Fillojmë një vit të ri, o Zot e s’mund të mos shikojmë dritë-hijet që ndeshen
në horizont. Shpirti na dridhet me mijëra dridhje, që nuk gjejmë fjalë t’i
rrëfejmë, se na vjen turp, kur shohim tjetrin që ecën pranë nesh me lot në sy,
e s’mund t’ia terim, e s’duam t’ia terim. E turp, kur tjetrin me sy mosbesues
e shikojmë e veten e ndjejmë larg prej tij, mbyllur në unin tonë, shumë
larg vëllazërisë.
E megjithatë ti na dhuron përsëri një vit të ri, që
sigurisht aspak s’e meritojmë. Përsëri na fton të besojmë në Ty, në dashurinë
e Atit tënd, të shpresojmë, ku nuk ka shpresë, të luftojmë, kur beteja na
duket e bjerrun.
Një vit të ri fillojmë plot me besim se asnjë ditë s’do
të na mungojë drita jote forca jote! Me të, mes gjëmës së motit një copë
qiell gjithnjë do të shikojmë. Mëshirë e mishëruar, Ti i do gjymtyrët e ligshta të
ferishteve ndër djepa, që në krahët e tu jetojnë. Hyr në ditët e Vitit të ri, si
hyn era e lehtë nëpër dritare të çelur. Hyr si blerim, mos ik, pa Ty Viti
i Ri s’ka shije as kuptim!