2010-12-31 19:36:04

Benedikti XVI në lutjen “Te Deum”: të jemi pranë njeriut që vuan; ardhmëria është kohë shprese.


(31.12.2010 RV)Kremtim solemn sonte në Vatikan. Në natën e fundme të vitit 2010, rreth Papës u mblodhën mijëra besimtarë e shtegtarë, për t’i lartuar Hyjit himnin e fundit të vitit, himnin e falënderimit për një vit të jetuar e për ditët e reja, ende pa ngjarje, që shtrihen në hapësirën prej 365 ditësh të Vitit të Ri 2011. E pikërisht me një meditim të tillë e nisi Papa homelinë e kremtimit të sontëm solemn të Lutjeve mbrëmësore. RealAudioMP3

“Në përfundim të një viti - kujtoi - jemi mbledhur sonte në Bazilikën e Vatikanit për të kremtuar Lutjet e para mbrëmësore të Solemnitetit të së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit e për t’i lartuar himnin e falënderimit Hyjit, për hiret e panumërta që na dhuroi, por edhe e sidomos, për vetë Hirin, për dhantinë e gjallë e personale të Atit, që është Biri i tij i dashur, Zoti ynë Jezu Krishti”.
Pikërisht kjo mirënjohje për dhantitë e Zotit, në kohën që na u dha për të jetuar, na ndihmon të zbulojmë vlerën e madhe, të shkruar në kohë: në të gjitha ritmet e veta vjetore, mujore, javore e ditore, koha banohet nga dashuria e Zotit, është plot me dhuratat e tij të hirit: është kohë shëlbimi. Po, Hyji i amshuar hyri e mbeti në kohën e njeriut. Hyri e mbeti me vetjen e Jezusit, Birit të Zotit që u bë njeri, Shëlbuesit të botës. Këtë – shpjegoi Papa - na e kujtoi Shën Pali Apostull me leximin e shpallur pak më parë: “Kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi birin e vet... që të na bënte bij në shpirt” (Gal 4, 4-5).
Pra, vijoi Ati i Shenjtë, Amshimi hyn në kohë dhe e rinon në rrënjë, duke e çliruar njeriun nga mëkati e duke e bërë Bir të Hyjit. Që në zanafillë, a që në krijimin e botës e të njeriut në botë, amshimi i Hyjit bëri të çelë koha, në të cilën zhvillohet historia njerëzore, nga breznia në brezni. Tani – kujtoi Papa – me ardhjen e Krishtit e me shëlbimin e tij, jemi pikërisht në kohën e caktuar. Krishtlindja na e kujton këtë kohë e na jep gjithnjë kohë të re. Koha jonë njerëzore është e ngarkuar me drama të të gjitha llojeve, që nga ato që shkaktohen nga ligësia e njerëzve, deri tek ato, që shkaktohen nga fatkeqësitë e natyrës, por tashmë në hapësirën e vet të pafundme, përfshin të renë e gëzueshme e çliruese të Krishtit shëlbues.
Duke vijuar shpjegimin e leximeve liturgjike të Mbrëmësoreve, posaçërisht fragmentin nga Letra e Shën Palit, Benedikti XVI u ndal rishtas tek Krishtlindja, që na kujton misteriozisht e realisht, se jemi pikërisht në kohën e caktuar nga Zoti për shëlbimin e njerëzimit:
“Pikërisht në Foshnjën e Betlehemit mund të kundrojmë takimin e ndritshëm e kuptimplotë të amshimit me kohën. Krishtlindja na bën ta rigjejmë Hyjin në pamjen e përvujtë e të ligshtë të një foshnjeje”.
A nuk është kjo – pyeti Papa – një ftesë për ta gjetur Zotin edhe në jetën tonë të përditshme? A s’është ftesë për të zbuluar se Koha jonë njerëzore, edhe në çastet më të vështira e më të rënda, është përherë e pasuruar nga hiret e Hyjit, madje nga Hiri që është vetë Zoti?
