2010-12-30 18:34:25

2010-a e Benediktit XVI: një vit intensiv, treguar me fjalët e zëdhënësit të Selisë së Shenjtë


Pesë udhëtime ndërkombëtare, katër vizita baritore në Itali, një Këshillim Apostolik, një Koncistor dhe një sinod, 45 audienca të përgjithshme, një libër intervistë. Këto janë disa nga shifrat, që karakterizojnë veprimtarinë e Papës Benedikti XVI për vitin 2010. Një vit, që siç tha Papa në fjalimin para Kuries Romake, fatkeqësisht, do të mbahet mend edhe për shkandullin e abuzimeve seksuale me të miturit nga ana e disa anëtarëve të klerit. Pikërisht nga këto ngjarje të dhimbshme, fillon reflektimi i drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili në intervistën për Radio Vatikanin, ndalet në disa çaste kryesore të aktivitetit të Atit të Shenjtë, gjatë këtij viti në përfundim:
Problemi i këtij viti nuk është krejtësisht i ri. Në vende si SHBA-të, kjo ndodhi që para dhjetë vjetësh e u vu në dukje me intensitet të madh. Edhe në Irlandë, problemi është i viteve të kaluara e, gjatë 2009-ës, pati folur edhe Papa me ipeshkvijtë irlandezë, madje Benedikti XVI u shkroi një letër katolikëve të Irlandës mbi këtë temë. Por, është e vërtetë, se gjatë këtij viti, problemi doli në pah me forcë edhe në vende të tjera evropiane e, kjo zgjoi reagime e pështjellime të dukshme. Papa veproi e ndërhyri në mënyrë shembullore, duke venë në dukje se me ç’frymë duhej përballuar ky problem. Me anë të takimit me viktimat, në shumë raste, u tregua i gatshëm t’i dëgjojë, t’i kuptojë e të marrë pjesë në vuajtjen e tyre. E ftoi shpesh Kishën të ripërtërihet thellësisht. Mjafton të kujtojmë fjalimin në përfundim të Vitit Meshtarak, që na preku thellë të gjithëve. Pastaj, i inkurajoi konkretisht të gjithë ata, që impenjohen në fushën e parandalimit, të shërimit të këtyre plagëve. Jemi pra në drejtimin e duhur për ta kapërcyer dramën e këtij shkandulli, që plagosi thellë shumë persona, por që duhet marrë si rast për rinovim, për t’i dëgjuar më mirë njerëzit, për të reflektuar thellë mbi të gjitha tematikat. Pra, jo vetëm mbi temën e shenjtërisë meshtarake, por edhe mbi temën e seksualitetit e të respektit të njeriut në ditët e sotme, kur shpesh respekti mungon pikërisht në përmasën e seksualitetit e të dashurisë. Nga kjo dramë e madhe, shpresoj që Kisha të marrë një shtysë drejt rinovimit e impenjimit në horizonte të reja për t’i shërbyer dinjitetit të personit e shenjtërimit të jetës.
Papa ia kushton lirisë fetare mesazhin e Ditës Botërore të Paqes, një temë me aktualitet dramatik, për shkak të persekutimeve në rritje të të krishterëve…
Zakonisht, duke menduar për persekutimet e vështirësitë e të krishterëve, ne shohim kryesisht drejt vendeve të Lindjes së Mesme, por fatkeqësisht, ka probleme edhe në rajone të tjera të botës: për shembull në Indi, në Filipine e në pjesë të tjera të Azisë. Gjatë muajve të fundit, na kanë shkaktuar dhimbje veçanërisht, problemet e lirisë së fesë e të ndërgjegjes për të krishterët në Kinë. Për këtë ka pasur ndërhyrje të rëndësishme e të qarta nga ana e autoriteteve të Vatikanit. Dokumenti për Ditën Botërore të Paqes na fton ta hedhim vështrimin edhe mbi Perëndimin, mbi shoqëritë e shekullarizuara. Termi “kristianofobi” u përdor për herë të parë nga Papa në fjalimin para Kuries Romake dhe ka të bëjë me vendet e me kulturat tona: kjo përpjekje për të mënjanuar nga jeta publike, sidomos, shenjat e krishtera dhe shprehjet e jetës së krishterë. Këmbëngulja për të shpallur të drejtën e praktikimit të hapur e të lirë të fesë së krishterë në të gjitha zonat e botës, edhe në vendet e shekullarizuara, si kontribut për jetën e shoqërisë, ishte një nga mesazhet më domethënëse të Atit të Shenjtë gjatë udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe u dëgjua shumë, sidomos fjalimi në Uestminster Holl.
