Me 30 dhjetor, kalendari përkujton Shën Feliksin I Papë
Sipas jetëshkrimit të tij të shkurtër në Liber Pontificalis, Feliksi ishte romak,
bir i njëfarë Kostandini. I zgjedhur Papë në fillimet e vitit 269, shpalli një dekret,
përmes të cilit kërkonte të kremtohej Mesha për kujtim të martirëve. Gjatë sundimit
të Aurelianit fitoi edhe ai vetë palmën martirit e u varros në rrugën Aurelia më 30
maj 274, në një bazilikë që e kishte ndërtuar ai vetë. Nga këto lajme, disa duhet
t’i shikojmë me dyshim. Së pari nuk kemi asnjë dëshmi që të ketë vdekur martir,
sepse emri i tij nuk u shkrua në Depositio martyrum, por në atë episcoporum, gjë që
do të thotë se në fillim të shekullit IV nuk nderohej në Romë si martir. Së dyti,
dita në të cilën lindi për qiell, nuk është 30 maji, siç shkruhet në Librin e Papëve,
por 30 dhjetori, e kjo sepse ai që e hartoi jetëshkrimin e Papës Feliksi e lexoi gabim
këtë datë: Lexoi III Kal.iun, në vend të III Kal.ian. Nuk është lajm i sigurt edhe
ai ndërtimit të bazilikës në rrugën Aurelia, e aq më pak varrosja e tij në këtë bazilikë.
Depositio episcoporum pohon qartë se varri i tij ishte në varrezën e Kalistit
në rrugën Apia. Gabimi u bë sepse në rrugën Aurelia qe varrosur një martir tjetër
me emrin Feliks. Të vetmet njoftime të sakta për papën Feliksi I, janë ato që lexojmë
në Librin e ipeshkvijve, e kryesisht datat e papnisë së tij. Ka shumë mundësi të jetë
interesuar për çështjen e Palit të Samosatës, sepse ishte ai që mori letrën sinodale,
të cilën Koncili i Antiokisë , mbledhur në vitin 268, i drejtoi Papës Dionisi, që
ndërkaq kishte vdekur. Pikërisht nën Papën Feliksi, perandori Aurelian, pas vdekjes
së Palit, vendosi t’ua kthente pasuritë e patundshme të Kishës antiokiane, besimtarëve
që ishin në bashkim me Kishën e Romës. Kujtojmë se Pali i Samosatës ishte ndjekës
i doktrinës adocioniste, sipas së cilës Ati e Biri e Shpirti Shenjt janë një Vetje
e vetme, ndërsa feja na mëson se Zoti është një i vetëm, por në tri Vetje hyjnore
të barabarta e të veçuara, që njihen me emrin e Shenjtnueshmja Trini! Për më tepër
Pali kishte shtënë në dorë të gjitha pasuritë e Kishës, të cilat i përdorte sipas
interesave të veta. Për t’i dhënë fund këtyre shqetësimeve u mblodh Koncili i Antiokisë,
e këto trazira të shkaktuara nga Pali iu njoftuan mbarë Kishës përmes letrës drejtuar
Dionisit papë.