Sonte lutja e falënderimit ‘Te Deum’ drejtuar Zotit, kryesuar nga Papa për fundin
e Vitit. Nesër Dita Botërore e Paqes, kushtuar temës së lirisë fetare si udhë paqeje.
(31.12.2010 RV)Sot në ora 180.00 Papa Benediktit XVI kryeson në Bazilikën e Shën Pjetrit
në Vatikan uratët e para të Mbrëmësores të solemnitetit të së Shenjtnueshmes Nënës
së Zotit që kremtohet më 1 janar si dhe lutjes së falënderimit e të mirënjohjes drejtuar
Zotit, "Te Deum", në fund të vitit. Kjo lutje e lashtë kishtare ‘Te Deum’ kremtohet
në të gjitha Katedralet e Kishat famullitare të botës katolike në frymën e lutjes
e të meditimit për një Vit që kaloi e një tjetër Viti të Ri që vjen, ngarkuar me ditët
e veta ende të pajetuara. Jehona e thellë e lajmit ungjillor të Krishtlindjes,
e përforcuar nga Mesazhi për Ditën e 44 Botërore të Paqes me temën ““Liria fetare,
rrugë për paqen””, që Papa Racinger ua dhuron të krishterëve e të gjithë njerëzve
të mbarë botës për Solemnitetin e sivjetmë, shoqëron dhe orienton edhe reflektimet
shpirtërore të fundit të vitit. E sonte në ora 18.00, gjatë kremtimit të lutjeve
të para të Mbrëmësores, kushtuar festës të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit, Benedikti
XVI larton në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në emër të Kishës universale, lutjen
e falënderimit e të mirënjohjes drejtuar Hyjit, ‘Te Deum-in’ në përfundim të një viti
të pasur me hire e bekime, pa harruar vështirësitë, problemet, kobët e shkaktuara
nga episodet e rënda të dhunës e të luftës, problemet e rënda brena Kishës e në shoqërinë
bashkëkohore. Në Jezu Krishtin, Hyji Atë Qiellor deshi të na çlirojë nga mëkati,
nga i keqi e të na bëjë bij të vërtet në shpirt. Me Virgjërën Mari gjunjëzohemi në
adhurim përpara një misteri kaq të madh. Kjo është ndjenja që pushton shpirtin tonë,
në festën e Solemnitetit e Amësisë Hyjnore të Virgjërës Mari, duke kujtuar se kjo
festë mariane përkon me ditën e fundi të vitit. Prandaj sonte, kundrimit të misterit
të Amësisë Hyjnore të Virgjërës Mari, i shtojmë këngën e mirënjohjes sonë ‘Te Deum’
Zotit për përfundimin e vitit 20109, derisa në horizontin e historisë duket viti 2011.
Ta falënderojmë Zotin nga thellësia e zemrës për të gjitha të mirat që na ka dhuruar
gjatë 12 muajve të kaluar, që shtuan radhët e të rinjve të krishterë, rritën ndjeshmërinë
për vlerën e paqes, të jetës e të mbrojtjes së ambientit, nxitën hapa domethënëse
përpara në rrugën jo të lehtë të pajtimit e afrimit vëllazëror mes njerëzve, bashkësive
fetare e shoqërore, popujve. Në këtë liturgji të fundvitit, lavdërimi e falënderimi
drejtuar Zotit, shoqërohet edhe me një shqyrtim të sinqertë të ndërgjegjes sonë personale
e asaj komunitare. Të gjithë t’i kërkojmë falje Zotit për mungesat e për fajet, të
sigurt se Hyji, është Hyji i përdëllimit, se dashuria e Tij Hyjnore është më e madhe
se fajet e mëkatet tona. Të pendohemi e të pajtohemi me Zotin e të afërmin tonë. Në
Ty shpresuam; në Ty, o Zot, do ta mbështesim rishtas shpresën tonë - ripohojmë në
këtë natë feste - Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën
e njerëzve e të popujve dritën tënde, të cilën s'ka forcë që mund ta shuajë. Bëj që
çdo njeri vullnetmirë të provojë dashurinë e paqen e Zotit. Kremtimi, që fillon
në orën 18. 00, do të kremtohet brenda bazilikës së Vatikanit, ashtu si vitet e kaluara.
