2010-12-31 11:15:40

“Liria fetare, rrugë për paqen” është mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes


Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën e 44-t Botërore të paqes, që kremtohet më 1 janar 2011 ka për temë “Liria fetare, rrugë për paqen”.
Që në fillim, Papa vë në dukje se edhe këtë vit, persekutimi, diskriminimi i të krishterëve, aktet e tmerrshme të dhunës dhe të intolerancës fetare ndaj tyre kanë vazhduar. Përmend Irakun, por vëren se në të gjithë botën, dishepujt e Krishtit nuk lihen të qetë. “Të krishterët – denoncon Ati i Shenjtë – janë aktualisht, grupi fetar, që vuan nga numri më i madh i persekutimeve për shkak të fesë”. Edhe në Perëndim, thekson Benedikti XVI, ka forma më të heshtura e më të sofistikuara për të shprehur paragjykimet ndaj të krishterëve, duke u mohuar atyre simbolet fetare dhe historinë, në të cilat pasqyrohet identiteti dhe kultura e shumicës së qytetarëve. Kështu, besimtarët mënjanohen nga debati publik.
Si fundamentalizmi, ashtu edhe laicizmi ekstrem, kujton Papa, janë jo vetëm forma që refuzojnë pluralizmin e ligjshëm të ideve, por japin edhe një këndvështrim të pjesshëm mbi njeriun. Por, nënvizon Ati i Shenjtë, nuk mund të konceptohet një shoqëri, ku besimtarët duhet të fshehin fenë, për t’u konsideruar qytetarë aktivë. Relativizmi moral, shpjegon Benedikti XVI, nuk krijon bashkëjetesë paqësore, por shkakton ndarje dhe mohim të dinjitetit të njeriut, prandaj përmasa publike e fesë duhet njohur nga institucionet shtetërore, të cilat duhet të bashkëpunojnë për këtë, me ato fetare.
E drejta e lirisë së fesë, vazhdon më tej Papa, i ka rrënjët në dinjitetin e njeriut, natyra transhendentale e të cilit nuk mund të injorohet. Prandaj, ajo është e para ndër të gjitha të drejtat dhe kur mohohet, kërcënohen seriozisht drejtësia e paqja. Prandaj, çdo njeri duhet të ketë të drejtë ta shpallë fenë e vet si publikisht, ashtu edhe privatisht e nuk duhet të pengohet të ndryshojë fe, nëse dëshiron. “Liria fetare – lexohet në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2011 – nuk është pasuri ekskluzive e besimtarëve, por e krejt familjes së popujve të tokës. Është element i domosdoshëm i shtetit të së drejtës dhe verifikon ekzistencën e lirive të tjera të njeriut”.
Mbrojtja e fesë, vazhdon Papa, bëhet përmes mbrojtjes së të drejtave dhe të lirive të bashkësive fetare, sidomos kur ato janë pakicë. Vetë Kisha është thellësisht e angazhuar në dialogun ndërmjet feve, pa rënë në relativizëm, apo në sinkretizëm fetar. Benedikti XVI kujton se vitin e ardhshëm 2011 bie 25-vjetori i Ditës Botërore të lutjes për paqen, që filloi me Gjon Palin II në Asizi, në vitin 1986. Pikërisht në këto raste, krerët fetarë botërorë kanë dëshmuar se feja është faktor bashkimi e paqeje.
Pastaj, Ati i Shenjtë Racinger u bën thirrje krerëve të kombeve, që të veprojnë për t’u dhënë fund persekutimeve kundër të krishterëve. Benedikti XVI përmend në veçanti, gjendjen në Azi, në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe sidomos në Tokën Shenjte. Nga ana tjetër, i fton të krishterët të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Evropën e fton ti gjejë përsëri rrënjët e saj të krishtera dhe bën të vetat fjalët e Palit VI, papës që filloi kremtimin e Ditëve Botërore të paqes: “Paqja është dhuratë e Zotit, nuk është thjesht mungesë lufte, nuk është thjesht fryt i mbizotërimit ushtarak ose ekonomik…Paqes i duhen dhënë armë të tjera e jo ato, që kanë për qëllim të vrasin e të shfarosin njerëzimin. Para së gjithash, nevojiten armët morale”. “Liria fetare – përfundon Benedikti XVI – është një armë e vërtetë e paqes, me një mision historik e profetik, atë të ndryshimit e të përmirësimit të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.