2010-12-30 18:21:25

Papa koreve “Pueri Cantores”: në muzikë misteri i dashurisë së Zotit.


Kënga që shpreh dashurinë e Zotit për njeriun e të njeriut për Zotin është “shërbim” që ndihmon në rritjen e fesë të mbarë Kishës. Këto janë fjalët me të cilat Benedikti XVI e shprehi mirënjohjen e tij ndaj Pueri Cantores - Këngëtarëve të Vegjël. Papa priti sot në audiencë në Sallën e Palit VI në Vatikan mijëra fëmijë e tè rinj që i përkasin koreve të shumta të vendeve të ndryshme të botës, të cilët këtyre ditëve morën pjesë, në Romë e në Vatikan, në Kongresin e 36-të të Federatës ndërkombëtare të Pueri Cantores.
Një falënderim në tetë gjuhë, nga anglishtja deri te rusishtja, për t’u komunikuar të gjithëve të njëjtin mendim: të kërkosh fjalë e nota për ti kënduar Zotit do të thotë ta çosh shpirtin e atij që dëgjon këngën që në një farë mënyra ta bëjë të vetin një copë të qiellit, të prekësh me tela të zemrës dashurinë e Zotit. Në Sallën e Palit VI në Vatikan nën jehonën e një muzike e gjallërie si ajo që vetëm takimi i të rinjve di të bënë të shpërhap rreth vetes, Benedikti XVI iu drejtua të pranishmëve, afër 4500 personave, që këtyre ditëve morën pjesë në Kongresin ndërkombëtar të Pueri Cantores: afër një qind kore prej 14 Vendeve të të katër kontinenteve, me tremijë zëra të rinjsh e të rejave me moshë 7 deri 17 vjeç. Duke përshëndetur Këngëtarët e Vegjël, Papa mes tjerash u shpreh:
“Kështu siç i thurni lavde Zotit, ju i jepni zë dëshirës natyrore të çdo qenie njerëzore për të lavdëruar, me këngë dashurie Hyjin. Është vështirë të gjesh fjalë për të shpreh gëzimin e takimit plot dashuri të shpirtit me Zotin. E megjithatë muzika e bukur është në gjendje të shpreh diçka nga misteri i dashurisë së Zotit për ne e të dashurisë sonë për Të”.
“Kujtojeni gjithmonë – vijoi Benedikti XVI – se kënga e juaj është shërbim”. Një shërbim ndaj Zotit, para së gjithash, ndaj shokëve në fe, sepse ky lloj i këngës e përforcon në zemër e në mendje lutjen drejtuar Krishtit. E është, sqaroi Papa, “një shërbim ndaj mbarë Kishës, që ofron një anticipim të liturgjisë qiellore që është synimi i tërë kultit të vërtet, kur koret e engjëjve dhe shenjtërve bashkohen në një këngë të vetme dashurie e lavdi pa mbarim”. Prandaj, shtoi Papa:
“Të dashur miq të ri, ju falënderoj juve dhe ata që ju mësojnë në këngën e shenjë, për shërbimin tuaj të çmuar që zhvilloni në Liturgji. Ju inkurajoj të gjithëve të qëndroni e ju ftoj ta ndjeni veten përherë pjesëmarrës të jetës së bashkësisë së krishterë së cilës i përkisni. Ruajeni gëzimin që ardhja e Jezusit sjell me vete e zbuloheni gjithnjë më tepër se sa shumë Ai ua do të mirën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.