Me 1 janar përkujtojmë imzot Gjon Nikollë Kazazin në përvjetorin e lindjes
Imzot Gjon Nikollë Kazazi lindi në Gjakovë, më 1 janar 1702. Mësimet e para i mori
në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit,
i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo e i kreu ne Kolegjin Ilirik të Loretos,
ku studioi gramatikë, retorikë e filozofi. I nisi studimet kur ishte djalë i ri,
18 vjeç; i kreu në vitin 1727, kur mori edhe titullin doktor në filozofi e teologji.
Po atë vit u shugurua meshtar. 41 vjeç do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit. Sapo u
kthye, kryeipeshkvi Mikel Suma, e emëroi misionar ne Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni
ne Gjakovë, për shërbim baritor, të cilin e kreu se bashku me dom Anton Teodorin.
Me që dallohej per zgjuarsi dhe aftësi te veçantë, imzot Suma e emëroi dom Gjonin
vikar të përgjithshëm. Pas largimit të imzot Mikel Sumës nga kryeipeshkvia e Shkupit,
ishte Gjon Kazazi ai që e drejtoi atë kryeipeshkvi nga viti 1737. Me propozimin e
Imzot Vinçenc Zmajeviqit, Kazazi u emërua vizitator apostolik i kryeipeshkvisë së
Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopolit, në Bullgari. Me 23 shtator 1743, Papa Benedikti
XIV e emëroi imzot Gjon Nikollë Kazazin kryeipeshkëv i Shkupit. Palion e mori në Romë,
me 16 dhjetor 1743. Gjatë qëndrimit në Romë, në vitin 1743, imzot Kazazi zbuloi
ne Bibliotekën e Propagandës Fide të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’
të dom Gjon Buzukut, botuar ne vitin 1555. Po atë vit, 1743, botoi edhe katekizmin
e tij: "Breve Compendio della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l'utilità,
e istruzione dei Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia
Alunno della S. Congregazione" shtypur ne Romë nga "Stamperia della S. Congregatione
de Propaganda Fide." Kryeipeshkvi Gjon Kazazi shkoi disa herë në Romë për vizitë
"ad Limina Apostolorum". Pranë Varreve të Apostujve u gjunjëzua për herë të fundit
në vitin 1750 Kryeipeshkvi i Shkupit vdiq me 5 gusht te vitit 1752, duke lënë gjurmë
të pashlyera ne historinë e Kishës shqiptare, si bari e edukator i klerit; e të albanologjisë,
si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur, që njihet deri me sot. Nga
katekizmi i imzot Gjon Kazazit
Lutjet e Mëngjesit
Po të falem
o Zot i vërtetë, e po të bindem, e po të due me gjith zembër. Po të falem
nderës se më ke kriuom e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë prej ndonji
mortje së pakujtueshme. Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija e
po të lutem të më ruojsh sod e për gjithë herë prej gjith fajesh e mpkatesh...