Një nga çastet më të rëndësishme në jetën e Kishës, gjatë vitit 2010, ishte pa dyshim, Sinodi i Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Edhe në këtë rast, Papa na kujtoi se të krishterët në Tokën Shenjte nxisin pajtimin e paqen…
Po, megjithëse fatkeqësisht, ka pasur, edhe pas Sinodit, shenja dhune e vështirësie për të krishterët – të kujtojmë atentatin në kishën e Bagdadit – Sinodi dha përshtypjen e gjallërisë, të impenjimit, të dëshirës për të dëshmuar aktivisht Krishtin, nga ana e të krishterëve me rite të ndryshme, nga bashkësi të ndryshme të rajonit. Pra, ishte edhe një shenjë shprese, pavarësisht nga vështirësitë, që vazhdojnë.
Benedikti XVI ka bërë shumë udhëtime këtë vit: katër në Itali e pesë ndërkombëtare. Ai në Mbretërinë e Bashkuar, siç e ka pohuar vetë, mbetet i paharrueshëm, edhe për lumnimin e kardinalit Xhon Henri Njuman…
Figura e kardinalit Njuman qe e rëndësishme në këtë udhëtim. Për këtë papë, figura e të Lumit të ri ka rëndësi të dorës së parë në marrëdhëniet ndërmjet fesë, arsyes e përshpirtërisë. Në fjalimin e fundit për Kurien Romake, Papa vuri në dukje edhe një aspekt tjetër, që nuk e kishte përmendur gjatë udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, atë të ndërgjegjes: ç’do të thoshte ndërgjegje për kardinalin Njuman, si kriter udhëheqës në rrugën e kërkimit të së vërtetës. Sidomos për botën anglishtfolëse, por edhe për Kishën universale, personaliteti i kardinalit Njuman propozohet nga Papa si një figurë e ndritshme, në një kohë kur duhej gjetur me këmbëngulje, mes njëmijë vështirësish, rruga e krishterë në kontekstin e debatit jashtëzakonisht impenjativ kulturor, fetar e shpirtëror.
Ndër vendimet që ka marrë Papa këtë vit është edhe ai i themelimit të një dikasteri për Ungjillëzimin e Ri. Është edhe formula e “oborrit të paganëve”, propozuar nga Benedikti XVI për njerëzit e kohës sonë…
Themelimi i një dikasteri të ri qe ndoshta, syprizë, pasi nuk mendohej se duheshin institucione të reja në kuadrin e Kuries Romake. Por, është një mesazh tepër i qartë: mesazhi i përparësisë së shpalljes së Ungjillit, në misionin e Kishës, gjithnjë përmes kohrave, edhe në situata të vështira. Ky dikaster duhet të punojë në misionin më të gjerë të Kishës, duke tematizuar pikërisht shpalljen e Ungjillit haptas në botën e sotme.
Ju e keni quajtur librin intervistë “Drita e botës”, një akt i vërtetë guximi komunikativ. Sipas jush, cila është sfida e Benediktit XVI për gazetarët e veprimtarët e komunikimit?
Ne vazhdojmë të zbulojmë karakteristikat e veçanta të Papës Benedikti XVI në fushën e komunikimit. Ekzistonte ideja se është një Papë jo komunikativ, në krahasim me paraardhësin e tij të madh. Në të vërtetë, po gjen formula të vetat, karakteristike e të reja – edhe nga ana e një pape në përgjithësi – për të komunikuar mesazhin e vet. Për shembull, libri “Jezusi i Nazaretit”, për të cilin po presim vëllimin e dytë e shpresojmë të plotësohet me të tretin: një libër me karakter teologjiko-shpirtëror, shkruar personalisht nga një Papë teolog e që është, edhe ai, një risi e madhe e kësaj papnie, ashtu si libri-intervistë. Natyrisht, kjo tregon edhe kërkimin nga ana e Papës të rrugëve më të përshtatshme për personalitetin e tij komunikativ. Dua të shtoj këtu edhe format e tjera, klasike të komunikimit, si homelitë, katikizmi dhe fjalimet. Në veçanti, homelitë e cilësojnë shërbimin e këtij Pape si një kontribut të madh sinteze ndërmjet teologjisë dhe përshpirtërisë për Kishën e sotme: është profesor i artit të predikimit për krejt Kishën.







All the contents on this site are copyrighted ©.