2011-01-01 10:32:11

Egjipt: atentat para Kishës në Aleksandri: të vdekur e të plagosur. Ndeshje e thirrje për unitet


(01.01.2011 RV)Nata e Vitit të Ri 2011 në Aleksandri të Egjiptit u la me gjak të pafajshëm: një autobombë shpërtheu para një kishte, në përfundim të Meshës së mesnatës, duke shkaktuar – sipas njoftimeve të fundit të agjensisë Ansa - vdekjen e 21 besimtarëve e plagosjen e 43 të tjerëve. Goditje e rëndë për bashkësinë e krishterë të Egjiptit e natë për t’u shlyer nga kujtesa për koptët e Aleksandrisë, që u vunë në shënjestër në sa dilnin nga kremtimi i Meshës së mesnatës, për të vijiuar, në shtëpi, festimin e natës së madhe të ndërrimit të viteve. Në vend që të ndriçohej nga dritat e Bredhit të Krishlindjes, si në të gjitha qytetet e fshatrat e botës, sheshi para Kishës u ndriçua nga dritat e ambulancave, që shkonin e vinin, duke mbartur trupa të coptuar njerëzish. Ndërsa ata që iknin, të tmerruar, i prisnin goditjet me shkopinj të fanatikëve islamikë të fshehur, që u kishin zënë prita në të katër anët. Pasoja të dhimbshme të kërcënimeve të Al Kaedës që, pas atentatit të përgjakshëm në katedralen siro-katolike të Bagdadit, i kishte paralajmëruar koptët egjiptianë, një nga bashkësitë më të mëdha të krishtera të Lindjes së Mesme, 10% e 80 milion banorëve të Egjiptit.
Atentati ndodhi në 12. 30 të mesnatës, në lagjen Sidi Bashir të qytetit të madh, përballë Mesdheut, para kishës Al- Qiddissine (Kisha e shenjtorëve).
Autobomba, që shkaktoi gjakderdhjen, u ndalua përballë kishës vetëm dhjetë minuta para shpërthimit.
Pas atentatit, Ministria e Jashtme egjiptiane mori masa të rrepta sigurie rreth të gjitha kishave, duke dyfishuar kontrollet, për të parandaluar atentatet e tjera të mundshme. Kontrolle të imta vijojnë edhe në aeroportin e Kairos, për të penguar ikjen e atentatorëve.
“Përpjekja islamike për të pastruar Lindjen e Mesme nga të krishterët, bëhet gjithnjë më e shpeshtë” - shkruhet me ironi të hidhur në një nga kanalet kopte të internetit.
Ndërsa Al Azhar, instancë e lartë të Islamit sunit, hodhi ujë mbi flakë, duke e dënuar atentatin e Aleksandrisë. Në një komunikatë, botuar nga agjensia e shtypit egjiptian, presidenti i vendit, Hosni Mubarak, u bën thirrje të gjithë egjiptianëve, koptë e myslimanë, ta forcojnë bashkimin, për t’i bërë ballë, kështu, forcave terroriste, që minojnë stabilitetin e atdheut dhe unitetin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.