: “E
ndamë Krishtin, ne që e donim aq shumë Hyjin e Krishtin! Gënjyem njëri-tjetrin, për
shkak të së vërtetës, ushqyem ndjenja urrejtjeje, për shkak të dashurisë, u ndamë
nga njëri-tjetri”.