Pyetje, të cilat presin përgjigje në jetën e çdo besimtari, në jetën tonë, në jetën e të gjithë njerëzve, që sonte, duke kremtuar, nuk mund të mos gëzohen për një vit të ri, që çel gonxhen në biskun e ditës së vet të parë, por edhe për vitin që zhduket, duke marrë me vete ngjarje, gëzime e trishtime, realizime e dështime, që sigurisht nuk mund të mos lënë gjurmë në kohën, me e pa cak.
Më pas Benedikti XVI, duke ndjekur traditën e përvitshme, kujtoi kryesisht hiret, që pati në vitin 2010 dioqeza i tij e Romës. U ndalua, prandaj, gjatë, tek rruga e përshkuar gjatë vitit që kaloi, por edhe tek ajo, që hap para besimtarëve një vit i ri, plot me ngjarje të panjohura: të pritura e të papritura. Pasi përshëndeti bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë, nga Kardinali Mëkëmbës, tek ipeshkvijtë ndihmës, meshtarët e gjithë njerëzit që i shërbejnë nga afër Kishës, kujtoi me mirënjohje veprimtaritë e shumta të vitit, tashmë të kaluar. Në radhë të parë kumtimin dhe meditimin e përditshëm të Fjalës së Zotit, pa të cilën askush nuk mund të jetë dishepull i vërtetë i Krishtit; praktikimin e lectio divina, pastaj, tejet e nevojshme për të dalluar shenjat e kohëve e për ta shpallur me fryt Ungjillin; Misionin qytetar; Qëndrat e dëgjimit të Ungjillit në të gjitha fushat e jetës, nga shtëpitë, tek spitalet e vendet ku jetohet e punohet; nismën “Dialog në katedrale”, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Më pas Benedikti XVI kujtoi me mirënjohje të thellë sidomos vizitën e tij në Strehën e Karitasit pranë Stacionit hekurudhor Termini të Romës, ku pa me sytë e tij veprimtarinë e vullnetarëve, përmes së cilës burra e gra nga të katër anët e botës, mund të prekin me dorë dashurinë e Zotit.
Por, si zakonisht Papa theksoi me forcë se vendi i privilegjuar i dëgjimit të Fjalës së Zotit, është Eukaristia, Mesha Shenjte, sidomos ajo e së dielës, pa të cilën besimtari nuk mund të jetë vërtet besimtar:
“Të dashur vëllezër e motra, jemi të grishur të shikojmë drejt së ardhmes e këtë ardhmëri ta shikojmë me atë shpresë, që është fjala e Fundit e Te Deum: “In te, Domine, speravi: non confundar in aeternum” – “Në ty, Zot, shpresuam, s’ do të jemi të pështjelluar në amshim!”.
E - na kujton Papa në këtë natë bekimi e hiri - Krishtin, Shpresën tonë, na e dhuron gjithnjë Ajo, Nëna e Zotit, e Shenjtnueshmja Virgjëra Mari:
“Si atëherë barinjve e Mbretërve dijetarë, krahët e saj, e edhe më shumë zemra e saj, vijojnë t’i ofrojnë botës Jezusin, Birin e vet, Shëlbuesin tonë. Në të mbështetet e gjithë shpresa jonë, sepse nga ai burojnë shëlbimi e paqja për çdo njeri”.
E kështu, ndërsa i japim lamtumirën një viti e dëgjojmë hapat e para të vitit të ri, liturgjia e sotme na prin drejt Solemnitetit të Marisë, Nënë e Hyjit e nënë e të gjithë njerëzve. T’i lutemi, prandaj, Zojës së Bekuar të na shoqërojë me kujdesin e saj amtar në çdo ditë të vitit që nis në mesantën e heshtur, të ndërmjetësojë për ne, sot e përgjithmonë, që Krishti të na pranojë një ditë në lumninë e tij, në shoqërinë e shenjtorëve, për të kënduar ‘Te Deum’-in e amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.