2010-12-30 18:34:02

Nunci i ri në Irak: Krishtlindja, burim shprese për bashkësinë e martirizuar të krishterë


Krishtlindja në Irak kaloi pa kremtimin e Meshës së mesnatës në shumë qytete e me kishat e blinduara, për shkak të kërcënimeve të Al Kaidës kundër bashkësisë së vogël të krishterë. E megjithatë, festa për lindjen e Krishtit e rindezi shpresën, siç nënvizon në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi Xhorxho Lingua, prej pak javësh nunc apostolik në Irak:
Gjatë katër-pesë vjetëve të fundit, Mesha e Mesnatës nuk është kremtuar në disa qytete irakiane, për arsye sigurie. Funksionet e tjera janë zhvilluar rregullisht, duke marrë masa të jashtëzakonshme në kisha. Pjesëmarrja ka qenë mjaft e mirë. Këtu në Bagdad, më pak se vitet e tjera për arsye që dihen: pas atentatit të 31 tetorit, shumë të krishterë janë larguar. Gjithsesi, pjesëmarrja ishte më e madhe nga sa pritej. Kishim pak frikë në prag të Krishtlindjes, por pastaj çdo gjë shkoi mirë dhe u zgjua pak edhe shpresa. Ekziston përshtypja se gjithçka mund të rifillojë…
Ata, që terroristët i quajnë “objektiva të ligjshëm” – flasim për të krishterët – janë tashmë 400-600 mijë vetë. Para luftës, të krishterët ishin 1 milion e 400 mijë. Si mund të ndalet ky eksod e si mund të favorizohet kthimi i të krishterëve në shtëpitë e tyre?
Të krishterët duhet të ndihen të qetë e duhet t’u jepet mundësia të gjejnë punë. Pra, një sërë masash, që duhen marrë nga qeveria, e cila deri tani, e sidomos për Krishtlindje, tregoi se dëshiron të bëjë gjithçka për të garantuar sigurinë e të krishterëve. Kjo mund t’i qetësojë, për të mos e ndjerë veten të detyruar të largohen nga vendi.
Cila është detyra e qeverisë së re irakiane, që akoma ka mbi supe trashëgiminë e regjimit të Sadam Hyseinit, të luftës e të terrorizmit?
Është një detyrë shumë e vështirë, pasi në vend qarkullojnë akoma shumë armë e ka grupe të pakënaqura nga ngjarjet e viteve të fundit. Kërcënimi i terrorizmit është real e nuk mund të ndalet aq lehtë, por mendoj se me kohë do t’i jepet fund. Sigurisht, Iraku është një vend i sprovuar rëndë, me shumë plagë, që nuk mbyllen menjëherë. Duhet kohë. Njerëz, që më parë nuk kishin probleme, tani janë vendosur papritur njëri kundër tjetrit. Është e rëndësishme të rilindë besimi ndaj të afërmit. Të krishterët janë grupi më i dobët dhe detyrimisht, duhet t’ia besojnë veten të tjerëve.
Pavarësisht se janë të dobët, cili është kontributi që ata mund të japin për shtetin irakian?
Mendoj se duhet të bëjnë si gjithmonë, të jetojnë me ndershmëri, duke punuar e duke dhënë ata vetë të parët dëshminë e tolerancës. Të krishterët vlerësohen pikërisht për ndershmërinë e tyre. Dëshirojnë të respektohen e duhet të jetë kështu. Ky është kontributi më i çmuar, që të krishterët mund t’ì japin vendit.
A keni ndonjë thirrje për dëgjuesit e Radio Vatikanit?
Vazhdoni të luteni për të krishterët e këtij vendi, që Iraku t’u përkasë sërish të gjithë qytetarëve të vet, pavarësisht nga feja ose nga grupi etnik, të cilit i takojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.