2010-12-31 19:38:21

“Tharmi i natyrës njerëzore”: editorial i atë Federiko Lombardit


(31.12.2010 RV) Në çastet prekëse të shndërrimit të viteve, kur mbarë njerëzimi pret një vit të ri, me sytë ende të ngulur nga viti i vjetër, atë Federiko Lombardi e titullon editorialin e kësaj fundjave për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, “Tharmi i natyrës njerëzore”:RealAudioMP3

 
“Mbretëria e Hyjit është si tharmi i natyrës njerëzore: në se do të mungonte, do të shuhej forca, që çon përpara zhvillimin e vërtetë: shtytja për të punuar krah për krah për të mirën e përbashkët, në shërbim të çinteresuar të të afërmit, në luftën paqësore për drejtësi. “Të besosh në Zotin, që erdhi të ndajë me ne historinë tonë, është inkurajim i vazhdueshëm për t’u impenjuar në këtë histori, edhe ndërmjet kontradiktave të saj”. Këto fjalë të Papës në mesazhin e tij të Krishtlindjes, e ndriçojnë kalimin nga viti i vjetër, në vitin e ri, kohë bilancesh e perspektivash, me sytë ngulur sa në të kaluarën, aq në të ardhmen.
Kështu është edhe për besimtarët, që jetojnë me këmbët ngulur fort në tokë, e njëkohësisht me sytë drejt qiellit. Si Mesazhi i Krishtlindjes, ashtu edhe ai i Ditës Botërore të Paqes i 1 janarit, kushtuar lirisë fetare, theksojnë vëmendjen e vazhdueshme të Kishës për gjithçka ndodh rreth nesh, në çdo kontinent. Por duhet vërejtur, sidomos, se leximi i historisë në dritën e fesë, i hyn në thellësi lidhjes ndërmjet përmasave, në dukje më materiale e më tokësore, të jetës njerëzore, dhe atyre morale e shpirtërore. Në këtë perspektivë, liria fetare, e lidhur pazgjidhshmërisht me dinjitetin e njeriut, është e nevojshme si ‘udhë e paqes’. E në këtë perspektivë, siç tha Benedikti XVI në fjalimin historik, mbajtur në Westminster Hall, feja nuk është ‘problem për t’u zgjidhur’ në jetën e shoqërisë, por është pjesa më themelore e rrugëzgjidhjes së problemeve. Vetëm përmes besëlidhjes ndërmjet arsyes e fesë, e jo ndeshjes ndërmjet tyre, mund t’i shikojmë me besim sfidat e ardhmërisë”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.