2011-01-01 17:19:01

Masakër kundër të krishterëve në Egjipt. Papa shumë i hidhëruar. Atë Lombardi: është plan i urrejtjes.


Papa Benedikti XVI, i njoftuar për ngjarjen tragjike në Aleksandri, shprehu hidhërimin e tij të thellë, siç njofton drejtori i përgjithshëm i Radios sonë, atë Federiko Lombardi:
“Jemi të shqetësuar për këtë dhunë të re, të lemerishme, pikërisht në rastin e një kremtimi të rëndësishëm fetar. Sa mori njoftimin, Papa u prek e u hidhërua thellësisht nga kjo ngjarje kaq tragjike. Shihet qartë se plani i urrejtjes nuk dëshiron ta pushojë luftën vrasëse kundër jetës së njerëzve e kundër paqes. Po derdhen lumenj gjaku të pafajshëm. Duhet të impenjohen të gjithë për t’iu kundërvënë kësaj urrejtjeje pa fund. Në këtë çast dramatik i shprehim afërsinë tonë bashkësisë kopte, të goditur, e pohojmë edhe një herë dëshirën tonë të thellë për paqe e siguri për mbarë popullin egjiptian”.
Duke folur, në mikrofonin e Radio Vatikanit, nunci apostolik, imzot Michael Luis Fitzgerald, shprehu dhimbjen e gjithë bashkësisë katolike:
“Dëshiroj të shpreh, në emër të gjithë të krishterëve e të gjithë katolikëve, solidaritetin për këtë bashkësi, që qan të vdekurit e shqetësohet për të plagosurit e, jo më pak, për ardhmërinë e vet. Ne e kremtuam Krishtlindjen më 25 dhjetor, në Kishat tona katolike, pa asnjë vështirësi, ndërsa ortodoksët përgatiten ta kremtojnë Krishtlindjen më 7 janar e besoj se kremtimet nuk do të jenë të qeta. Duam t’i ndajmë me ta të gjitha vuajtjet. Duhet të kemi besim në sigurinë e vendit, ndonëse është e vështirë t’u pritet udha atentateve të tilla. U shpreh gjithë solidaritetin tim të krishterëve, aq më tepër në këtë ditë, kur lutemi pikërisht për paqen. Ati i Shenjtë ngul këmbë mbi lirinë fetare, duke e parë si kusht themelor për sigurimin e paqes”.
Për këtë ngjarje kaq tragjike, të dëgjojmë edhe ipeshkvin e Assiut-Lycopolis të koptëve, imzot William Kirillos, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
“E prisnim një gjë të tillë, sepse herë pas here ishin përsëritur kërcënimet kundër të krishterëve të Egjiptit. Në këtë rast, është fjala për vëllezërit tanë ortodoksë sepse, sipas fondamentalistëve islamikë, kanë mbyllur në manastire gratë e kthyera në fenë islame, të cilat, gjithnjë sipas tyre, duhen lënë të lira. Por të vërtetën, në se këto gra kanë kaluar në islam apo jo – nuk e di askush. Nuk është ende e qartë: disa thonë po, e të tjerë, jo. Pra ngjarja e mbrëmshme për ne nuk ishte e papritur. Pritej diçka e pakëndshme, e posaçërisht për festat. E gjithë kjo shkaktoi një reagim të fuqishëm nga ana e vëllezërve tanë ortodoksë, të cilët nuk duan më ta kremtojnë plotësisht Krishtlindjen, si çdo vit e, për më tepër, nuk dëshirojnë as t’i presin autoritetet civile, që duan t’u shkojnë për urime".







All the contents on this site are copyrighted ©.