2010-12-29 17:37:44

Revista “Famiglia Cristiana” (Familja e Krishterë) kremton 80 vjetorin e lindjes.


(29.12.2010 RV)“Familja e Krishterë” kremton 80-vjetorin: rrugë e gjatë impenjimi informativ e formativ. E ky impenjim, në këtë çast të vështirë –shkruan Presidenti i Republikës së Italisë, Napolitano - fiton një kuptim edhe më të thellë, që të shtyn ta shikosh familjen si burim i çmuar dhe i pazëvendësueshëm për progresin dhe zhvillimin e një shoqërie të hapur e solidare, sipas vizionit largpamës të Kushtetutës italiane.
Don Antonio Sciortino, drejtor i revistës, na flet shkurtimisht për historinë e “Familjes së Krishterë”:

Përgjigje: - Familja e Krishterë mbush, siç thamë, 80 vjet. Lindi në Krishtlindjen e vitit 1931, me nismën e të Lumit Xhakomo Alberione, themelues i Paolinëve, i cili e krijoi këtë institut të njohur nga Kisha, për të ugjillëzuar përmes të gjitha mjeteve të komunikimit. Në vitin ’31 e nxjerr në dritë këtë revistë për familjet, sepse shikon në to qelizat jetike të shoqërisë e të Kishës: një revistë tejet e thjeshtë, e lindur për të informuar, për të formuar e për t’i shërbyer familjes. Parimi ishte për t’u folur të gjithëve krishtërisht, e mbeti gjithnjë parim themelor, adn-ja jonë, vija jonë drejtuese, sepse nuk ka asnjë argument, që duhet të jetë i paprekshëm, tabù. Flitej, që asokohe, për gjithçka i interesonte familjes, si në këndvështrimin konkret e material, ashtu edhe në atë shpirtëror. Kjo mund të bëhej vetëm duke pasur kompetencat e nevojshme, sepse që në fillim u kërkuan kompetencat e plota për të përballuar problemet, që kanë të bëjnë me familjen, me edukimin e fëmijëve, me nevojat e pleqve, me problemet e çifteve, me shqetësimet e familjeve e kështu me radhë, të gjitha problemet, duke i parë në këndvështrimin e krishterë. Edhe sot e kësaj dite theksojmë se për ne s’ka asnjë tabù, sepse e kemi kompetencën e nevojshme e edhe sepse dimë t’i shikojmë problemet në këndvështrimin e krishterë. Këndvështrimi ynë, me të cilin e përballojmë realitetin e me të cilin u flasim edhe familjeve, është gjithnjë ai, që ndriçohet nga Ungjilli e nga doktrina shoqërore e Kishës.

Pyetje: - Në se ndokush nuk do ta njihte Familjen e Krishterë e ju do t’i flisnit për këtë revistë, ç’do të thoshit sot për të? Ç’është, sipas jush, Familja e Krishterë?

Përgjigje: - Në një çast, kur familja sulmohet e merret keqas nëpër këmbë, ajo prapëseprapë vijon të mbetet pasuria kryesore e këtij vendi: ky vend mbahet në këmbë pikërisht falë familjes. Familja e Krishterë është revista e gjithë familjes, sepse në të, të gjithë anëtarët e familjes mund të gjejnë hapësirën e vet: nga të rinjtë; tek çiftet që përgatiten për martesë; tek bashkëshortët tashmë të martuar e deri tek pleqtë. Familja është çelësi, që shërben për të kuptuar si e përballojmë gjithë realitetin. Një revistë e gjithanshme, me vlera që ndihmojnë vërtet për ta deshifruar një shoqëri, e cila sot është shumë, shumë e vështirë për t’u kuptuar, në një çast laicizmi e relativizmi të thellë moral.







All the contents on this site are copyrighted ©.