Në se, nga njëra anë, kjo zgjedhje krijon një farë shkëputjeje prej një tradite të
lashtë, sipas së cilës Te Deum kremtohej në kishën romake të Jezusit, nga ana tjetër
krijon mundësitë që një numër shumë më i madh shtegtarësh e besimtarësh romakë e
nga vendet e ndryshme të botës që këtyre ditëve gjenden në Romë e në Vatikan - nga
viti në vit gjithnjë e më të shumtë - të marrin pjesë, së bashku me Papën, në lutjen
e falënderimit drejtuar Zotit për të gjitha ditët e një viti që përfundon, e për t'i
hapur rrugën një Viti të Ri. Pas lutjes së falënderimit ‘Te Deum’, Papa Benedikti
XVI viziton Shpellën e Betlehemit në Sheshin e shën Pjetrit në Vatikan. E siç pohon
edhe kalendari, Koha kalon dhe rrjedhja e saj e pandalur na nxit t’i sjellim sytë
me mirënjohje të thellë nga Hyji, që është i Amshuar, që është Zoti i kohës e i jetës. Fjala
e Mishëruar e shndërron nga brenda jetën njerëzore. Zoti u bë si ne, për të na bërë
si veten, bij në Birin, njerëz të liruar nga ligji i mëkatit. A nuk është kjo një
arsye e fortë që na shtyn t’i lartojmë Hyjit falënderimin tonë? Një falënderim që
fiton vlerë të veçantë në mbarim të një viti, në sa kujtojmë ndihmën e Zotit që s’na
mungoi kurrë gjatë 12 muajve të kaluar. Ja sepse çdo bashkësi e krishterë sonte
mblidhet për t’i kënduar Zotit himnin ‘Te Deum’, këngën tradicionale të lavdërimit
e të veprimit të hirit të të Shentjnueshmes Trini. E duke e kënduar të lutemi:
Ndihmoi bijtë e tu, o Zot, që i shpërbleve me gjakun tënd të çmuar. Mbroji, me
mëshirën tënde, banorët e qytetit tonë, në të cilin, ashtu si gjetiu, mbi jetën e
njerëzve e të familjeve peshojnë rëndë mungesat e varfëria, ta shikojnë me besim ardhmërinë.
“Ti je shpresa jonë, o Zot! S’ do të jemi të pështjelluar në amshim!”. Himni
madhështor ‘Te Deum’ mbyllet me këtë brohori feje e besimi të plotë në Hyjin e me
këtë shpallje solemne të shpresës sonë, përmes së cilës na bën thirrje ta shikojmë
shpresën tonë kryesisht si shpresë për të tjerët , për të gjithë njerëzit. T’i lutemi
pra Zotit ta bëjë secilin nga ne, tharm të vërtetë shprese në mjediset e ndryshme,
që të mund të ndërtohet për të gjithë një ardhmëri më e mirë. E ky është urimi jonë
për të gjithë Natën e një Viti të Ri, urim që ia besojmë ndërmjetësisë amtare të Marisë,
Nënës së Hyjit e Yllit të shpresës!. Kujtojmë se nesër, më 1 janar, duke nisur
nga ora 10. 00, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte të Solemnitetit të të
Shenjtnueshmes Nënës së Zotit po në Bazilikën e Shën Pjetrit, prej nga do të përhapet
në mbarë botën mesazhi papnor për Ditën e 44-të Botërore të Paqes 2010. Është një
ditë, ndikimi i së cilës, sipas dëshirës së Papës, duhet të zgjatë tërë vitin, e prandaj
Ati i Shenjtë Jozef Racinger na fton të gjithëve ta lexojnë e të thellohen në kuptimin
e fjalëve që përbëjnë temën e mesazhit: “Liria fetare, rrugë për paqe”’. Liria
fetare është armë autentike e paqes, me një mision historik e profetik”. Ky është
një ndër pohimet e mesazhit të Papës për Ditën Botërore të Paqes 2011 kushtuar lirisë
fetare. “Liria fetare – vijon Ati i Shenjtë – vlerëson e sjell fryte me cilësi
të thellë e potencialin e njerëzve, që janë të aftë ta ndryshojnë e ta bëjnë më të
mirë botën”. “Ajo mundëson (liria fetare) – shkruan akoma Papa në mesazhin e tij
për Ditën botërore të paqes – të ushqehet shpresa drejt një të ardhme të drejtë e
paqësore, edhe para padrejtësive të rënda e edhe para mizorive materiale e morale.
Uroj që të gjithë njerëzit dhe të gjitha shoqëritë të çdo niveli e të çdo vendi të
Tokës të mund ta përjetojnë lirinë fetare, si udhë për paqe”.